Kreu i NATO-s, Rutte: Rusia vijon të jetë kërcënim
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhet sot në Luksemburg, ku ka zhvilluar takime me kryeministrin Luc Frieden dhe ministren e mbrojtjes, Yuriko Backe.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp ku si zakonisht u shpreh me tone të qarta Rutte vlerësoi presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në thyerjen e ngërçit për Ukrainën dhe për organizimin e bisedimeve në Uashington dy javë më parë.
Ai theksoi se për një paqe të qëndrueshme nevojitet një ushtri ukrainase më e fortë, por edhe “garanci sigurie nga miqtë dhe partnerët e Ukrainës SHBA, Europa dhe të tjerë të cilët po i përcaktojnë këto garanci tani; siç e dini, ne po ulemi bashkë në shumë formate, përfshirë këtë javë.”
“Po bëhet shumë punë që Ukraina, kur të hyjë në këto bisedime dypalëshe ose tripalëshe, të ketë mbështetje të pathyeshme – dhe në këtë mënyrë të sigurohet që Rusia do të respektojë çdo marrëveshje të arritur dhe të mos kërcënojë më kurrë territorin ukrainas pas saj.”
Megjithatë, Rutte pranoi se “lajmi i keq është se jemi ende në fazat e hershme të këtij procesi”, duke e lavdëruar sërish Trump për përparimin që ka bërë që prej marrjes së detyrës në janar.
Ai sqaroi se fokusi aktual është në “dy drejtime”: së pari, përpjekjet për të sjellë së bashku presidentin Zelensky dhe presidentin Putin në mënyrë që të “nisin diskutimet për përfundimin e luftës”; dhe së dyti, dakordësimi mes vendeve evropiane dhe SHBA për garanci sigurie afatgjata që do të pengojnë çdo sulm të ardhshëm nga Rusia ndaj Ukrainës.
Rutte gjithashtu komentoi mbi incidentin e dyshuar të ndërhyrjes ruse në sistemin GPS që preku një avion që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fundjavë në Bullgari.
Ai theksoi se NATO e merr këtë “shumë seriozisht” dhe se po “rrit përgjigjen e saj ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike”, duke përmendur disa incidente të ndodhura në Evropë.
“E kam urryer gjithmonë fjalën ‘hibride’, sepse tingëllon e butë – por kjo është pikërisht ajo, ndërhyrje në sinjalet e avionëve civilë, që mund të kenë pasoja katastrofike; tentativë për vrasje të një industrialisti të njohur në një vend aleat të NATO-s; sulm ndaj sistemit shëndetësor kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar. Këto nuk janë incidente të vogla apo të padëmshme. Janë ngjarje madhore me pasoja të mëdha.”
Ai theksoi se NATO “po punon ditë e natë për t’i ndalur, për t’i parandaluar dhe për të siguruar që ato të mos ndodhin më.”
Duke lëshuar një paralajmërim të qartë për Evropën, ai tha në lidhje me rritjen e buxheteve për mbrojtjen:
“Ne nuk e bëjmë këtë vetëm për ‘audiencën e vetme’ (Trump), por sepse kërcënimi nga Rusia po rritet çdo ditë. Mos të jemi naivë. Kjo mund të përfshijë një ditë edhe Luksemburgun, apo vendin tim, Holandën. Tani ndihemi të sigurt. Mendojmë se jemi larg Rusisë, por në fakt jemi shumë afër.”
Ai paralajmëroi se me teknologjinë më të fundit të raketave ruse, “dallimi mes Lituanisë – që është në vijën e parë të frontit dhe Luksemburgut, Hagës apo Madridit është vetëm 5 deri në 10 minuta. Kaq i duhet një rakete për të arritur këtu.”
“Pra, të gjithë jemi nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga Rusia. Të gjithë jemi tashmë në krahun lindor pavarësisht nëse jeton në Londër apo në Talin. Nuk ka më asnjë dallim.”
Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës
Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona
Mojtaba Khamenei shpall fitoren ndaj SHBA: Armiku u poshtërua në fushën e betejës
- 15:32 “Braçellari, emër shumë i njohur në Korçë”, Hoxha: Dhjetëra operacione për ta arrestuar
- 15:32 Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës
- 15:23 Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur
- 15:04 U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale
- 14:50 Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona
- 14:50 Mojtaba Khamenei shpall fitoren ndaj SHBA: Armiku u poshtërua në fushën e betejës