Glauk Konjufca nis vizitën zyrtare në Tiranë: Duhet koordinim me Shqipërinë për dialogun Kosovë-Serbi

7 Qershor 2021 | 10:50

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri si kryeparlamentar i Kosovës, Glauk Konjufca u prit me nderimet më të larta dhe nga krerët më të lartë shtetit dhe politikës shqiptare.

Nga takimi me homologun e tij Gramoz Ruçi, Glauk Konjufca theksoi se ndihma e Shqipërisë në procesin e dialogut me Serbinë që pritet të nisë së shpejti do të jetë thelbësore.

“Ne do të përballemi me një dialog të vështirë me Serbinë, meqenëse faktorët ndërkombëtar që e udhëheqin dhe organizojnë këtë dialog e kanë definuar atë si faza përfundimtare për përmbyllje të dialogut dhe duhet ta merr formën e një marrëveshje finale. Na duhet një koordinim i thellë dhe i ngushtë me Republikën e Shqipërisë që Kosova mos të dëmtohet nga një marrëveshje e tillë.

Për Kosovën dëm është, ashtu siç e kemi formuluar ne dhe institucionet tona, krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Republikës së Kosovës, e cila do të kontrollohej nga Beogradi. Kjo nuk bënë assesi të ndodh dhe kjo është beteja jonë e përbashkët. Me këtë rast neve na duhet një bashkëpunim i ngushtë me Shqipërinë”, u shpreh kreu i kuvendit të Kosovës.

Nga ana e tij, kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi vlerësoi angazhimin e SHBA-BE lidhur dialogun Kosovë-Serbi teksa theksoi se kjo është e vetmja perspektivë për Kosovën.

”Për ne është inkurajues angazhimi i administratës Biden në dialogun Kosovë-Serbi. Ne mendojmë se vizioni i SHBA dhe BE është e vetmja perspektive për Kosovën.

Vlerësojmë maturinë e klasës politike të Kosovës për të pasur një qëndrim më të unifikuar në dialogun me Serbinë. Koha punon për Kosovën, pasi Kosova është në anën e duhur të historisë”, u shpreh kyeparlamentari Ruçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur në takim edhe nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta e uroi kryeparlamentarin e Kosovës për detyrën e re, ndërsa Konjufca u shpreh se po respekton një tradita të krijuar që kreu i Kuvendit të Kosovës vizitën e parë jashtë vendit ta zhvillojë në Tiranë.

“Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe i inkurajon të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.

Është e rëndësishme, që të gjitha forcat politike të Kosovës, të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që urojmë të ndodhë sa më parë”, shkroi në një postim në Facebook pas takimit kreu i shtetit.

Pas takimeve me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe presidentin Ilir Meta, kryeparlamentari Konjufca ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, ku është pritur nga kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha, me te cilin ka zhvilluar një takim kokë më kokë.

Në një komunikim me mediat në fund të takimit, z. Basha u shpreh se për PD prioritet mbetet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe përfundimi me sukses i dialogut midis republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë, me njohjen e ndërsjellë të këtyre dy shteteve.

Kjo është vizita e parë zyrtare jashtë vendit e Konjufcës, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit.

Vizita e tij në Shqipëri vjen në një kohë kur Kosova dhe Serbia po përgatiten për të rinisur procesin e dialogut.

Për këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pritet të takohen gjatë muajit qershor në Bruksel.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Presidenti i Lituanisë vizitë në Tiranë, pritet në Kryeministri nga Rama

Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të enjte në Kryeministri presidenti e Lituanisë Gitanas Nausėda. Bëhet e ditur se takimi ka pasur në fokus forcimin...
17:16 | 04/06/2026

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja

Sitiata e krijuar në Zvërnec dhe protestat qytetare që pasuan incidentet e ndodhura kanë zbritur në Kuvend dhe janë shoqëruar me përplasje mes deputetëve të...
12:05 | 04/06/2026