Kuvendi i Kosovës dështon për herë të 26-të në konstituimin e tij
Për të 26-ën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituojë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Që nga 1 maji, për herë të tetëmbëdhjetë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka propozuar votimin e fshehtë pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur disa herë të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Megjithatë, ky propozim është kontestuar nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar, të cilat e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetues. Këto parti kërkojnë që Gjykata të ndërmarrë një masë të përkohshme për të ndaluar mbajtjen e seancave derisa të merret një vendim përfundimtar.
Në vazhdimin e seancës më 4 qershor, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe sërish refuzuan të emërojnë përfaqësues për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë.
Saranda Bogujevci nga LVV deklaroi se partia po pret vendimin e Kushtetueses, duke shtuar se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës. Ndërkohë, Faton Peci bëri të ditur se kanë pasur takime me Nismën Socialdemokrate, ku Fatmir Limaj shihet si një partner potencial për bashkëqeverisje.
Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, theksoi nevojën për krijimin e një shumice parlamentare dhe u shpreh optimist se institucionet e reja do të formohen së shpejti.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë më 5 qershor, ndryshe nga praktika e mëparshme prej 48 orësh ndërmjet vazhdimeve. Këtë herë, vendimi për të vazhduar pas 24 orësh është marrë për të shmangur përplasjen me festën e Bajramit.
PDK dhe AAK kanë deklaruar se Albulena Haxhiu nuk është figurë unifikuese dhe i kanë kërkuar LVV-së të propozojë një kandidat tjetër. LDK ka shkuar edhe më tej, duke thënë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat nga LVV për këtë post.
Megjithatë, LVV, si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Kjo parti ka deklaruar se nuk do ta ndryshojë kandidaturën e Haxhiut, duke theksuar se ajo e meriton këtë pozitë.
Zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit kërkon 61 vota. Vetëm pas përmbushjes së këtij hapi, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe mund të fillojë procesi i formimit të Qeverisë së re.
LEXONI GJITHASHTU:
KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë
Fëmijë shqiptarë nga rajoni i Kumanovës mund të mbesin pa shkollë fillore
Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës
- 23:14 Çipa: Një qeverisje e mençur i merr disa nga diaspora dhe u jep vende në administratë!
- 22:22 “Fryma e protestës është kundër kapitalizmit”, Rexhaj: Këto nuk janë kërkesa!
- 21:59 Hitaj: Nëse protesta vazhdon edhe dy javë, PS dhe PD do luftojnë për vendin e dytë në Tiranë
- 21:49 “Kërkoj ndjesë publike, votova ndryshimet kushtetuese të vitit 2008”, flet ish-deputetja
- 21:30 Të shtëna me armë zjarri ndaj një servisi celularësh në Babrru, kapet i dyshuari 18-vjeçar
- 21:23 Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit në ditën e 27-të të protestës