Zbulohen të dhëna të reja nga arkeologët për fortesën ilire të Matohasanajt

8 Korrik 2025 | 20:19

Një nga fortesat më pak të eksploruara në jug të Shqipërisë po del në dritë si një qendër me funksione shumë më të gjera sesa mendohej më parë. Fortesa ilire e Matohasanajt, e pozicionuar në një zonë strategjike pranë qytetit antik të Amantias, po zbulohet si një vendbanim që, përveç rolit mbrojtës, ka pasur edhe funksione publike dhe prodhuese.

Gërmimet, tashmë në vitin e tretë, janë pjesë e një projekti bashkëpunimi mes Institutit Shqiptar të Arkeologjisë dhe një grupi arkeologësh nga SHBA.

“Matohasanaj njihet kudo si fortesa ilire, por deri para 2–3 vitesh këtu ishin kryer vetëm vëzhgime arkeologjike dhe studime të sistemit fortifikues të mureve. Është një fortesë rreth 3 ha, dhe një nga ato që mbronin qytetin kryesor të Amantias”, tha Sabina Veseli, arkeologe.

Që në sezonin e parë të gërmimeve, arkeologët zbuluan një godinë monumentale prej guri. Kjo strukturë e pazakontë për një fortesë të vogël bëri që ekipi i arkeologëve dhe studiuesve të rishikonte tërësisht interpretimin e këtij siti.

“Kjo ndryshon mënyrën tonë të të menduarit për fortifikimet; për fortesat që nuk janë vetëm për ushtrinë, por janë qendra që shërbejnë për territorin dhe gjithashtu kanë godina publike, të zakonshme në qytetet e mëdha si Amantia dhe Antigonea, ku ka hapësira të dedikuara për qëllime publike. Por këtu kemi një nga rastet e para në Shqipëri ku gjejmë një godinë të përmasave të tilla”, shtoi arkeologia Veseli.

Godina është ndërtuar në shekullin III para erës sonë dhe ka pasur përdorim të vazhdueshëm deri në shekujt IV–VI e.s.

Sabina Veseli tha gjithashtu se: “Gjetjet janë shumë interesante: Variojnë nga qeramika dhe monedhat, qoftë të shek. III, qoftë të antikitetit të vonë. Kemi gjetur gurë peshe që tregojnë aktivitete tjerrjeje dhe endjeje. Në sektorë të tjerë kemi zbuluar shumë zgjyrë dhe skarco qeramike, që dëshmojnë se këtu ka funksionuar një qendër e vogël prodhimi, në shërbim të nevojave të komunitetit”.

Projekti do të vazhdojë gjatë gjithë muajit korrik dhe pritet të sjellë të tjera zbulime me vlerë për historinë e qyteteve ilire.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Erion Braçe del kundër Ramës për Zvërnecin (VIDEO)

Deputeti Erion Braçe ka folur lidhur me mënyrën se si po trajtohet publikisht projekti i investimit strategjik në Zvërnec. Në një reagim publik, Braçe theksoi...
14:05 | 04/06/2026

SPAK sekuestron vilën në Dhërmi, akuza të reja ndaj Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro preventive mbi një vilë një resort në Gjilekë të Dhërmiut. SPAK njofton se...
14:03 | 04/06/2026

Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se kanë nisur procedurat për shpalljen e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, me...
13:47 | 04/06/2026