Rinumërimi i votave në Kosovë, KQZ pret që procesi të përmbyllet deri në fund të muajit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bazuar në dinamikën e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për mediat se në fillim të shkurtit ky institucion është i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
“Shpallja e rezultatit nuk nënkupton përfundimin e procesit zgjedhor apo certifikimin e rezultatit”, tha ai.
Koha se kur do të bëhet certifikimi i rezultatit, tha Elezi, do të varet nga ankesat që do të mund të paraqesin subjektet apo kandidatët për deputetë për rezultatin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme, pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar.
“Jemi të vetëdijshëm që procesi i rinumërimit heq dilema sa i përket këtij rezultati. Megjithatë, është në të drejtën e subjekteve politike të paraqesin ankesë ndaj rezultatit të shpallur nga KQZ-ja”, tha Elezi.
Certifikimi i rezultatit bëhet pas përfundimit të afateve për ankesa dhe obligimeve që mund të ketë për KQZ-në nga vendimet që mund të marrin PZAP-i dhe Gjykata Supreme dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.
Në QNR po punojnë 76 ekipe të numërimit, që numërojnë votat e rregullta duke nisur nga ora 08:00 deri në mesnatë dhe deri më tani, në QNR janë rinumëruar mbi 75 për qind e vendvotimeve.
Më herët gjatë janarit, KQZ-ja vendosi që të bëhej rinumërimi i plotë i votave, pasi paraprakisht kishte vendosur për rinumërim të pjesshëm për shkak të daljes në pah të mospërputhjeve të votave sa u përket kandidatëve për deputetë.
Komuna e Prizrenit vlerësohet se ka dallimin më të madh të votave në mesin e kandidatëve dhe kjo nxiti autoritetet e drejtësisë të vepronin. Javën e kaluar, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren u ndaluan 109 persona për manipulim të rezultatit zgjedhor. Ndaj 23 prej komisionerëve të ndaluar u shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.
Hetime për keqpërdorime të mundshme zgjedhore kanë nisur edhe në komuna të tjera, përfshirë në Ferizaj e Malishevë.
Vetëm pas certifikimit të rezultateve, mund të konstituohet përbërja e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Kosovës, e cila më pas duhet të zgjedhë ekzekutivin e ri të vendit. /REL
Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
- 13:47 Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë
- 13:36 Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
- 13:34 Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 5 qershor, zbardhen pikat kryesore të agjendës
- 13:30 Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij
- 13:28 Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina
- 13:22 Presidenti finlandez propozon një BE me 40 anëtarë, përfshirë Kanadanë