Brenda anijes luftarake amerikane USS Mount Whitney, kapiteni flet mbi detyrat e saj

11 Shtator 2025 | 23:11

Anija komanduese e Flotës së Gjashtë të SHBA, USS Mount Whitney, ndodhet për herë të parë në portin e Porto Romanos në Durrës.

Kapiteni Colin J. Price ka folur ekskluzivisht për Euronews Albania, duke shpjeguar rolin strategjik të kësaj anijeje në operacionet e NATO-s, teknologjinë që ajo zotëron dhe rëndësinë e ndalesës në Shqipëri.

Në një tur të veçantë brenda anijes, gazetarja Erla Mëhilli ka ndjekur nga afër ambientet operative dhe komandën e kësaj anijeje që konsiderohet si “qendra dixhitale” e operacioneve detare të SHBA-së në rajon.

Intervista e plotë:

Erla Mëhilli: Zoti kapiten, ju faleminderit që na mirëpritët.

Kapiteni Price: Është kënaqësi të jem këtu.

Erla: Edhe për ne është kënaqësi që jemi këtu dhe që po bëjmë këtë tur të shkurtër brenda Marinës. Faleminderit. Dua t’ju them them diçka: është shumë mbresëlënëse të jesh këtu. Është gjigande, shumë e madhe. Sa është gjatësia e anijes?

Kapiteni Price: Kjo anije është pak më pak se 200 metra e gjatë.

Erla Mëhilli: 200 metra e gjatë. Dhe sa persona punojnë këtu? Sepse pashë shumë njerëz…

Kapiteni Price: Po. Dhe një nga aspektet unike të USS Mount Whitney është se jemi një anije hibride. Pra, kam mesatarisht rreth 300 pjesëtarë ekuipazhi, dhe rreth 180 prej tyre janë marinarë amerikanë me uniformë, ndërsa rreth 120 janë punonjës civilë të Komandës së Transportit Ushtarak Detar, të shërbimit civil, marinarë civilë. Dhe mund të mbajmë deri në 600 persona shtesë, kur kemi në bord staf për stërvitje apo ushtrime.

Erla Mëhilli: Dhe a ishte e vështirë të vinit këtu në Porto Romano, apo jo?

Kapiteni Price: Jo. Është hera e parë që ndodhemi në këtë port dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me ambasadën dhe autoritetet e portit për t’u siguruar që hartat detare ishin të sakta. Gjithashtu patëm mbështetjen e duhur teknike për ta futur anijen në këtë port të ri.

Erla Mëhilli: Dhe një pyetje e shpejtë. Sa gjatë mund të qëndrojë kjo anije në det, pa u kthyer në port?

Kapiteni Price: Në fakt, përgjigjja e saktë është: për një kohë të pacaktuar, falë kapaciteteve të mëdha logjistike të Marinës së Shteteve të Bashkuara. Por, më konkretisht, kemi karburant të mjaftueshëm për të qëndruar në det për më shumë se dy muaj, nëse do të donim.

Erla Mëhilli: Më shumë se dy muaj?

Kapiteni Price: Po, po.

Erla Mëhilli: Është një kohë e gjatë.

Kapiteni Price: Ashtu është.

Erla Mëhilli: Kapiten, ju keni shërbyer në shumë misione ndërkombëtare. Që nga janari i vitit 2025, keni komandën e USS Mount Whitney, një anije që luan një rol kyç në drejtimin dhe koordinimin e operacioneve detare. Duam të dimë më shumë rreth kësaj anijeje – rolit të saj, pranisë këtu në Shqipëri dhe rëndësisë strategjike që ka në gjithë rajonin.

Kapiteni Price: USS Mount Whitney është një anije komanduese dhe kontrolli. Ne jemi anija komanduese e Flotës së Gjashtë të Marinës së SHBA. Kjo flotë është përgjegjëse për gjithë rajonin e Mesdheut, deri në Antarktidë dhe deri në skajet e Afrikës së Jugut. Në krye të saj është një admiral me tre yje, i cili komandon të gjitha forcat detare në këtë rajon.

Roli tjetër i tij, si komandant i Flotës së Gjashtë, është gjithashtu edhe Komandant i Forcave Sulmuese Detare dhe Mbështetjes për NATO-n. Dhe ne jemi anija e komandës dhe kontrollit. Ndaj, nëse ai zgjedh, mund të ngjitet në bord me stafin e tij për të drejtuar dhe kontrolluar operacionet. Pra, në thelb, lëviz “gurët e shahut” në të gjithë zonën e operimeve që ai kontrollon – dhe ai mund ta bëjë këtë nga USS Mount Whitney, në ambientet e poshtme të anijes, ku ndodhen të gjitha sistemet tona të komunikimit dhe kompjuterike.

Erla Mëhilli: A mund të na shpjegoni më në detaje çfarë është USS Mount Whitney dhe çfarë roli ka për Marinën e SHBA-së?

Kapiteni Price: Siç e përmenda, është një anije komandimi dhe kontrolli.

Erla Mëhilli: Dhe cili është ndryshimi mes kësaj anijeje dhe një aeroplanmbajtëseje apo një shkatërruesi? Cili është ndryshimi?

Kapiteni Price: Kur themi një transportues aeroplanësh ose shkatërrues, funksioni i tyre kryesor është në aftësitë sulmuese, apo jo? Ata mund të shtrihen dhe të projektojnë fuqi, duke përdorur forcë armë dhe sisteme të tjera. Në USS Mount Whitney, ne shtrihemi dhe projektojmë fuqi, por me një përqafim. Dhe e bëjmë këtë përmes komunikimit dhe kontrollit. Domethënë, edhe pse kemi disa sisteme armësh në anije, ato janë të gjitha për vetëmbrojtje.

Erla Mëhilli: Vetëm për vetëmbrojtje?

Kapiteni Price: Vetëm për vetëmbrojtje. Aftësia jonë e vërtetë janë mijëra kompjuterë që kemi nën kuvertë, të cilët i mundësojnë shtabeve të sigurohen se e kuptojnë ku ndodhen të gjitha forcat dhe zonat e përgjegjësisë, kudo që të jenë, si dhe t’i japin admiralit qartësi mbi vendndodhjen aktuale dhe mbi nevojën e mundshme për t’i lëvizur ato në operacionin pasues.

Erla Mëhilli: Dhe a mundet kjo anije të udhëheqë operacione shumëkombëshe apo të koordinojë flotat aleate?

Kapiteni Price: Po. Sepse Admirali Anderson, si komandant i Flotës së Gjashtë, është gjithashtu përgjegjës për Forcat Sulmuese të NATO-s. Ndaj, ne mundemi dhe një nga aspektet që e bën USS Mount Whitney një anije të veçantë të komandës dhe kontrollit është se ne kemi dy ekipe të ndryshme që punojnë njëkohësisht. Pra, kemi stafin e Marinës së SHBA-së që operon, si dhe forcat e NATO-s, duke përdorur rrjetet e tyre të veçanta të komunikimit dhe të dhënave të klasifikuara. Dhe i bëjmë të dyja këto në të njëtjët kohë në këtë anije.

Erla Mëhilli: Të dyja njëkohësisht? Interesante. Dhe USS Mount Whitney quhet “zemra digjiitale” e operacioneve të Marinës së SHBA-së. Cilat teknologji të përparuara e bëjnë kaq të rëndësishme?

Kapiteni Price: Mund të imagjinoni çdo mënyrë të komunikimit përmes telefonit, videokonferencave, internetit apo satelitëve – ne kemi aftësinë t’i përdorim të gjitha këto nga kjo anije. Dhe kemi disa nivele për të mund të komunikuar me miqtë tanë, me çdo mënyrë komunikimi që ne kemi nevojë.

Erla Mëhilli: Dhe çfarë e solli këtë anije, USS Mount Whitney, këtu në Porto Romano? Është një vizitë rutinë apo një mision i veçantë?

Kapiteni Price: Është një vizitë rutinë. Ne jemi këtu për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve tona me partnerin tonë në NATO, këtu në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk ka shfaqje më të mirë të bashkëpunimit dhe besimit, sesa sjellja e anijes komanduese të Flotës së Gjashtë në këtë port të ri. Është një mundësi e shkëlqyer për ne që të shohim si duket ky port dhe çfarë kapacitetesh ka për të pritur një anije si kjo. Dhe më tej, ndoshta të lejojë që edhe anije të tjera të vijnë këtu në të ardhmen.

Erla Mëhilli: Dhe sa ditë do të qëndroni këtu?

Kapiteni Price: Do të qëndrojmë vetëm për nja dy ditë, përpara se të vazhdojmë misionin tonë të radhës.

Erla Mëhilli: Dhe si bashkëpunon kjo anije dhe ju të gjithë me autoritetet shqiptare [gjatë qëndrimit tuaj këtu]?

Kapiteni Price: Një shembull i shkëlqyer është fakti që ky është një port i ri. Dhe kur ne fillimisht u përpoqëm të hynim këtu, hartat detare që na duheshin për të kuptuar nëse mund të lundronim në mënyrë të sigurt, nuk ishin të disponueshme. Kështu që pati një bashkëpunim të shkëlqyer mes ambasadës dhe Shqipërisë, për t’u siguruar që ato harta të përditësoheshin dhe të mund t’i përdornim në sistemin tonë, në mënyrë që të lundronim në mënyrë të sigurt dhe të kuptonim aftësinë e portit për të na pritur. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë në javët para ardhjes sonë.

Erla Mëhilli: Dhe a merr pjesë kjo anije në stërvitje të përbashkëta, operacione humanitare apo misione të tjera gjatë kësaj vizite?

Kapiteni Price: Gjatë kësaj vizite po zhvillojmë një aktivitet të marrëdhënieve me komunitetin. Sot do të organizojmë atë që e quajmë “Big Top Event”, një angazhim me drejtues kryesorë, ku do të kemi të ftuar dhe personel në anije, për të shijuar një tur në kuvertën e sipërme të saj dhe për të provuar ushqimin e mirë të përgatitur nga Marina Amerikane.

Erla Mëhilli: Pashë ambientet e ngrënies brenda.

Kapiteni Price: Po, përgatisim ushqim të mirë. Dhe kjo na jep mundësinë të vazhdojmë këto bashkëpunime, u jep marinarëve tanë mundësinë të takojnë njerëz nga vende të tjera dhe të kuptojnë se jemi pjesë e diçkaje më të madhe, një qëllim të përbashkët që e shërbejmë këtu me NATO-n.

Erla Mëhilli: Cili është qëllimi strategjik i pranisë së SHBA në Adriatik dhe në Ballkan?

Kapiteni Price: Pra, Mesdheu, Adriatiku, të gjitha këto janë zona detare kryesore komunikimi, me shumë trafik detar tregtar. Ne duam të sigurohemi që liria e lundrimit, si dhe transporti tregtar, të mbeten të hapura për botën.

Erla Mëhilli: Dhe vetëm një pyetje tjetër. Cili është mesazhi, ose çfarë mesazhi përcjell SHBA për aleatët dhe rajonin, përmes pranisë së kësaj anijeje këtu në Shqipëri, këto ditë?

Kapiteni Price: Duke u rikthyer, mendoj se kjo është një shembull i shkëlqyer i besimit dhe bashkëpunimit: fakti që sollëm anijen tonë komandë këtu tregon se sa shumë i besojmë Shqipërisë për t’u kujdesur për anijen tonë, ashtu siç edhe ata na besojnë neve për ta sjellë atë këtu. Kjo është një mënyrë për të vazhduar të riafirmojmë atë gjuhë të përbashkët që flasim nga detet, pasi Shqipëria është një vend me dalje në det, dhe ne sigurohemi që flasim të njëjtën gjuhë.

Erla Mëhilli: Shpresoj që po. A mund të bëjmë një tur të shkurtër brenda, në bord, për të parë kuvertën kryesore…?

Kapiteni Price: Po, po.

Erla Mëhilli: Pra, Kapiten, kjo është kuverta kryesore?

Kapiteni Price: Kjo është ura e komandimit. Këtu është vendi ku ekipi ynë i navigimit kontrollon anijen. Siç përmenda më herët, ne jemi një anije hibride. Pra, kemi Komandën Ushtarake të Transportit Detar dhe marinarë civilë në shërbim publik. Ata janë marinarë civilë me licencë tregtare. Janë ata që e navigojnë dhe e drejtojnë këtë anije. Kur jemi në lundrim, zakonisht këtu ndodhen rreth tre persona.

Erla Mëhilli: Tre persona?

Kapiteni Price: Po. Njëri është në vëzhgim dhe mbikëqyr gjithçka.

Erla Mëhilli: Po, mund të shkojmë atje.

Kapiteni Price: Po, mund të afrohemi. Kështu, timonieri këtu kontrollon timonin dhe shpejtësinë e anijes. Ky rrotë e vogël kontrollon këtë anije gjigande 200 metra, përmes një timoni të vetëm. Dhe kemi edhe një vrojtues, që kontrollon përreth.

Erla Mëhilli: Dhe këtu shoh hartën e gjithë botës.

Kapiteni Price: Po, këtu kemi ekranet e radarit, hartat dhe diagramet tona për të qenë të sigurt se e dimë ku po shkojmë, që jemi në ujëra të sigurta. Dhe nëse ka ndonjë tjetër mjet lundrues përreth, të sigurohemi që i shmangemi në mënyrë të sigurt.

Erla Mëhilli: Pra, ju e komandoni anijen nga këtu, apo qëndroni…?

Kapiteni Price: Unë kam fatin të ulem në atë karrigen atje.

Erla Mëhilli: Mund të shkojmë atje?

Kapiteni Price: Po, po.

Erla Mëhilli: Ndoshta mund të ulem?

Kapiteni Price: Po, ju lutem, uluni.

Erla Mëhilli: Pra, kjo është karrigia e Komandantit të USS Mount Whitney. Ju qëndroni këtu?

Kapiteni Price: Zakonisht po, qëndroj këtu. Kam gjithashtu një karrige edhe në krahët anësorë, varet nga operacioni.

Erla Mëhilli: Ju qëndroni gjithmonë këtu?

Kapiteni Price: Jo, jo gjithmonë. Vetëm kur më duhet të largohem pak nga zyra apo kompjuteri, ose kur jemi në situata me rrezik më të lartë. Për shembull, dje kur hymë në Porto Romano, si kapiten unë jam përgjegjës për sigurinë e ekuipazhit. Kështu që dua të jem këtu lart për të mbikëqyrur çdo detaj, edhe më të voglin.

Shumicën e kohës, qëndroj ulur këtu dhe nuk kam nevojë të them asnjë fjalë, sepse ekipi im bën një punë fantastike, por jam gjithmonë i pranishëm, në rast se lind ndonjë pyetje apo problem.

Erla Mëhilli: Shumë bukur.

Kapiteni Price: Kjo është zyra me pamjen më të mirë në botë. Kam dritaren më të mirë që mund të imagjinosh!

Erla Mëhilli: Kapiten, ju faleminderit shumë që na mirëpritët në bord dhe për të gjitha shpjegimet.

Kapiteni Price: Patjeter!

Erla Mëhilli: Faleminderit, ishte kënaqësi.

Kapiteni Price: Po, kjo ishte e mrekullueshme.  Faleminderit!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Më shkroi drejtoresha e CNN para se të hyja në studio”, Auron Tare zbulon mesazhin

I ftuar këtë të enjte në Now me Erla Mëhillin, studiuesi Auron Tare u shpreh se para se të vinte në emision kishte marrë një...
22:21 | 04/06/2026

Shoqëroi i pari Ivankën dhe Kushner në Shqipëri, Auron Tare: Nuk e dinin ku i binte Sazani dhe Zvërneci

I ftuar këtë të enjte në Now me Erla Mëhillin, studiuesi Auron Tare u shpreh se Ivanka Trump dhe Jared Kushner nuk e kanë ditur...
22:05 | 04/06/2026

Protesta për Zvërnecin, Zekthi: Ja pse njerëzit po reagojnë kështu

Po mbahet edhe këtë të enjte, në ditën e pestë, protesta e qytetarëve kundër projektit të Zvërnecit. I ftuar këtë të enjte në Now me...
21:40 | 04/06/2026