Senati amerikan miraton planin e Trump për shkurtimet historike për ndihmat globale

17 Korrik 2025 | 14:46

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi të enjten planin e presidentit Donald Trump për të shkurtuar 9 miliardë dollarë nga financimi i ndihmave amerikane jashtë vendit dhe mbështetjes për transmetimet publike, duke i dhënë presidentit republikan një tjetër fitore politike.

Me 51 vota pro dhe 48 kundër, senatorët miratuan propozimin e Trump, i cili synon reduktimin e fondeve të miratuara më herët nga Kongresi. Pjesa më e madhe e shkurtimit prek programet që ndihmojnë vendet e huaja në luftën kundër sëmundjeve, konflikteve dhe fatkeqësive natyrore. Ndërkohë, 1.1 miliardë dollarë të planifikuara për Korporatën për Transmetimet Publike do të ndërpriten plotësisht për dy vitet e ardhshme.

Trump dhe mbështetësit e tij republikanë argumentojnë se shpenzimet për transmetimet publike janë të panevojshme dhe kanë kritikuar mbulimin e lajmeve nga këto media si të njëanshëm.

Kjo është hera e parë pas disa dekadash që paketa për anulimin e fondeve kalon në Senat, pasi ligjvënësit tradicionalisht kanë hezituar të dorëzojnë kontrollin kushtetues mbi shpenzimet. Megjithatë, republikanët, që mbajnë një shumicë të ngushtë, kanë treguar pak rezistencë ndaj axhendës së presidentit që nga nisja e mandatit të tij të dytë.

Shuma e shkurtuar prej 9 miliardë dollarësh përbën një pjesë të vogël të buxhetit federal prej 6.8 trilionë dollarësh, por është pjesë e përpjekjeve të administratës për të reduktuar shpenzimet e qeverisë federale. Sipas demokratëve, deri në mesin e qershorit Trump kishte bllokuar gjithsej 425 miliardë dollarë financime të miratuara më parë nga Kongresi.

Për shkak të shqetësimeve brenda vetë radhëve republikane, administrata Trump përjashtoi nga shkurtimet programin global për luftën kundër HIV/AIDS-it (PEPFAR), duke ulur shumën totale nga 9.4 miliardë në 9 miliardë dollarë. Ky ndryshim kërkon një votim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve para se të dërgohet për firmë në Shtëpinë e Bardhë.

Dy senatore republikane, Lisa Murkowski (Alaska) dhe Susan Collins (Maine), votuan kundër planit. “Nuk ke pse të shkatërrosh të gjithë Korporatën për Transmetimet Publike,” deklaroi Murkowski, duke paralajmëruar gjithashtu për pasojat e mundshme në luftën globale kundër sëmundjeve si malaria dhe poliomieliti.

Nëse paketa nuk miratohet përfundimisht deri të premten, kërkesa e presidentit do të skadojë dhe administrata do të detyrohet të zbatojë planet e shpenzimeve të miratuara më herët nga Kongresi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Obama me mesazh për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së: Duhet të mbrojmë demokracinë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka përcjellë një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, ku vlerësoi rëndësinë historike të Deklaratës...
15:56 | 04/07/2026

Ministri i Jashtëm i Egjiptit: BE do të na japë në ditët në vijim paketën e ndihmave prej 1.5 miliardë euro

Egjipti pritet të marrë 1.5 miliardë euro nga Bashkimi Evropian në ditët në vijim, i pari nga dy këste të mbetura të një pakete ndihme...
14:49 | 04/07/2026

Tre palestinezë të plagosur në sulmin izraelit në një fshat në Bregun Perëndimor

Tre palestinezë janë plagosur nga plumba metalikë të veshur me gome të qëlluar nga forcat izraelite në një fshat në veriperëndim të Ramallahut në Bregun...
14:37 | 04/07/2026