77-vjeçari nga Vlora i kthehet punës për të mbajtur familjen me bukë

19 Dhjetor 2025 | 20:38

Asnjëherë nuk e kishte menduar se në moshën 77-vjeçare do të rriste bagëti dhe shpendë për të mbajtur frymën gjallë. Estref Nezha rrëfen arsyet se përse u detyrua të bënte një punë të tillë në një moshë të thyer. Hallet në familje, mungesa e të ardhurave, por edhe vajza e sëmurë që jeton me të, e detyruan Estrefin të ndërmarrë këtë iniciativë.

Vitet i rëndojnë mbi supe, por vullneti për të punuar nuk i mungon. 77-vjeçari nga Vlora, Estref Nezha u detyrua që të punojë në pleqëri, pasi I mungonin të ardhurat. Prej 5 vitesh merret me rritjen bagëtive dhe gjelave të detit. Edhe pse kjo punë është e mundimshme, sërish atij I duhet të nxjerrë bukën e gojës për veten dhe familjen.

“Jam Estref Nexha, 77 vjeç. Kam 4–5 vjet që merrem me këto nevoja për mbijetesë. Më shtynë kushtet. Kam rreth 30 krerë bagëti të imta dhe rreth 3 krerë bagëti të trasha. I mbaj këtej nga pylli. Pa mundim s’ka asgjë dhe as bukën, po s’u lodhe, nuk e ha dot”, tha ai.

Jeta i ka rezervuar edhe halle të tjera, vajzën e ka të sëmurë, Estrefi është i vetmi që dërgon para në shtëpi. Por përpos mundimit, kërkesa e tregut është e ulët, ndërsa shpenzimet të larta.

“Tregu është pak i vështirë, sepse para s’ka dhe s’ke ç’të bësh. Kanë mbetur vetëm të moshuarit. Kur vijnë emigrantët, lëviz pak tregu, përndryshe s’vjen njeri. Unë e kam vendosur pazarin 10 mijë lekë për kilogram. Pak kam shitur, nuk është ndonjë fitim i madh, por nxjerr pak të ardhura për të mbajtur shtëpinë. Nuk ia vlen mundi i çdo dite.

Duan nga 200 gram misër çdo ditë, bëhen gati 90 kg misër në muaj. Me këto, sa e sa, dal. Të paktën më mban aktiv, si moshatarët e mi, lëviz dhe ndonjë lek po ngeli, mirë, po s’ngeli prapë. Ç’të bëj, kam këto bagëti dhe një vajzë me probleme, nuk më dalin”, shton ai.

I moshuari, që vitet e mbetura të jetës duhet ti kalonte me të ardhura nga pensioni, rrëfen se për punën që bën nuk merr asnjë kompensim apo mbështetje nga shteti. Festat e fundvitit për të janë mundësi për të shitur disa nga bagëtitë, edhe pse e pranon që mallrat e importit dominojnë për shkak të çmimit.

“Mbështetje nuk ka. Po ke blegtori, ata vijnë, i regjistrojnë dhe asnjë lek nuk merr. I marrin vetë. Kam shpresë t’i shes vetë, vetëm po erdhën emigrantët. Vetëm 3 krerë kam shitur. Më kanë thënë dhe 3–4 veta të tjerë, por ka ardhur koha që s’ke besim te askush.

Blejnë vetëm ata që ua dërgojnë fëmijëve jashtë. Tregu është prishur. Ka hyrë malli nga Turqia dhe na dëmton, sepse ne, nëse i shesim pak më shtrenjtë, ata i kanë me hormone”, theksoi i moshuari.

Nga viti në vit, numri I personave që merren me rritjen dhe mbarështimin e bagëtive dhe shpendëve ka ardhur në ulje për shkak të mungesës së tregut dhe mbështetjes financiare nga shteti.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rezervimet për verën, më të ulëta se vitet e kaluara

Sezoni veror ka nisur, por shqiptarët po tregohen më të kujdesshëm në rezervimin e pushimeve. Agjencitë turistike thonë se, ndryshe nga vitet e kaluara, rezervimet...
20:48 | 23/06/2026

Njoftohet data, shqiptarët nga diaspora pritet të vijnë sërish në Tiranë më 4 korrik

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve qytetarëve kundër qeverisë vijoi edhe sot në ditën e saj të 24-tët në Tiranë. Gjatë tubimit, një prej protestuesve iu...
20:40 | 23/06/2026

Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina, të cilit kryeministri Edi Rama iu drejtua këtë të martë me një mesazh publik, i ka kthyer përgjigje nga protesta. Gjatë fjalës...
20:16 | 23/06/2026