Zbuluan një rast korrupsioni, policia kineze ndalon dy gazetarë
Grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët kanë ngritur alarmin për ndalimin e dy gazetarëve investigativë kinezë, pasi ata dyshohet se kanë zbuluar korrupsionin e një zyrtari të lartë në provincën Sichuan.
Gazetarët e pavarur Liu Hu dhe Wu Yingjiao u ndaluan nga policia të dielën, menjëherë pasi publikuan hetimin e tyre, bëjnë të ditur grupet e të drejtave të njeriut.
Prej kohësh, kritikët kanë shprehur shqetësime lidhur me shtypjen e medias në Kinë, ku autoritetet kanë arrestuar dhe ndjekur penalisht gazetarë, duke i akuzuar ata për “shkaktim problemesh”.
Policia e qytetit Chengdu deklaroi të hënën se dy persona, të identifikuar me mbiemrat Liu dhe Wu, të moshës 50 dhe 34 vjeç, ndodhen nën hetim për “bërje akuzash të rreme” dhe “operacione të paligjshme biznesi”. Qeveria kineze ende nuk ka reaguar lidhur me ndalimet dhe kritikat e ngritura nga grupet e të drejtave të njeriut.
Liu, një gazetar investigativ i njohur në Kinë, ishte arrestuar edhe më herët, në vitin 2013, me dyshimin për shpifje, pasi kishte akuzuar një zyrtar të lartë për korrupsion.
Pas lirimit të tij në vitin 2014, ai vijoi hetimet dhe publikoi raportet përmes rrjeteve sociale.
Wu përmendet shpesh si bashkëpunëtor i Liu-t në një llogari publike në WeChat, ku Liu dhe gazetarë të tjerë publikojnë artikuj lajmesh.
Sipas organizatës “Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut në Kinë”, një koalicion aktivistësh dhe grupesh kineze e ndërkombëtare, Liu kishte planifikuar të udhëtonte me tren nga qyteti i tij i lindjes, Chongqing, drejt Pekinit të dielën, kur humbi kontaktet.
Wu u ndalua nga policia në provincën Hebei po atë ditë, njoftoi grupi.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, raporti i fundit i dy gazetarëve kishte zbuluar korrupsionin e dyshuar të një zyrtari në nivel qarku.
Titulli i raportit – i cili tashmë nuk gjendet më në platformën WeChat – i referohej bizneseve të shtyra drejt falimentimit si pasojë e veprimeve të zyrtarit.
Para arrestimit të tij këtë javë, Liu kishte publikuar në WeChat disa mesazhe që kishte marrë nga një zyrtar i inspektimit disiplinor në Chengdu, i cili e nxiste të kontaktonte autoritetet, në vend që të publikonte raportet në media, thanë Reporterët pa Kufij (RSF).
“Ky arrestim nxjerr në pah se sa kufizuese dhe armiqësore është bërë Kina ndaj raportimit të pavarur”, deklaroi menaxherja e avokimit të RSF-së, Aleksandra Bielakowska.
“Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj regjimit kinez, në vend që të ndjekë një normalizim marrëdhëniesh që vetëm sa mundëson shtypje të mëtejshme dhe u lejon autoriteteve të vazhdojnë shënjestrimin e gazetarëve të besueshëm”, shtoi ajo.
Sipas RSF-së, në Kinë mbahen të ndaluar më shumë se 120 gazetarë, duke e cilësuar vendin si “burgosësin më të madh të gazetarëve në botë”.
Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit
Të fshehur brenda kamionit cisternë, gjenden 30 emigrantë në Turqi! Një i arrestuar
Zvicra përforcon sigurinë, vendos 4,000 trupa për Samitin e G7
- 19:18 Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin
- 19:10 Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit
- 19:03 FOTOLAJM/ Del pankarta zyrtare e protestuesve: Nuk ka negociata, kërkesat janë të qarta
- 19:01 Rama nga Mali i Zi: Ta harrojnë të gjithë, po na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane
- 18:53 “Asllani nuk e meriton formacionin”, trajneri Zela: S’ka ritëm, nuk përplaset kurrë
- 18:48 Protestuesit kundra projektit të Zvërnecit mblidhen në bulevard, mbajnë 1 minutë heshtje për policin e vrarë në Maliq