Gaza në agon/ Mijëra të plagosur pa barna, dhimbjet e luftës pa qetësues

29 Shtator 2025 | 11:40

Në një nga repartet e shkatërruara të Spitalit Naser në Gaza, 12-vjeçari Mahmoud lëngon në shtrat me një plagë të rëndë në këmbën e majtë. Plumbi ka thyer gjurin dhe infeksioni ka përkeqësuar gjendjen e tij. Përballë dhimbjeve të padurueshme, mjekët nuk kanë asnjë analgjezik për t’ia lehtësuar. I vetmi lehtësim që mund të ofrohet është një qetësues nervor, që e mpin përkohësisht, por sapo efekti kalon, dhimbja rikthehet me intensitet të madh.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që nga 7 tetori 2023, mbi 167 mijë palestinezë janë plagosur, shumica nga shpërthimet, djegiet, thyerjet ose humbja e gjymtyrëve. Spitalet janë përtej kapacitetit dhe mungesa dramatike e barnave dhe pajisjeve mjekësore i ka paralizuar përpjekjet për t’u ofruar ndihmë viktimave.

Një raport i realizuar nga The Bureau of Investigative Journalism (TBIJ) zbulon se më shumë se gjysma e misioneve humanitare të OBSH-së në Gaza, përfshirë furnizimet me barna, karburant, staf mjekësor dhe evakuimin e pacientëve, janë refuzuar, vonuar apo anuluar që nga janari 2024.

Tetë mjekë të intervistuar nga TBIJ flasin për mungesë ekstreme të medikamenteve themelore për lehtësimin e dhimbjes, përfshirë opioidët, anestezikët, dhe deri edhe paracetamolin.

“Më shumë se gjysma e plagëve janë amputime ose fraktura të hapura”, thotë mjeku ortoped Abdelkareem Alsalqawi.
“Këto janë plagë me dhimbje të forta që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm. Por tani, u themi pacientëve: vetëm një injeksion në ditë, përdoreni natën që të mund të flini.”

Në korrik, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se do të lejohej “furnizim minimal humanitar” në Gaza. Por mjekët dhe agjencitë humanitare e përshkruajnë një kolaps total të sistemit të furnizimit mjekësor.

“Qartë që nga marsi kemi kaluar muaj pa lejuar pothuajse asgjë të hyjë,” deklaron Dr. Randa Abu Rabe nga OBSH.
“Nuk mungojnë vetëm ilaçet, por edhe instrumentet dhe pajisjet bazë.”

Izraeli, nga ana e tij, përmes Koordinatorit për Aktivitetet Qeveritare në Territoret (COGAT), pretendon se furnizimet lejohen me kusht koordinimi paraprak, duke theksuar se vetëm në javët e fundit janë transferuar mbi 3,500 ton pajisje mjekësore.

Por organizatat në terren thonë se kjo është larg së vërtetës. Dërgesat vonohen për javë të tëra në kufi, ndërsa shumë kërkesa mbeten të injoruara. Lista e sendeve të ndaluara nuk është publike dhe ndryshon në mënyrë të paparashikueshme.

Tania Hary, drejtoreshë e qendrës ligjore Gisha, nënvizon se edhe kur ndihma arrin në Gaza, mungesa e rendit publik dhe plaçkitjet e vazhdueshme e bëjnë shpërndarjen gati të pamundur.

“Është një krizë e shumëfishtë. Kufizimet kufitare janë vetëm një pjesë e problemit. Ato ndërthuren me mënyrën se si Izraeli po zhvillon luftën dhe politikën ndaj aksesit në ndihmat humanitare”, thotë ajo.

Një mjek amerikan në Gaza, Travis Melin, e përshkruan situatën si të pakuptueshme nga këndvështrimi mjekësor:

“Opioidët nuk të shpëtojnë jetën, ata thjesht e bëjnë dhimbjen të durueshme. Kufizimi i tyre është çnjerëzor. Është si të refuzosh të ndihmosh dikë që po digjet.”

Ndërsa konflikti vazhdon dhe qasja në ndihma mbetet e kufizuar, mijëra pacientë si Mahmoud mbeten të bllokuar në një sistem shëndetësor të rrënuar, ku mjekësia është reduktuar në improvizim dhe durimi ndaj dhimbjes është kthyer në normë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfundon me një të vdekur pengmarrja në një bankë në Gjermani, arrestohet autori

Situata e pengjeve në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman, pas një operacioni të gjerë në perëndim...
18:26 | 23/07/2026

Trump: SHBA do ta mbajë Iranin përgjegjës nëse Huthitë sulmojnë anijet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni do ta mbajë Iranin përgjegjës nëse rebelët Huthi të Jemenit vazhdojnë sulmet ndaj anijeve tregtare. Në një...
17:55 | 23/07/2026

Nafta kalon 100 dollarë për fuçi, tensionet në Lindjen e Mesme tronditin tregjet

Çmimet e naftës së papërpunuar arritën në 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga muaji maj, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen...
17:36 | 23/07/2026