BE-ja planifikon “murin me dronë” për të mbrojtur kufirin lindor të NATO-s

2 Tetor 2025 | 08:11

Për të mbrojtur krahun lindor të NATO-s nga rreziku i dronëve rusë, Bashkimi Evropian po planifikon të ndërtojë një sistem të avancuar mbrojtës, të quajtur “muri me dronë”.

Ky nuk është një mur fizik, por një rrjet i ndërlidhur teknologjikisht, i përbërë nga sensorë, dronë zbulues dhe mjete interceptuese që do të shtrihen përgjatë mijëra kilometrave në kufirin lindor të aleancës.

“Muri i dronëve nuk është një mur, por një sistem sistemesh,” shpjegon Sven Kruck, bashkëdrejtor ekzekutiv i Quantum Systems, një nga kompanitë kryesore europiane në prodhimin e dronëve.

Ky sistem synon të jetë përgjigjja ndaj ndërhyrjeve të vazhdueshme nga dronët rusë, disa prej të cilëve kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë.

Deri më tani, reagimi i NATO-s është kritikuar si joefektiv, duke përdorur avionë luftarakë dhe raketa të kushtueshme për të rrëzuar pajisje që shpesh janë shumë më të lira.

Ekspertët paralajmërojnë se sulme të koordinuara me qindra dronë mund të mbingarkojnë mbrojtjen aktuale ajrore të aleancës.

Quantum Systems, e cila operon edhe në Ukrainë me mbi 200 punonjës, ka përvojë të drejtpërdrejtë në fushën e luftës.

Kompania zhvillon brenda vetes si harduerin, ashtu edhe softuerin e dronëve të saj. Përveç modeleve zbulues, ajo ka prodhuar edhe dronë interceptues, si modeli Hunter, i cili mund të përdoret si pjesë e murit mbrojtës.

Sipas Paul Strobel, drejtues i Çështjeve Publike në kompani, avantazhi i madh i këtij sistemi është kostoja e ulët në krahasim me përdorimin e avionëve me pilot.

“Sigurohemi që droni interceptues të jetë më i lirë se objektivi që rrëzon,” thotë ai, duke theksuar se dronët janë kryesisht të prodhuar me teknologji 3D, çka i bën ekonomikisht të qëndrueshëm.

Dronët do të funksionojnë si bateri portative mbrojtjeje ajrore, të lidhura me rrjetin elektrik dhe sistemet e softuerit. Në rast shkeljeje të hapësirës ajrore, kapaku hapet automatikisht dhe droni niset për të ndjekur objektivin.

Në varësi të ngarkesës, droni mund të asgjësojë objektivin me shpërthim ose përplasje direkte, falë shpejtësisë që mund të arrijë deri në 500 km/h.

Megjithatë, procesi nuk është ende plotësisht i automatizuar. Vendimi për të vepruar kundër një objektivi duhet të miratohet nga një operator njerëzor, për të shmangur gabimet ndaj objekteve civile apo dronëve të përdorur për hobi. K

y aspekt përbën sfidë në nivel rregullator, veçanërisht në zona të ndjeshme si aeroportet.

Strobel thekson se, nga ana teknike, një sistem i tillë është i realizueshëm. “Dronët zbulues mund të raportojnë dhe madje të identifikojnë nëse një dron është luftarak, në mënyrë që vendimi të mos merret në sekondat e fundit.”

Ai përmend gjithashtu se përfundimi i këtij projekti pengohet nga procedura burokratike dhe mungesa e kornizës së qartë ligjore në disa vende.

Projekti i murit me dronë përfaqëson një hap drejt një epoke të re të mbrojtjes ajrore, ku teknologjia e avancuar dhe automatizimi synojnë të zëvendësojnë metodat e vjetra dhe të kushtueshme të reagimit ndaj kërcënimeve ajrore.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026