Çfarë do të thotë për Kosovën pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në?

15 Shtator 2025 | 19:41

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën po shihet si shqetësues për vendin. Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës po e akuzojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po cenon dhe rrezikon seriozisht aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tyre, që nga ardhja në pushtet e Kurtit ka pasur përshkallëzim të raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së. Në anën tjetër, edhe profesorë të marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se vendimi i ShBA-së është negativ për vendin, si dhe kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të ndryshojë qasjen në mënyrë që dialogu strategjik me ShBA-të të rikthehet, shkruan KosovaPress.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë njoftoi të premten se kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak, siç thuhet, të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Reagimi i ShBA-së vjen në kohën kur Kurti ka adresuar një varg kritikash ndaj Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe qeveria në detyrë ka mbyllur disa struktura paralele serbe në Kosovë, për çka të shtunën ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar i heshtur prej të premtes kur është marrë vendimi i ShBA-së, mirëpo, zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, ka thënë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon, derisa ka theksuar se të gjitha veprimet e qeverisë në detyrë janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Kurse, sot Ambasada e SHBA-së në Kosovë u ka thënë mediave se dëshiron që të ecë para me qeverinë në detyrë, por ka shtuar se ka nevojë për partner të përkushtuar dhe që e kupton nevojën për evitimin e veprimeve destabilizuese.

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress, se të premten, kur është bërë publik njoftimi i ShBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, ka qenë dita më e errët në historinë e re politike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Sipas saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e rrënon aleancën me ShBA-në, të cilën, siç thotë ajo, Hashim Thaçi dhe lidershipi i viteve 1999, kanë arritur të krijojnë përmes urave të bashkëpunimit me ShBA-në në kohë lufte dhe rrethana lufte.

“Ka qenë dita më e errët në historinë e re politike të Kosovës. Në fakt, ndoshta dita më e errët që nga shpallja e pavarësisë. Çdo gjë që kemi arritur në këto njëzet e gjashtë vite  çlirimi, pavarësia, shtetndërtimi, konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës  ka qenë produkt i një koordinimi të ngushtë mes Kosovës dhe aleatëve të saj…Imagjinojeni: Hashim Thaçi dhe lidershipi i asaj kohe kanë arritur të krijojnë ura bashkëpunimi dhe aleanca me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në, në rrethana okupimi, në kohë lufte. Ndërkohë, Albin Kurti  nga komoditeti që i ofron zyra e kryeministrit  po i cenon dhe po i rrezikon seriozisht ato….Që nga ardhja në pushtet e kësaj kaste qeverisëse, ne kemi parë në vazhdimësi përshkallëzim të raporteve me SHBA-të. Janë bërë më shumë se pesë vite që kur këmba e asnjë zyrtari të lartë shtetëror të Kosovës nuk ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë, në Zyrën Ovale. Kjo është diçka që nuk na ka ndodhur asnjëherë më parë”, thotë ajo.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë për KosovaPress,, se vendimi i ShBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën është një sinjal i fuqishëm për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se i njëjti duhet të ndryshojë qasjen në raport me aleatët.

Ai tregon në detaje se çka do të thotë për ShBA-në dialogu strategjik dhe cilat tema i prek i njëjti.

Megjithatë, Hoti tregon se pezullimi i dialogut strategjik nuk nënkupton në mënyrë të menjëhershme shkëputje të raporteve dhe marrëdhënieve bilaterale.

“E para, nëse ofrohet platforma për dialog strategjik, kjo nënkupton që shteti në fjalë ka raporte të ngushta ose vazhdon të kultivojë raporte të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe në bërthamën e këtyre raporteve janë ato që ne i quajmë vlera të përgjithshme civilizuese: të drejtat e njeriut, respektimi i minoriteteve, promovimi i demokracisë, respektimi i të gjitha normave bazike mbi të cilat mbështetet demokracia sot. Një platformë e tillë, normalisht, nuk u ofrohet shteteve që kanë regjime kryesisht totalitare, që nuk njohin sundimin e ligjit, që shkelin të drejtat e njeriut, e të ngjashme. Veprimi i qeverisë amerikane, pra pezullimi i saj, për fatin tonë të mirë nuk nënkupton në mënyrë të menjëhershme shkëputje të këtyre raporteve, sepse dihet mirëfilli që Kosova pavarësisht se kush është sot dhe kush do të jetë nesër në pushtet, ka kultivuar dhe kultivon raporte të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse për momentin këto raporte janë pezulluar, ky është një sinjal i fuqishëm, një alarm i qartë për autoritetet vendore në rastin konkret, për kryeministrin në detyrë, z. Kurti që diskursi i tij politik duhet, në mënyrë të menjëhershme, të ndryshojë, sepse, siç duket, tashmë kemi devijime të caktuara, për të cilat duhet të ndërmerren veprime, duhet të përmirësohen, dhe ky dialog jo vetëm që duhet të vazhdojë, por duhet edhe më tej të thellohet”, thotë ai.

KosovaPress ka kontaktuar të hënën me zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Pas vendimit të ShBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka shprehur keqardhje për një gjë të tillë.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026