Armenia dhe Azerbajxhani ‘afër marrëveshjes historike të paqes’ në Shtëpinë e Bardhë

8 Gusht 2025 | 08:59

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund t’i japë fund konfliktit të gjatë prej dekadash.

Kjo pritet të ndodhë më 8 gusht, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, të mirëpres udhëheqësit e dy vendeve.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të “ndjekur së bashku mundësitë ekonomike, në mënyrë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”, tha Trump në platformën Truth Social më 7 gusht.

“Shumë liderë kanë provuar t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani, falë ‘TRUMPIT’”, shkroi ai, duke shtuar se do të jetë “një ceremoni zyrtare e nënshkrimit të paqes”.

Sipas zyrës së tij për media, Pashinian ndodhet tashmë në Uashington dhe më 7 gusht vizitoi Muzeun e Biblës.

Shërbimi për media më 6 gusht bëri të ditur se Pashiniani do të vizitonte Shtetet e Bashkuara, ku do të zhvillonte një takim dypalësh me Trumpin dhe një takim trepalësh me Trumpin dhe Aliyevin “për të promovuar paqen, prosperitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon”.

Megjithatë, deri në postimet e Trumpit në rrjetet sociale më 7 gusht, nuk kishte deklarata përfundimtare nga asnjë prej tre qeverive nëse do të nënshkruhej një marrëveshje paqeje.

Marrëveshjet ekonomike mund të hapin rrugën për rihapjen e një korridori strategjik transporti në Kaukazin e Jugut, i cili ka qenë i mbyllur që nga fillimi i viteve ’90.

Sipas zyrtarëve amerikanë, të cituar në raportimet mediatike në kushte anonimiteti, marrëveshjet do t’i jepnin Shteteve të Bashkuara të drejtën e qirasë për zhvillimin e korridorit të Zangezurit dhe do ta emërtonin atë “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP).

Ky korridor do të lidhte Azerbajxhanin me rajonin e tij të Nakhçivanit, i cili është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga një shtrirje 32 kilometra e territorit armen, dhe do të përfshinte në të ardhmen një linjë hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe linja me fibra optike, duke mundësuar qarkullimin e mallrave dhe më vonë edhe të njerëzve.

Marrëveshja nuk parashikon që Shtetet e Bashkuara të financojnë ndërtimin e korridorit të tranzitit, por u bën thirrje korporatave private ta zhvillojnë atë. Ajo u arrit pas një vizite të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Baku më herët gjatë këtij viti dhe pas vazhdimit të bisedimeve mes palëve.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti Aoun: Libani pret përgjigjen e Hezbollahut përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi

Presidenti libanez Joseph Aoun ka deklaruar të enjten se Shtetet e Bashkuara do të informohen për qëndrimin libanez për armëpushimin menjëherë sapo të marrin përgjigje...
15:55 | 04/06/2026

Alarm në SHBA, paraziti mishngrënës gjendet te një viç në Teksas! Ishte zhdukur prej vitesh

Një parazit mishngrënës, i rrallë në SHBA në gjashtë dekada, është gjetur te një viç në Teksas, në një zhvillim alarmues për industrinë e bagëtive në...
15:48 | 04/06/2026

Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës

Banorët sulmuan këtë javë një ekip i cili merret me varrimin e viktimave që kanë humbur jetën nga infektimet me Ebola në provincën Kivu Jugore...
15:32 | 04/06/2026