Debate e përplasje, ç’ndodhi gjatë takimit të Starmer me presidentin izraelit
Presidenti izraelit Isaac Herzog dhe kryeministri britanik Keir Starmer zhvilluan të mërkurën një takim të tensionuar në Doëning Street. Mediat britanike shkruajnë se takimi u shoqëruar me mospajtime të thella për situatën në Gaza, sulmet izraelite dhe planet britanike për njohjen e shtetit palestinez.
Takimi erdhi një ditë pas një sulmi ajror izraelit që synonte liderët e Hamasit në Katar, një aleat i afërt i Londrës. Starmer e dënoi këtë veprim si “plotësisht të papranueshëm” dhe si shkelje të sovranitetit të një partneri kyç, sipas një zëdhënësi të Downing Street.
Starmer i kërkoi me ngulm Herzogut të ndryshojë kursin në Gaza, duke shprehur “shqetësim të thellë” për krizën humanitare dhe duke kërkuar hyrjen e ndihmave dhe ndalimin e operacioneve ofensive. Starmer nënvizoi se Britania dhe Izraeli mbeten aleatë, por theksoi domosdoshmërinë e një paqeje të qëndrueshme për të dy popujt.
Herzog, nga ana e tij, pranoi se bisedimet ishin të vështira.
“U thanë gjëra të forta dhe të ashpra, por është e qartë që mund të debatojmë, sepse kur aleatët takohen, ata mund të debatojnë. Ne jemi të dy demokraci,” tha ai në një aktivitet të Chatham House pas takimit.
Ai shtoi se plani i Starmerit për njohjen e shtetit palestinez dhe qëndrimet për ndihmën humanitare ishin rrënja e mosmarrëveshjeve, ndërsa ftoi qeverinë britanike të dërgojë një “mision faktmbledhës” në Izrael.
Vizita u zhvillua në klimë të ashpër politike në Londër. Më shumë se 60 deputetë kishin kundërshtuar ardhjen e Herzogut, duke kujtuar deklaratat e tij se “të gjithë banorët e Gazës” mbajnë përgjegjësi për sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023. Në parlament, Starmer u kritikua nga disa kolegë të tij për qasje të butë ndaj Izraelit, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, paralajmëroi se veprimet izraelite po e shtyjnë vendin drejt statusit të një “shteti të përjashtuar”.
Ndërkohë, Britania ka paralajmëruar se do të njohë një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më vonë këtë muaj, nëse Izraeli nuk përmbush katër kushte: ndërprerjen e luftës në Gaza, lejimin e ndihmës humanitare, angazhimin ndaj procesit të paqes dhe garancitë për një shtet palestinez të qëndrueshëm.
Starmer priti gjithashtu të hënën presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, me të cilin ra dakord se “Hamas nuk do të ketë asnjë rol” në qeverisjen e ardhshme palestineze.
LEXONI GJITHASHTU:
Pacientët me sëmundje të rralla në Europë, pa mbështetje psikologjike
Forcat amerikane: Po monitorojmë Ngushticën e Hormuzit për t’u siguruar që ajo të mbetet e hapur
Irani paralajmëron anijet: Mos iu afroni Ngushticës së Hormuzit
- 21:59 Mila për Euronews Albania: Sot në PS folëm edhe për protestën. Nuk mendohet dorëheqja e as zgjedhjet
- 21:40 Pacientët me sëmundje të rralla në Europë, pa mbështetje psikologjike
- 21:35 Protestuesit nga diaspora do ta gdhijnë para Kryeministrisë, detajet çfarë pritet të ndodhë në protestë
- 21:12 E pranishme në protestë, deputetja Marjana Koçeku reagon për Euronews Albania
- 20:59 “Albania is not for sale”, mesazhet e afishuara nga protestuesit në muret e Kryeministrisë
- 20:56 Flamur i madh te Piramida në Tiranë, qytetarët ndjekin nga lart protestën (VIDEO)