Kush është ish-polici shqiptar i burgjeve që u vra me plumb në kokë në Itali

12 Qershor 2025 | 15:29

Një ngjarje e rëndë u regjistrua të dielën në Padova të Italisë, ku një 59-vjeçar u gjet i plagosur nga një plumb në kokë.

Ai qëndroi për tre ditë në spital, ku të mërkurën humbi jetën ndërsa korrespondenti i Euronews Albania në Fier ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me viktimën.

Mësohet se 59-vjeçari, i identifikuar si Fatos Cenaj, ka qenë një ish-efektiv i Policisë së Burgjeve me origjinë nga Skrapari.

Në muajin qershor të vitit 1996, pasi mbaroi Shkollën e Policisë, ai u transferua me familjen në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ku filloi punë si gardian, fillimisht në paraburgimin që ndodhej brenda ambienteve të DVP-së Berat dhe më pas në IEVP-në e Beratit, ku për 4 vite ka qenë drejtor burgu.

Rreth 4 vite më parë ai kërkoi largimin nga radhët e Policisë së Burgjeve në Berat dhe pasi hoqi uniformën e policisë, ai u largua nga Shqipëria drejt qytetit të Padovës në Itali për të jetuar me bashkëshorten, vajzën, dhëndrin dhe dy mbesat e tij.

Sipas familjarëve të tij, është duke u diskutuar nëse do ta sjellin trupin e viktimës në Shqipëri apo jo, pasi u është konfirmuar se transporti i trupit të pajetë drejt Shqipërisë kushton 18 mijë euro – shumë që familjarët e kanë të pamundur ta paguajnë – dhe ende nuk dihet se ku do të prehet trupi i viktimës.

Motivi për Prokurorinë e Padovës është gjithashtu ende i panjohur. Nuk përjashtohet që 59-vjeçari të jetë goditur aksidentalisht nga një plumb qorr i qëlluar nga dikush që po testonte një armë, por karabinierët po rindërtojnë edhe lidhjet e kaluara të Fatos Cenajt dhe nuk përjashtojnë pritën për hakmarrje për shkak të mërive të vjetra të lidhura me profesionin e tij të mëparshëm.

Ngjarja

59-vjeçari Fatos Cenaj ka ndërruar jetë të mërkurën në një spital në Itali, pas 3 ditësh qëndrimi në gjendje të rëndë, pasi u plagos me një plumb në kokë më 8 qershor në Fontaniva të Padovës, Itali.

Ngjarja e rëndë ndodhi në “Via Casoni”, në provincën e Fontanivës. Ai u plagos rëndë në kokë nga një e shtënë me armë zjarri, teksa kthehej në shtëpi me biçikletë.

Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një aksident rrugor, por mjekët e urgjencës, ku u transportua nga familjarët, konstatuan se plagët që kishte në fytyrë ishin shkaktuar nga një armë zjarri ndërsa plumbi kishte hyrë nga pjesa e pasme e kokës.

Pasi u konstatua se Cenaj ishte qëlluar me armë në vendngjarje shkoi grupi hetimor, i cili izoloi zonën për të mbledhur prova.

Autoritetet italiane po shqyrtojnë disa pista hetimore, përfshirë edhe një atentat të mundshëm nga ndonjë automjet në lëvizje apo një e shtënë aksidentale nga ndonjë banesë pranë vendit të ngjarjes.

Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth vendit të ngjarjes.

Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të mistershme janë pyetur edhe dëshmitarët që ndodheshin në vendngjarje,të cilët kanë konfirmuar se kanë parë vetëm rrokullisjen e tij në rrugë por s`kanë parë asgjë person tjetër të largohej pas rënies së 59-vjeçarit.

Policia italiane konfirmon se në deklaratën e dhënë në polici pas ngjarjes nga bashkëshortja e tij dhe familjarët, ata kanë deklaruar se viktima bënte një jetë krejt normale në Itali dhe nuk kishte konflikte me askënd.

Mësohet se Prokuroia e Padovas, pas vdekjes së tij, ka nisur një hetim për “vrasje”, ndërkohë që raporti mjeko-ligjor është analizuar kqyrja e plagëve në kokë dhe trajektorja e plumbit.

Sipas këtij raporti mjeko-ligjor, janë zbuluar dy plagë, një hyrje dhe një dalje. Plumbi ka hyrë pas veshit dhe ka dalë nga balli,pra nga poshtë-lart por gëzhoja mungon dhe për këtë arsye arma ende nuk është përcaktuar dhe nuk dihet nëse është pistoletë apo pushkë gjuetie.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Moti i keq, aksident në hyrje të tunelit të Skërficës

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në hyrje të tunelit të Skërficës, në rrugën kombëtare Kardhiq-Delvinë. Një automjet ka dalë nga rruga duke...
22:32 | 25/06/2026

Rrufeja shkakton zjarr në Dropull, era e fortë rrëzon pemë dhe bllokon rrugën

Moti i keq që ka përfshirë pasditen dhe mbrëmjen e së enjtes qarkun e Gjirokastrës ka sjellë probleme në disa zona të Bashkisë Dropull. Si...
21:58 | 25/06/2026

Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit

“Një agjent nuk del me fytyrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por vepron në mënyrë të fshehtë.” Kështu u shpreh aktivisti Ervin Goci në...
21:57 | 25/06/2026