Memli Krasniqi tregon arsyet e dorëheqjes nga kryetari i PDK-së

12 Nëntor 2025 | 15:53

Memli Krasniqi dha dorëheqjen nga drejtimi i PDK 4 vjet pasi u zgjodh në krye të partisë së Hashim Thaçit.

Në fjalimin e tij, Krasniqi falënderoi qytetarët e Kosovës, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës për përkrahjen dhe besimin e dhënë gjatë më shumë se dy dekadave të angazhimit politik.

“Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet – por shumëherë e di në çfarë do të besojë. Dhe unë, që nga rinia, e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia”, – tha ai.

Krasniqi theksoi se udhëtimi i tij politik ka qenë i lidhur ngushtë me PDK-në, që nga viti 2004 kur iu bashkua si aktivist i ri, deri në postin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime. Mbi njëzet vjet angazhim me PDK-në më kanë dhënë nderin të punoj për shtetin tim dhe qytetarët e mi – nga Kryetar i Rinisë Demokratike deri te Kryetar i Partisë Demokratike. Mbi të gjitha, kam pasur nderin e pakrahasueshëm të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.”

Duke reflektuar për periudhën katërvjeçare të udhëheqjes së tij, Krasniqi vlerësoi se PDK është forcuar dhe rritur ndjeshëm në skenën politike, megjithatë theksoi se çdo organizatë e madhe politike ka nevojë për ripërtëritje.

“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.”

Ai theksoi se ky vendim nuk lidhet me ndonjë zhvillim të fundit politik, por me nevojën për t’i dhënë partisë “një frymë të re dhe një mundësi të re për të ardhmen”.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën.”

Krasniqi theksoi se mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkimit të brendshëm:

“PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mirë”, u shpreh Krasniqi.

Në fund të fjalës së tij, ai njoftoi se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet Kryetari i ri i partisë.

“E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara”, – deklaroi ai.

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër mblidhet në orën 11:00.   Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e...
18:28 | 26/06/2026

Fëmijë shqiptarë nga rajoni i Kumanovës mund të mbesin pa shkollë fillore

Fëmijët shqiptarë të fshatit Kosturnik në rajonin e Kumanovës mund të mbeten pa shkollën e tyre fillore, pasi Ministria e Arsimit ka paralajmëruar mbylljen. Sipas...
16:08 | 26/06/2026

Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës

Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një...
16:01 | 26/06/2026