Izraeli shpall pauzë luftimesh në pjesë të Gazës, zotohet të hapë korridore ndihme

27 Korrik 2025 | 09:44

Izraeli shpalli të dielën një “pauzë taktike” në luftime në disa pjesë të Gazës dhe tha se do ta lejonte OKB-në dhe agjencitë e ndihmës të hapnin rrugë tokësore të sigurta për ta trajtuar krizën e thelluar të urisë.

Ushtria gjithashtu tha se kishte filluar hedhjen nga ajri të ushqimit në territor dhe hodhi poshtë akuzat se po përdorte urinë si armë kundër civilëve palestinezë.

Në një deklaratë, ushtria tha se vendimet e saj i kishte koordinuar me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare për të “rritur shkallën e ndihmës humanitare që hyn në Rripin e Gazës”.

Nuk pati ndonjë reagim zyrtar të menjëhershëm nga OKB-ja ose organizatat jofitimprurëse që operojnë në Gazë, dhe burime humanitare që mbeten skeptike thanë se po prisnin të shihnin rezultatet në terren.

Pauza në luftime do të kufizohet në zona ku ushtria thotë se trupat izraelite aktualisht nuk po operojnë — Al-Mawasi, Deir el-Balah dhe qyteti i Gazës — dhe do të zgjasë çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes.

Por, deklarata izraelite shtoi se “rrugë të sigurta të caktuara” janë hapur në të gjithë Gazën për të mundësuar kalimin e sigurt të autokolonave të OKB-së dhe organizatave humanitare që shpërndajnë ushqim dhe ilaçe.

Ushtria izraelite tha se këto operacione, së bashku me fushatën e saj të vazhdueshme kundër grupeve të armatosura palestineze, duhet të hedhin poshtë “pretendimin e rremë për uri të qëllimshme në Rripin e Gazës”.

Izraeli vendosi një bllokadë të plotë ndaj Gazës më 2 mars, pasi dështuan bisedimet për armëpushim. Në fund të majit filloi të lejonte një sasi të vogël ndihmash të rifillonte, mes paralajmërimeve për një valë urie.

Para se Izraeli të njoftonte dërgimin nga ajri të shtatë paletave me ushqim, Emiratet e Bashkuara Arabe kishin deklaruar se do të rifillonin hedhjet ajrore të ndihmave dhe Britania tha se do të punonte me partnerë përfshirë Jordaninë për t’i ndihmuar ato.

Vetëm të shtunën, agjencia palestineze e mbrojtjes civile tha se mbi 50 palestinezë të tjerë ishin vrarë nga sulmet dhe të shtënat izraelite, disa ndërsa prisnin pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zvicra përforcon sigurinë, vendos 4,000 trupa për Samitin e G7

Zvicra do të vendosë rreth 4,000 trupa brenda territorit të saj për të përforcuar sigurinë ndërsa liderët botërorë mblidhen për samitin e G7 në Francën...
18:21 | 04/06/2026

Irani paralajmëron plane të reja për Hormuzin: Do të vendosim tarifa shërbimi, jo taksa

Irani thotë se do të kërkojë të vendosë tarifa shërbimi për anijet që kalojnë Ngushticën e Hormuzit në këmbim të sigurimit të sigurisë së anijeve,...
18:14 | 04/06/2026

Ish-këshilltari i Trump drejt pranimit të fajësisë, John Bolton rrezikon deri në 5 vite burg për mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i SHBA-së, John Bolton, pritet të deklarohet fajtor në një çështje që lidhet me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara të sigurisë...
18:10 | 04/06/2026