Paul Williams dëshmon në Hagë: Komandantët lokalë kishin ndikim të dukshëm te Thaçi
Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, e nisi dëshminë e tij për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se mbi Thaçin kishin ndikim komandantë lokalë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.
Williams, ish-këshilltar ligjor pro bono i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujesë gjatë periudhës shkurt–mars të vitit 1999, është dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, pas ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin.
Sipas deklaratës fillestare me shkrim të Williams, e cila u lexua në fillim, ai po dëshmon për procesin vendimmarrës të delegacionit kosovar, objektivat e tij dhe diskutimet mbi demilitarizimin/transformimin e UÇK-së; vëzhgimet e tij e çuan në përfundimin se “Hashim Thaçi nuk kishte autoritet të nënshkruante marrëveshjen pa miratimin e komandantëve rajonalë”.
Duke folur për strukturën e UÇK-së, Williams e përshkroi atë si ad hoc dhe të decentralizuar, me ndikim të madh të komandantëve vendorë dhe “peshë ideologjike” të veprimtarin politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi.
Ai dëshmoi se Thaçi shpesh merrte telefonata të shpeshta nga jashtë dhe se ndikohej dukshëm nga komandantët lokalë dhe diaspora, përfshirë kontakte në fshatin Rambuje jashtë kompleksit.
“Ai do t’i përgjigjej telefonatave të tyre, do të bisedonin për një periudhë kohe dhe do të kishte reagime nga ai në këtë proces, nga të cilat unë nxora përfundimin se ai ishte i përgjegjshëm dhe nënshtrues”, tha Williams gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit.
Williams tha se sipas asaj që i ishte thënë, Thaçi udhëtoi edhe në Slloveni për t’u takuar me Adem Demaçin, për të siguruar përkrahjen e tij, por ai nuk raportoi sjellje kërcënuese në mbledhjet ku ishte i pranishëm.
“Ndërsa delegacioni kosovar në Rambuje po bënte përparim të ngadalshëm drejt një marrëveshjeje, kishte presione të jashtme, siç i diskutuam më herët, nga komandantët lokalë. Por kishte edhe presion ideologjik dhe, do të thosha, kulturor nga Adem Demaçi, i cili po krijonte pengesa për ecurinë e negociatave dhe ndoshta, nëse jo me siguri, po minonte lëvizjen drejt një marrëveshjeje. Prandaj duhej të merrej parasysh dhe të adresohej”, tha ai.
Ai shtoi se, për Demaçin, çështja kryesore ishte “pavarësia” e Kosovës.
Ndërkohë, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij treditore, tha se Hashim Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.
Sipas tij, ai duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.
Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.
LEXONI GJITHASHTU:
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
- 12:05 Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja
- 11:55 Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë
- 11:49 Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
- 11:38 Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
- 11:36 Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet
- 11:30 Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit