Fuqitë evropiane aktivizojnë mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit

28 Gusht 2025 | 20:10

Britania, Franca dhe Gjermania kanë aktivizuar një mekanizëm për rivendosjen automatike të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, që parashihen në marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015. Tri fuqitë evropiane, të njohura edhe si E3, i kanë shkruar Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 28 gusht për nisjen e procesit, i cili merr 30 ditë kohë.

Përmes një njoftimi, ministrat e Jashtëm të E3-shit, thanë se “ne do të përdorim periudhën 30-ditore për të vazhduar angazhimin me Iranin sa i përket ofertës sonë për zgjatje apo çdo përpjekje të rëndësishme diplomatike në rikthimin e Tehranit në përmbushjen e zotimeve”.

Ata theksuan se “ndajmë objektivin themelor që Irani nuk duhet kurrë të kërkojë, zotërojë ose zhvillojë një armë bërthamore”. Ky hap e vë Iranin në rrezik që të përballet me sanksione, të cilat ishin hequr si pjesë e marrëveshjes bërthamore të arritur më 2015. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mirëpriti veprimin e grupit E3.

“Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme për angazhim të drejtpërdrejtë me Iranin – në shërbim të një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme për çështjen bërthamore të Iranit”, tha ai përmes një deklarate.

“Aktivizimi i këtij mekanizmi nuk bie ndesh me gatishmërinë tonë të sinqertë për diplomaci, përkundrazi e forcon atë”, shtoi ai.

“Ky vendim i tri vendeve evropiane do të minojë seriozisht procesin në vazhdim të ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore [IAEA]”, tha Ministria e Jashtme përmes një deklarate, duke e quajtur veprimin një “përshkallëzim provokues dhe të panevojshëm”.

Sapo të finalizohet procesi i aktivizimit të mekanizmit, marrëveshja bërthamore në mënyrë efektive do të zhbëhej.

Marrëveshja ishte dizajnuar që të pengonte Republikën Islamike që të zhvillojë një armë bërthamore diçka që Teherani ka këmbëngulur prej kohësh se nuk po kërkon që ta zhvillojë. Ajo përcakton rregulla strikte për monitorim të pavarur të aktiviteteve bërthamore të Iranit dhe vendos kufizime si mbi sasinë e uraniumit që mund të posedojë, ashtu edhe mbi nivelin e pasurimit të tij.

Irani nisi të shkelte marrëveshjen pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione. Që atëherë, Irani ka përshpejtuar gradualisht programin e tij bërthamor, duke pasuruar uraniumin deri në 60 për qind pastërti – shifër shumë më e lartë sesa kufiri prej 3.67 për qind i përcaktuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Në korrik, Irani pezulloi bashkëpunimin me IAEA-n si përgjigje ndaj bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit mbi objektet e tij kryesore bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz.

Një nga kushtet që E3 kishte vendosur për të shtyrë procesin ishte që Teherani të rifillonte bashkëpunimin e plotë me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së përpara fundit të gushtit./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026