Gregory Bovino, djali i emigrantëve italianë, fytyra kontraverse e fushatës së deportimeve të Trump
I veshur me uniformë luftarake, një helmetë dhe me një bombol gaz lotsjellës në dorë, Komisioneri i Patrullës Kufitare të SHBA-së, Gregory Bovino, është bërë fytyra më e njohur – dhe kontraverse – e fushatës së deportimeve që administrata Trump ka nisur që kur mori detyrën për herë të dytë, gati një vit më parë.
Djali i emigrantëve italianë, Bovino ka mbrojtur goditjet e ashpra ndaj emigrantëve në Minneapolis, operacione që kulmuan të shtunën e kaluar me vrasjen e infermierit 37-vjeçar Alex Pretty nga agjentët federalë – civili i dytë që humbi jetën në qytet brenda pak javësh. Ngjarja erdhi pas vrasjes së Renee Goode, një nëne të tre fëmijëve, brenda makinës së saj. Administrata Trump e akuzoi Pretty-n për përpjekje për të dëmtuar agjentët, duke pretenduar se ai mbante armë, por videot treguan se ai nuk e nxori armën dhe u qëllua pasi u rrëzua përtokë.
Vetë Bovino mbrojti operacionin, duke argumentuar se viktimat ishin agjentët dhe jo qytetarët. Ai tha për CNN se: “Fakti që ata ishin të trajnuar mirë parandaloi çdo të shtënë ndaj forcave të sigurisë. Është për të ardhur keq për pasojat, por ai zgjodhi të përfshihej në atë vendngjarje.”
Për profesorin Cesar Garcia Hernandez nga Universiteti Shtetëror i Ohajos, Bovino është figura kyçe për strategjinë e Trump, e cila synon deportimin e miliona emigrantëve pa dokumente. “Ai e kthen retorikën agresive të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dhe Presidentit Trump në realitet operativ,” tha Garcia Hernandez për AFP.
Taktika “kthehu dhe digje”
Bovino, një veteran 55-vjeçar i rojes kufitare, ka udhëhequr bastisje të profilit të lartë në qytete si Los Angeles dhe Chicago. Ai përdor taktikën e quajtur “kthehu dhe digje”: hyrje të shpejtë, arrestime të menjëhershme dhe dalje përpara se protestuesit të mblidhen.
Në 7 janar, gjatë një operacioni në Minneapolis, një agjent qëlloi për vdekje Renee Goode, duke shkaktuar protesta masive dhe zemërim kombëtar. Bovino mbrojti gjithashtu ndalimin e një djali pesëvjeçar gjatë një tjetër operacioni, duke thënë: “Ne jemi ekspertë në trajtimin e fëmijëve.” Një video e publikuar më vonë e tregon Bovino duke hedhur gaz lotsjellës mbi protestues, ndërsa u kërkonte atyre të largoheshin.
Ndryshe nga shumë agjentë që mbajnë maska, Bovino nuk i shmanget publicitetit. Ai shpesh shfaqet me një pallto të gjatë, të gjelbër, stil luftërash botërore, duke provokuar reagime të forta. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e krahasoi uniformën e tij me atë SS, por Bovino tha se palltoja është pjesë e standardit të Patrullës Kufitare dhe akuzoi zyrtarët demokratë për nxitje të tensionit social.
Historia personale dhe karriera
Stërgjyshi i Bovinos ishte emigrant italian, ndërsa babai i tij u burgos për një aksident fatal nën ndikimin e alkoolit. Ai u frymëzua për t’u bërë agjent në moshën 11-vjeçare pas shikimit të filmit “The Border”. Studimet i kreu në menaxhim të burimeve natyrore dhe administrim publik, duke marrë master nga Universiteti Shtetëror Appalachian.
Në vitin 2020 mori komandën e divizionit të Patrullës Kufitare në El Centro, Kaliforni. Gjatë këtij viti, ai ka udhëhequr operacione deportimi në qytete si Chicago, Sacramento, Charlotte dhe New Orleans. Si “njeriu i Trump” në këtë mision, raporton drejtpërdrejt te Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem dhe mban titullin “komandant i përgjithshëm”.
Në moshën 55-vjeç, ai është vetëm dy vjet larg daljes në pension, dhe e ardhmja e tij mbetet e panjohur.

Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet
Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet
- 08:22 Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut
- 08:17 Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
- 08:13 Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
- 07:56 Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus