Ervin Salianji nuk do të jetë më drejtues politik, si i deleguar i Partisë Demokratike, në degën nr. 6 në Tiranë. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Salianji ishte deleguar për të drejtuar fushatën e PD-së për zgjedhjet e pjesshme, të cilat pritej të zhvilloheshin më 9 nëntor në zonën e Kombinatit.
Pas anulimit të zgjedhjeve, Salianji nuk do të jetë më i deleguar në këtë zonë.
I kontaktuar nga Euronews Albania, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se pas takimit të zhvilluar në Elbasan, Salianji është vetëpërjashtuar nga strukturat e PD-së.
“Nuk ka qenë drejtues politik. Drejtues politik në Tiranë ka qenë Belind Këlliçi. Ai ishte i deleguar për fushatën. Fushata u ndërpre dhe të deleguarit për fushatën u tërhoqën. Por, siç e dini, Salianji me aktivitetin e Elbasanit, të realizuar nga Suel Çela, është vetëpërjashtur”, është shprehur Noka.