Shqiptari bëhet heroi i ditës në Greqi: Rrezikon jetën, shpëton 2 fëmijë nga mbytja

12 Qershor 2025 | 10:28

Një emigrant shqiptar në Greqi është bërë personazhi i ditës në mediat e vendit fqinj pasi shpëtoi dy fëmijë nga mbytja në një zonë të rrezikshme të lumit. Levian Goga, 41 vjeç, ndërhyri pa hezitim kur dëgjoi thirrjet për ndihmë dhe, megjithëse theu këmbën gjatë përpjekjes, arriti të nxjerrë nga uji dy fëmijët e mitur që rrezikonin jetën.

Sipas “Protothema.gr”, incidenti ndodhi në zonën e Neokorit të Artës, pranë një ure ku rrjedha e lumit bëhet veçanërisht e rrezikshme për shkak të thellësisë që arrin deri në nëntë metra dhe vorbullave të fuqishme. Notimi në këtë pjesë të lumit është tepër e vështirë dhe për notarët profesionist.

“Isha në kafene. Një fëmijë erdhi me motor dhe bërtiti ‘ndihmë, dy fëmijë po mbyten në lumë!’ Pa menduar dy herë, vrapova. Hipa në makinë dhe shkova në vendngjarje. Kalova nëpër kallamishte, kontrollova, nuk pashë asgjë. Hipa në një varkë me disa të tjerë. U zhyta një herë, asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë, u zhyta më thellë, rreth tetë metra. Atje e pashë. Fëmija ishte shtrirë, i palëvizshëm, me një fytyrë të nxirë, krahë dhe këmbë të hapura. Ishte sikur të kishte vdekur. E kapa, e nxora me forcë. Dhe pastaj dëgjova se e kishin parë edhe të dytin. U zhyta përsëri, dy dhe tre herë. E gjeta. Ishte me shpinë në fund. Kur e nxora lart, po i rridhte gjak nga hunda dhe goja. U frikësova”, rrëfeu ai me zë të mbytur.

Levian Goga, i njohur si “Leo” në komunitetin lokal, është një emigrant nga Berati i Shqipërisë që jeton prej 24 vitesh në Greqi. Ai ka shkuar në moshën 17-vjeçare në Greqi.

“Ai bëri lloj-lloj pune, pa stabilitet, pa siguri, pa u ankuar kurrë. Ai luftoi. Ai punoi shumë. Dhe disi, me këmbënguljen dhe durimin që karakterizojnë njerëzit e qetë, ai krijoi një jetë nga e para.”- shkruajnë mediat greke.

Prej pesë vitesh, Goga jeton në Arta me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, të moshës dhjetë dhe gjashtë vjeç. Ndonëse nuk i njihte fëmijët që shpëtoi, reagimi i tij ishte instinktiv.

“Nuk më intereson kush janë, çfarë race, çfarë feje. Jam i huaj, por jam qenie njerëzore. Bëra atë që do të bënte çdo baba. Po mendoj vetëm për fëmijët”, tha ai.

“Shpresoj të jetojnë”, shtoi Goga në fund, i prekur.

Incidenti, sipas banorëve, është i ngjashëm me raste të mëparshme që ndodhin kryesisht në muajt e ngrohtë, kur fëmijët frekuentojnë lumenjtë për t’u freskuar.

Sipas dëshmive nga vendngjarja, njëri nga djemtë ishte zhytur për të ndihmuar shokun e tij dhe, gjatë përpjekjes, e kishte kapur për qafe, çka u bë shkak që të dy të fundoseshin.

“Njëri tërhoqi tjetrin”, tha një dëshmitar.

Veprimi i Gogës ka fituar vëmendjen e mediave dhe mirënjohjen e komunitetit, duke rikthyer në qendër të vëmendjes vlerat themelore njerëzore.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Autori i 7 rasteve të vjedhjes, vihet në pranga 29-vjeçari në Durrës

Një 29-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet për veprën penale të vjedhjes. Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë...
13:39 | 23/07/2026

Spiropali-Berishës: A do ta çlirosh opozitën? Replikon kryedemokrati: Elisa, pëllumbesha në botën e çudirave

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka replikuar në Kuvend me deputeten socialiste Elisa Spiropali e cila i bëri pyetje se nësë është gati të...
13:37 | 23/07/2026

Ngjarje e rëndë në Orikum! Humb jetën 75-vjeçari, dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

Një ngjarje tragjike është shënuar paraditen e kësaj të enjteje në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç, ka humbur jetën pasi...
13:04 | 23/07/2026