Izraeli godet disa objektiva në Libanin jugor përpara një mbledhjeje kyçe të qeverisë për çarmatimin

6 Janar 2026 | 07:17

Të paktën një person u plagos nga sulmet izraelite në Libanin jugor vonë të hënën dhe në orët e para të së martës. Zyrtarët thonë se goditjet shënjestruan disa zona, përfshirë edhe qytetin bregdetar të Sidonit, i treti për nga madhësia në vend.

Forcat ajrore izraelite goditën disa zona në Libanin jugor të hënën në mbrëmje dhe deri në mëngjesin e së martës, përfshirë objektiva në qytetin e tretë më të madh të vendit, Sidon.

Një sulm rreth orës 01:00 sipas kohës lokale rrafshoi një ndërtesë trekatëshe në qytetin bregdetar të Sidonit, vetëm pak ditë përpara se komandanti i ushtrisë libaneze të pritet të informojë qeverinë mbi misionin e saj për çarmatimin e Hezbollahut në zonat përgjatë kufirit me Izraelin.

Ndërtesa ndodhej në një zonë të gjallë të distriktit tregtar, ku kishte punishte dhe dyqane mekanike. Banorët thonë se ndërtesa ishte e pabanuar.

Nuk pati raporte të menjëhershme për viktima, por të paktën një person u transportua në spital me ambulancë pasi pësoi lëndime. Ekipet e shpëtimit thonë se po vazhdojnë kërkimet për persona të tjerë në vendin e ndërtesës së shkatërruar dhe në zona të tjera të goditura.

Të hënën, ushtria izraelite shënjestrroi disa zona në pjesët jugore dhe lindore të Libanit, duke pretenduar se aty ndodheshin objekte infrastrukturore të Hezbollahut dhe Hamasit me bazë në Gaza.

Sulmet ndodhën vetëm disa orë pasi zëdhënësi i ushtrisë izraelite për gjuhën arabe, Avichay Adraee, publikoi paralajmërime në platformën e rrjeteve sociale X se ushtria do të godiste objektiva të Hezbollahut dhe Hamasit në dy fshatra në Luginën lindore të Bekaas dhe dy të tjerë në Libanin jugor.

Zonat u evakuuan pas paralajmërimit izraelit dhe nuk pati raportime për viktima nga ato goditje.

Më herët të hënën, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se një sulm me dron ndaj një makine në fshatin jugor Braikeh plagosi dy persona. Ushtria izraelite tha se sulmi shënjestronte dy anëtarë të Hezbollahut.

Ushtria libaneze vitin e kaluar nisi procesin e çarmatimit të grupeve të armatosura, ndërsa qeveria ka deklaruar se deri në fund të vitit 2025 të gjitha zonat pranë kufirit me Izraelin — të njohura si zona në jug të Lumit Litani — do të jenë të pastruara nga prania e armatosur e Hezbollahut.

Qeveria pritet të diskutojë çarmatimin e Hezbollahut gjatë një mbledhjeje të enjten, ku do të marrë pjesë komandanti i ushtrisë, gjenerali Rudolph Haikal. Sulmet ajrore të së hënës ndodhën në fshatra në veri të Lumit Litani dhe larg kufirit me Izraelin.

Çarmatimi i Hezbollahut dhe grupeve të tjera nga qeveria libaneze erdhi pas një lufte 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut, gjatë së cilës u vranë pjesë të mëdha të udhëheqjes politike dhe ushtarake të grupit të mbështetur nga Irani.

Lufta e fundit Izrael–Hezbollah filloi më 8 tetor 2023, një ditë pasi Hamasi sulmoi Izraelin jugor, kur Hezbollahu hodhi raketa drejt Izraelit në shenjë solidariteti me Hamasin.

Lufta përfundoi në nëntor 2024 me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA, nën presidencën e atëhershme të Joe Biden.

Që atëherë, Izraeli ka kryer pothuajse çdo ditë sulme ajrore ndaj asaj që pretendon se janë objekte dhe infrastrukturë e Hezbollahut, por sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, këto sulme kanë shkaktuar gjithashtu vdekjen e të paktën 127 civilëve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026