Rrëfimi i rrallë i kirurgut: Jeta në sallën e operacionit, 1997-a dhe Covid-i

25 Janar 2026 | 17:22

Kirurgu i njohur shqiptar, profesor doktor Arben Gjata, ishte i ftuar në puntatën e radhës të emisionit Health O’Clock në Euronews Albania, ku në rubrikën “Përtej stetoskopit” ndau me publikun një rrëfim personal dhe profesional, duke folur për rrugëtimin e tij në mjekësi, sakrificat e profesionit, jetën familjare dhe momentet më të vështira të karrierës.

Në intervistën me gazetaren Brunilda Cami, profesor Gjata tregoi se zgjedhja e mjekësisë nuk ishte një ëndërr e hershme, por një kompromis mes prirjeve të tij drejt shkencave sociale dhe këshillave të familjes. “Më pëlqente shumë letërsia dhe filozofia, por pas diskutimeve në familje vendosëm për mjekësinë, si një rrugë e mesme”, u shpreh ai.

Ai foli për vitet e studimit në Fakultetin e Mjekësisë, ku theksoi rëndësinë e pedagogëve të asaj kohe, të cilët, sipas tij, kishin jo vetëm formim profesional të shkëlqyer, por edhe kulturë të gjerë humane. “Ishim një brez me shumë fat”, tha Gjata, duke kujtuar me respekt profesorët e tij.

Kalimi drejt kirurgjisë, sipas tij, ishte më shumë rastësi sesa prirje e qëllimshme. Fillimisht i orientuar drejt sëmundjeve të brendshme dhe kardiologjisë, Gjata përfundoi në kirurgji për shkak të mundësive të kohës. Megjithatë, ky profesion u kthye në pasionin e jetës së tij. “Kirurgjia të jep një ndjesi që nuk ta jep asnjë profesion tjetër: kënaqësinë e shpëtimit të jetës”, u shpreh ai.

Profesor Gjata u ndal edhe te periudhat më të vështira të karrierës së tij, duke veçuar vitin 1997 dhe pandeminë e Covid-19 si dy momente kyçe që vunë në provë sistemin shëndetësor dhe vetë mjekët. Ai kujtoi kaosin e atyre ditëve, kur spitali u përball me dhjetëra të plagosur nga armët e zjarrit, duke e cilësuar atë periudhë si një nga më stresueset e jetës së tij profesionale.

Një tjetër sfidë e madhe, sipas tij, ishte pandemia e Covid-19, gjatë së cilës ai ishte i angazhuar jo vetëm si kirurg, por edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe organizimin e punës në sistemin shëndetësor. Profesor Gjata theksoi përkushtimin e jashtëzakonshëm të stafit mjekësor shqiptar gjatë kësaj krize shëndetësore globale.

“Pandemia e Covid-19 tregoi qartë se sa të dedikuar janë mjekët shqiptarë ndaj qytetarëve të vendit të tyre. Ishte një periudhë jashtëzakonisht stresuese, por edhe një provë e fortë e profesionalizmit dhe sakrificës sonë,” u shpreh profesor Gjata.

Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe ndërhyrjeve kirurgjikale që ai ka kryer te personalitete të njohura, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Gjata theksoi se për të, çdo pacient trajtohet njësoj, pa asnjë diferencim. “Në sallën e operacionit nuk ka tituj, ka vetëm pacientë”, tha ai.

Në planin personal, profesori foli hapur për sakrificat që kërkon profesioni i kirurgut dhe ndikimin e tij në jetën familjare. Ai kujtoi dedikimin e bërë në librin e tij “Infeksioni kirurgjikal”, ku i kërkon ndjesë bashkëshortes dhe djalit për mungesën e kohës. “Bashkëjetesa me një kirurg nuk është e lehtë”, pranoi ai, duke theksuar mbështetjen e madhe që ka marrë nga familja.

Në fund të intervistës, profesor Gjata vlerësoi brezin e ri të mjekëve shqiptarë, duke i cilësuar si të përgatitur dhe të përkushtuar, si dhe la të hapur mundësinë që një ditë të rrëfejë jetën e tij edhe përmes një libri.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta nuk ndalet edhe pas “Besës” së Ramës, qytetarët mblidhen në ditën e 55-të përballë Kryeministrisë

Protesta e qytetarëve dhe aktivistëve në Tiranë ka shënuar këtë të premte ditën e 55-të të saj, ndërsa tubimi i sotëm përkon me mbledhjen e...
20:06 | 24/07/2026

Rëndohet bilanci në Roskovec, ndërron jetë edhe gruaja e plagosur nga ish-dhëndri

Është rënduar bilanci i ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të premte në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku tashmë 3 persona kanë humbur jetën. Pas...
19:36 | 24/07/2026

73-vjeçari humbi jetën në aksident, banorët e Përparimit kërkojnë masa urgjente në aksin Elbasan–Peqin

Banorët e fshatit Përparim thonë se qarkullimi me shpejtësi të lartë e ka kthyer aksin Elbasan–Peqin në një rrezik të përditshëm për këmbësorët. Pas aksidentit...
18:15 | 24/07/2026