Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse në Liban

8 Nëntor 2025 | 16:01

Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë tre persona dhe kanë plagosur disa të tjerë më 8 nëntor, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Ndërkaq, Izraeli njoftoi se një nga sulmet goditi trafikantë të armëve nga një grup i lidhur me Hezbollahun.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se dy vëllezër nga qyteza Sheba u goditën nga sulmet teksa po udhëtonin në një rrugë rrëzë malit Hermon në juglindje të Libanit, “duke bërë që makina e tyre të përfshihej nga flakët, gjë që rezultoi me vdekjen e tyre”.

Ushtria izraelite konfirmoi se ka kryer sulme afër Shebës dhe tha se ka vrarë dy trafikantë nga Brigada për Rezistencë Libaneze, një grup i lidhur me Hezbollahun.

“Terroristët ishin të përfshirë në trafikimin e armëve që përdoren nga Hezbollahu dhe aktivitetet e tyre përbënin shkelje flagrante të mirëkuptimit mes Izraelit dhe Libanit”, tha ushtria izraelite duke iu referuar armëpushimit që i dha fund mbi një vit armiqësi mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.

“Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë në mënyrë që të eliminojë çdo rrezik që i kanoset shtetit të Izraelit”, paralajmëroi ushtria.

Ministria libaneze e Shëndetësisë konfirmoi numrin e viktimave në Sheba dhe më vonë raportoi se gjatë një sulmi tjetër ajror ndaj një makine në fshatin Barashit në jug të Libanit u vra edhe një person dhe u plagosën katër të tjerë.

Një sulm i ngjashëm ajror izraelit goditi mëngjesin e së shtunës edhe një makinë tjetër pranë një spitali në Bint Jbeil, duke plagosur shtatë persona, tha Ministria e Shëndetësisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

ISHP: Kujdes nga vapa, ja problematika shëndetësore që shkakton

Shqipëria gjendet në periferi të valës së të nxehtit që ka goditur Europën, por sërish temperaturat maksimale dhe minimale janë të larta për muajin në...
18:02 | 24/06/2026

Rrebeshe të forta shiu përfshijnë Elbasanin, vështirësi në qarkullimin rrugor

Rrebeshe të forta shiu kanë përfshirë pasditen e së mërkurës qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor. Reshjet,...
16:47 | 24/06/2026

Rrufeja godet tufën e bagëtive në Librazhd, ngordhin 14 dhi

Një tufë dhish është goditur nga rrufeja në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër të Librazhdit, në vendin e njohur si “Arrës”. Si pasojë e...
16:42 | 24/06/2026