Hetimi i New York Times, studentja shqiptare: Ëndrra amerikane një manipulim, ja si u gënjyem nga programet e punësimit

Dëgjoni lajmin
0:00 / 0:00
26 Dhjetor 2025 | 12:47

Një studente nga Kosova, Ema Kurshumlija, pagoi rreth 2 mijë dollarë në vitin 2018 për të marrë pjesë në një praktikë pune në Nju Jork përmes programit amerikan të vizave J-1, i prezantuar si një “përvojë kulturore e bukur”.

Por realiteti ishte krejt ndryshe, pa trajnim paraprak dhe me javë pune deri në 60 orë duke kryer punë të rënda fizike.

“Na u premtua një përvojë e mrekullueshme. Kur pamë çfarë na priste, ishte një befasi e madhe”, tha Kurshumlija.

Rasti i saj është vetëm një nga dhjetëra dëshmi që dalin nga një hetim i gjerë i New York Times, i cili zbulon se programi J-1, i administruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shpesh shndërrohet nga një program shkëmbimi kulturor në një mekanizëm fitimprurës për organizata sponsorizuese, shpesh në kurriz të të rinjve të huaj.

Hetimi tregon se disa sponsorë kanë paguar drejtuesit e tyre mbi 500 mijë dollarë në vit, ndërsa familjarë të ekzekutivëve kanë përfituar mbi 1 milion dollarë në vetëm dy vite.

Pjesëmarrësit janë shpesh dërguar për të punuar në ferma apo biznese të familjarëve ose anëtarëve të bordeve drejtuese.

Studentët gjithashtu janë detyruar të blejnë sigurime shëndetësore dhe shërbime të tjera nga kompani të lidhura me sponsorët, duke rritur koston e pjesëmarrjes deri në 5 mijë dollarë për person.

Dhjetëra praktikantë raportuan punë të rënda industriale dhe bujqësore, pa mbrojtje dhe pa mbështetje nga sponsorët, edhe kur kanë pësuar lëndime ose janë përballur me ngacmime.

Një student nga Koreja e Jugut, Dongho Kang, pagoi afro 5 mijë dollarë dhe përfundoi duke pastruar depozita septike në një fabrikë çeliku në Indiana.

Të tjerë punuan në ferma derrash në Nebraska, ku sipas tyre, disa ndiheshin si skllevër.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit kishte paralajmëruar që në vitin 2 mijë se disa pjesë të programit ishin “jashtë kontrollit” dhe disa sponsorë ekzistonin kryesisht “për të bërë para”. Megjithatë, rregullat nuk janë forcuar dhe sponsorët nuk kanë kufizime për tarifat që mund të kërkojnë.

Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit hodhi poshtë kritikat, duke thënë se programi është reformuar ndër vite dhe sponsorët që nuk respektojnë rregullat janë përjashtuar, duke e quajtur hetimin e “New York Times” një “sulm të padrejtë”.

Megjithatë, për studentë si Ema Kurshumlija, përvoja mbetet një paralajmërim i hidhur për të rinjtë që ëndërrojnë Amerikën përmes programit J-1, por përballen me realitete shumë larg premtimeve./NewYorkTimes

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Venezuelë, familja e ish-lojtarit të Atromitos, Lucas Trejo, gjendet e vdekur në rrënoja

Futbollisti argjentinas Lucas Trejo është në zi të thellë pas një kërkimi 74-orësh për gruan e tij, Yana, dhe dy fëmijët e tyre pas tërmeteve vdekjeprurëse në Venezuelë që...
12:01 | 28/06/2026

Australia shtrëngon kontrollin mbi rrjetet sociale, gjoba deri në 99 milionë dollarë për shkeljen e ligjit

Qeveria australiane ka njoftuar se do të dyfishojë gjobën maksimale për platformat që shkelin ligjet e moshës minimale për përdorimin e mediave sociale në 99...
11:19 | 28/06/2026

Një tërmet i fortë godet Japoninë, sa ishte magnituda

Një tërmet me magnitudë paraprake prej 6.1 gradësh në shkallën Rihter goditi pjesën verilindore të Japonisë herët këtë mëngjes, por nuk u shpall kërcënim për...
09:28 | 28/06/2026