Pezullimi i Ballukut, përfundon seanca në GJK! Juria tërhiqet për vendim
Ka përfunduar këtë të enjte seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me masën e sigurisë “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Seanca u zhvillua pas kërkesës së paraqitur nga Kryeministria, përmes së cilës kryeministri Edi Rama ka ankimuar vendimin e GJKKO-së, duke pretenduar se pezullimi i Ballukut përbën shkelje të kompetencave kushtetuese të Kryeministrit.
Sipas raportimeve, Presidenti i Republikës u përfaqësua në seancë nga këshilltari Ilir Rusmali, shefi i kabinetit Hemioni Braho dhe drejtorja e përgjithshme Eriola Shia, ndërsa Kuvendi u përfaqësua nga drejtoresha juridike Mimoza Arbi.
Gjykata e Posaçme kishte vendosur më herët pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, ndalimin e daljes jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës, pasi ajo u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Në seancën e kësaj të enjteje, përfaqësuesja e qeverisë, Jona Qosja, argumentoi se SPAK dhe GJKKO kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke theksuar se deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitet dhe se çdo masë që cenon ushtrimin e detyrës kërkon autorizim nga Kuvendi. Sipas saj, imuniteti kushtetues synon mbrojtjen e funksionit publik dhe jo vetëm lirinë personale, duke shtuar se jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e njeh këtë parim edhe për ministrat që nuk janë deputetë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK paraqitën qëndrimin e tyre zyrtar përmes parashtrimeve me shkrim, duke sqaruar se në këtë proces paraqiten si subjekt i interesuar dhe se kërkesa e Kryeministrisë nuk plotëson kriteret ligjore për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Prokurorisë së Posaçme, pala kërkuese nuk ka legjitimitet për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme.
SPAK theksoi se pretendimet e Kryeministrisë bazohen në interpretime të ligjit dhe nuk provojnë cenimin e një raporti juridik konkret. Sipas prokurorisë, në këtë çështje nuk ekziston konflikt kompetencash mes institucioneve, duke nënvizuar se masat e sigurimit nuk krijojnë një situatë të tillë dhe nuk mund të përdoren për të bllokuar ndjekjen penale ndaj një ministri, e cila është kompetencë ekskluzive e SPAK dhe GJKKO-së.
Gjithashtu, SPAK argumentoi se sistemi ligjor parashikon rrugë të qarta ankimi, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, duke garantuar të drejtat procedurale të palëve. Sa i përket pretendimit se pezullimi i zëvendëskryeministres ka ndikuar në funksionimin e Këshillit të Ministrave, prokuroria e cilësoi atë të pabazuar, duke theksuar se masa e sigurimit është individuale dhe nuk cenon funksionimin institucional të qeverisë.
Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin e saj në një datë të mëvonshme.
Rama shpjegon Paketën e Maleve sipas ChatGPT: Nuk favorizon të pasurit, por familjet me toka të trashëguara pa dokumente
Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike
Gazetarja sjell detajet nga Roskoveci, nesër ceremonia mortore për Kosta dhe Belere Plakun
- 22:30 Rama shpjegon Paketën e Maleve sipas ChatGPT: Nuk favorizon të pasurit, por familjet me toka të trashëguara pa dokumente
- 22:19 Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike
- 22:06 Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike
- 21:27 Gazetarja sjell detajet nga Roskoveci, nesër ceremonia mortore për Kosta dhe Belere Plakun
- 20:49 Mbi 65 mijë të evakuuar në Spanjë dhe Francë, zjarret dalin jashtë kontrollit
- 20:38 Trump sulmon BE-në pas gjobës ndaj Google: SHBA nuk është “banka derrkuci” e Evropës