Dumani: Masën e sigurisë ndaj Berishës mund ta heqë vetëm gjykata
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, raportoi të hënën në Kuvend mbi punën e institucionit që ai drejton gjatë vitit 2024, duke paraqitur të dhëna të detajuara mbi hetimet, masat e sigurimit dhe vendimet penale të ekzekutuara.
Në përgjigjie të pyetjes së njërit nga deputetët e PD-së lidhur me dosjen e aferës “Partizani ku Sali Berishën vijon masën “detyrim paraqitje”, Dumani tha është ndërtuar me hetime serioze dhe prova të qenësishme, dhe se këtë e vërteton fakti se çështja është pranuar nga GJKKO për t’u gjykuar.
“Ka kaluar edhe fazën e shqyrtimit të seancës paraprake. Gjyqtari i seancës paraprake ka verifikuar edhe akuzat dhe provat e grumbulluara nga SPAK dhe ka vendosur që çështjen ta çojë në gjykim në GJKKO. Gjithë këto pyetje dhe pretendime që ngre zoti Shtazimi i përkasin seancave gjyqësore që po zhvillohen në GJKKO”,- tha Dumani.
Se përse Berishës nuk i hiqet masa e sigurisë detyrim paraqitje, Dumani tha se një vendim i tillë merret vetëm nga GJKKO.
“Kjo masë sigurimi është caktuar me vendim gjykate dhe është gjykata që vendos shuarjen e masës së sigurimit”,- tha Dumani.
Dumani: Skemë masive falsifikimi tokash në Durrës, sekuestruam 600 mijë m²
Dumani tha se është një rast alarmant në Durrës që është në fazën e hetimit, ku janë sekuestruar rreth 600 mijë metra katrorë tokë, të përvetësuara me anë të falsifikimit të dokumenteve.
“Kemi një rast të falsifikimit masiv të mijëra metrave katrorë tokë në një zonë shumë të preferuar të Durrësit, dhe vetëm në këtë procedim penal SPAK ka arritur të sekuestrojë rreth 600 mijë metra katrorë tokë, të përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Dumani: Nuk kemi evidentuar asnjë politikan si pjesëtar të bandave kriminale
Kreu i SPAK, Altin Dumani, u pyet nga deputeti Agron Shehaj se a ka politikanë të përfshirë në grupe kriminale.
Dumani u shpreh se politikanë që të jenë pjesë e një bande kriminale nuk janë evidentuar, por ka pasur një rast kur një ish-deputet është në gjykim për bashkëpunim me pjesëtarë të grupeve kriminale.
“Pse s’e hetoni Ramën?”, Dumani-deputetit të PD: Për SPAK nuk ka të paprekshëm
Deputeti Boçi kërkoi të dinte pse, sipas tij, SPAK e ka “shpallur të paprekshëm kryeministrin”, ndërsa “ka ndjekur penalisht liderin e opozitës”.
Në përgjigje të kësaj pyetje, Dumani theksoi se për SPAK “nuk ka të paprekshëm”.
“Për SPAK nuk ka të paprekshëm. Në çdo procedim hetohet për faktin penal dhe më tej për autorët e veprës penale. Në të gjitha rastet, prokurorët kryejnë hetimet. Për ne nuk kanë rëndësi emrat, por vetëm provat,” tha Dumani.
Dumani: Hetimet për inceneratorin e Tiranës nuk kanë përfunduar
Pas prezantimit të raportit, ai iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës.
Deputetja Jorida Tabaku e pyeti kreun e SPAK lidhur me hetimet për inceneratorët, posaçërisht atij të Tiranës dhe nëse ish-kryebashkiaku Erion Veliaj është marrë i pandehur lidhur me këtë dosje.
Dumani u përgjigj se hetimet paraprake lidhur me inceneratorin e Tiranës nuk kanë përfunduar, duke mos dhënë më tepër shpjegime.
Dumani: SPAK nën presionin e politikës dhe krimit, 65 mln € pasuri të sekuestruara
Dumani theksoi se SPAK vijon të jetë nën presion nga krimi e politika, duke rrezikuar integritetin institucional dhe të prokurorëve.
Kreu i SPAK tha se krahasuar me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023).
Kreu i SPAK kërkon rishikimin e mandatit: Nëse lidhet me emrin tim, nuk rikandidoj
Altin Dumani u pyet lidhur më rrugëtimin rrugëtimit e tij si prokuror dhe nëse ka gjasa që të ketë një dorëheqje nga ky post.
Dumani u shpreh qartë se: “Nuk dorëzohem, iu bëj ballë sfidave. Do vazhdoj të jem prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe pas mbarimit të mandatit. Sqaroj sepse i kam kërkuar parlamentit të shqyrtojë mundësinë e rishikimit të mandatit të prokurorëve të posaçëm.
Dumani: Korrupsioni mbetet krim me rrezikshmëri, 10 funksionarë të lartë të dënuar
Më tej, Dumani tha se në vitin 2024 është rritur numri i çështjeve hetimore ndaj funksionarëve publikë, nga të cilët 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Kemi krijuar 10 skuadra të larta hetimore në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Dumani raporton në Kuvend: 9.5% e të burgosurve në vend janë nga hetimet e SPAK
Në fjalën e tij, Dumani theksoi se numri i të burgosurve nga hetimet e SPAK përbën 9.5% të totalit të të dënuarve në vend. Dumani nënvizoi se sipas të dhënave të paraqitura, masa e sigurimit “arrest me burg” është aplikuar ndaj 236 personave, prej të cilëve 195 janë hetuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
Dumani gjithashtu shtoi se një pjesë e konsiderueshme e personave nën hetim, janë hetuar pa asnjë masë sigurimi.
LEXONI GJITHASHTU:
LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut