Galeria “GOCAT” tërheq vëmendjen e medias së specializuar italiane

9 Korrik 2025 | 12:04

Galeria e Artit Bashkëkohor Tiranë (“GOCAT”) ka tërhequr vëmendjen e redaksisë më të madhe kulturore në Itali, “Artribune”.

Prestigjiozja italiane, që është burimi më i ndjekur për gjithçka që lidhet me artin dhe kulturën, është ndalur mbi ekspozitën më të fundit në galeri, “Abito Mari”, nga artisti i mirënjohur Fabrizio Bellomo.

Rrugët e Italisë dhe Shqipërisë takohen në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë, shkruan Artribune, për të vijuar më tej me një përshkrim të detajuar të konceptit artistik të Bellomo-s dhe veprave të tij të ekspozuara në hapësirat e galerisë.

Artikulli vjen për ju i plotë dhe i përshtatur në shqip:

Rrugët e Italisë dhe Shqipërisë, takohen në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë, ose siç njihet ndryshe, në “GOCAT”.

Ajo çka i bën bashkë në të vërtetë këto dy vende fqinje janë veprat e paraqitura së fundmi në galeri, nga artisti Fabrizio Bellomo. Bellomo vjen përmes tyre me një reflektim mbi strukturën sociale dhe arkitektonike të Puglias, Kalabrisë dhe Shqipërisë.

Predrag Matvejević, në novelën e tij “Breviario Mediterraneo”, e kishte përkufizuar Adriatikun si “detin e intimitetit”. Sot, përballë një aktualiteti gjithnjë e më të trazuar dhe të ndezur, të flasësh për këtë det është e domosdosshme. Artisti puljez Fabrizio Bellomo ( i lindur në Bari, më 1982-shin), arrin ta bëjë këtë në një mënyrë shumë intriguese, me ekspozitën e tij personale “Abito Mari”, e cila ndodhet në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë (“GOCAT”) dhe bën bashkë një seri projektesh të realizuara nga Bellomo gjatë njëzet viteve të fundit midis Puglias, Kalabrisë dhe Shqipërisë.

Ekspozita e Fabrizio Bellomo-s në Tiranë

Narrativa e ekspozitës, kuruar nga Ardian Isufi dhe Elton Koritari, mundëson ndjekjen e fazave të ndryshme të të gjithë procesit kërkimor të artistit, përmes skulpturave, fotografive, instalacioneve dhe videove të vendosura në mënyrë perfekte në hapësirën e ekspozitës. “Gjuha popullore e veprave, e kuptuar si spontane dhe e shtresëzuar që lind nga ndërveprimi mes njeriut dhe mjedisit”, thonë kuratorët, “shfaqet në veprat e Bellomo-s si një element hibrid, i aftë të vërë në pikëpyetje narrativat zyrtare dhe të zbulojë kompleksitetin e strukturës sociale dhe arkitektonike”.

Veprat e Fabrizio Bellomo-s, të cilat i kushtohen Italisë

Në sallën e parë, ku punimet kanë në qendër Italinë, spikat “Villagio Cavatrulli”, një vepër kjo e ekspozuar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, në vitin 2018. Më konkretisht, një arkiv fotografik që krahason arkitekturën e shtëpive tradicionale në Puglia (që njihen ndryshe si “trulli”), të braktisura prej kohësh, me ndërtimet e papërfunduara të  banesave që shtrihen nëpër fshatrat shqiptare.

Nën një vështrim të ngjashëm vjen edhe vepra “N’Ziembru” (2024), e promovuar nga Fondacioni Elpis. Bëhet fjalë për një instalacion të përbërë nga disa elementë, që interpreton konceptin “arkitekturë e papërfunduar”, karakteristik për peizazhin kalabrez. Ky instalacion e trajton konceptin përmes një tapeti të punuar me dorë, një albumi fotografk dhe një videoje kushtuar plotësisht ndërtimit të ndalur në vend, që Bellomo e përshkruan si “përpjekja e fundit për rezistencë ndaj një kulture tjetër, ajo e dështuara”.

Veprat e Fabrizio Bellomo-s, të cilat i kushtohen Shqipërisë

Në sallën e dytë, kushtuar Shqipërisë, në zemër të saj ndodhen dy vepra. E para është “Concrete Games” (2015-2025), që gëzon formën e një instalacioni interaktiv dhe bazohet mbi lojërat që punëtorët shqiptarë luajnë në kantieret e ndërtimit. Vepra e dytë është “Vegla Bën Ustain” (2015), një video-instalacion që sjell jetën e përditshme në zemër të qytetit, më saktë një ish-shesh të Tiranës (ish-sheshi “Shqiponja”), pikëndalesën e dikurshme të njerëzve që kërkonin punë. Siç theksojnë kuratorët, “projekti synon të ofrojë një interpretim kritik dhe poetik të bashkëkohësisë, duke nxitur një dialog të hapur mes të kaluarës dhe të tashmes, mes Italisë dhe Shqipërisë, mes artit dhe territorit”. Pa dyshim, ekspozita e Fabrizio Bellomo-s i arrin objektivat e vendosura, përmes kurimit të saj rigoroz, që mundëson një interpretim përmbushës dhe tejet interesant.

*Artikullin origjinal, e gjeni duke klikuar link-un: https://www.artribune.com/arti-visive/arte-contemporanea/2025/06/mostra-fabrizio-bellomo-galleria-gocat-tirana/

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv policie u vra dhe një tjetër mbeti...
09:53 | 04/06/2026

U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës

Efektivi i ‘Shqiponjave’ Edison Adri që mbeti i plagosur nga operacioni në Lozhan të Maliqit, është nisur për mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës...
09:44 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, teksa gjatë një operacioni policor efektivi i Shqiponjës Enea Mekolli humbi...
09:33 | 04/06/2026