Në vijim të operacionit policor të koduar “Processing” për goditjen e trafikut të narkotikëve, Policia e Shtetit ka arrestuar 3 persona, mes tyre dy vëllezër, të cilët dyshohen për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike cannabis sativa.
Gjatë fazës së dytë të operacionit, në fshatin Shëngjergj, Mirditë, janë sekuestruar rreth 40 kilogramë lëndë narkotike në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 telefona celularë që dyshohet se përdorej për aktivitetin kriminal.
Të arrestuarit janë shtetasit A. R., 33 vjeç, M. Z., 34 vjeç dhe E. Z., 38 vjeç, banues në Mirditë, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me dy persona të arrestuar një javë më parë në fazën e parë të operacionit.
Operacioni “Processing” vijon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.