Gjykata iraniane bën thirrje për qëndrime më të ashpra për mbajtjen e hixhabit

15 Nëntor 2025 | 13:52

Kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni Ejei, ka bërë thirrje që të aplikohen metoda më të rrepta për të trajtuar “anomali shoqërore”, raportuan mediat lokale në Iran, duke iu referuar veçanërisht qëndrimeve më të buta ndaj mbajtjes së detyrueshme të hixhabit.

Sipas rregullave të vendosura pas revolucionit islamik të vitit 1979, të gjitha gratë në Iran duhet të mbulojnë flokët në publik me një hixhab, apo shall koke dhe të veshin rroba modeste e të gjera.

Por, në qytetet kryesore, veçanërisht në Teheran, shumë gra tani ecin pa mbulesat e kokës, shpesh të veshura me xhinse dhe atlete, gjë që është bërë një pikë përplasjesh për konservatorët.

“Kam urdhëruar prokurorin e përgjithshëm dhe të gjithë prokurorët në vend që t’u kërkojnë agjencive të sigurisë dhe zbatimit të ligjit të identifikojnë lëvizjet e organizuara dhe të lidhura me të huajt në fushën e anomalive shoqërore dhe t’i paraqesin ato para gjyqësorit,” citohet të ketë thënë Ejei, nga gazeta iraniane Etemad, të premten.

“Një shfaqje e përpjekjeve të armikut qëndron në çështjen e zhveshjes dhe mosrespektimin e hixhabit.”

Termi “zhveshje” zakonisht i referohet veshjeve që konsiderohen të papërshtatshme.

Ky fenomen i heqjes dorë nga hixhabi është bërë më i dukshëm në Iran që nga protestat pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit në shtator të vitit 2022. Ajo ishte arrestuar nga policia e moralit për dyshime se kishte shkelur kodin e veshjes.

Qindra njerëz, përfshirë dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë, u vranë gjatë protestave në mbarë vendin, dhe mijëra demonstrues u arrestuan.

“Ne sigurisht nuk mund t’ua imponojmë mbajtjen e hixhabit individëve,” deklaroi muajin e kaluar zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, duke përsëritur qëndrimin e presidentit Masoud Pezeshkian, mes kritikave nga kampi konservator.

Administrata e tij refuzoi vitin e kaluar të miratojë një ligj që do të kishte rritur ndjeshëm ndëshkimet për gratë pa mbulesë.

Në muajt e fundit, autoritetet kanë mbyllur disa kafene dhe restorante për moszbatimin e rregullave të hixhabit ose për shërbimin e alkoolit, i cili është i ndaluar në Iran.

“Hixhabi është bastioni i parë i identitetit islam të grave iraniane. Nëse ky bastion shembet, elementë të tjerë kulturorë dhe trashëgimorë do të shemben gradualisht me radhë,” paralajmëroi gazeta ultrakonservatore Kayhan të enjten./ REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan

Kina u ka ndaluar hyrjen katër ligjvënësve të Zelandës së Re pas pjesëmarrjes së tyre në një vizitë zyrtare në Tajvan, sipas mediave të Zelandës....
08:30 | 04/06/2026

Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet

Të paktën 25 persona, përfshirë 12 oficerë policie, u plagosën gjatë përleshjeve midis studentëve dhe forcave të sigurisë në një protestë kundër politikave të kursimit...
08:27 | 04/06/2026

Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një zgjerim eksponencial të arsenalit bërthamor të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve...
08:22 | 04/06/2026