Rama reagon për bllokimin e Librazhd – Prrenjas: Me helikopter shoqërova një grup investitorësh

23 Shkurt 2026 | 11:59

Kryeministri Edi Rama reagoi për problematikat në aksin Librazhd-Përrenjas dhe sqaroi udhëtimin me helikopter drejt Korçës. Ai tha se me helikopter po shoqëron një grup investitorësh ndërkombëtarë për të vizituar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe kompleksin e ri në Vlorë, si destinacione me potencial për të mikpritur universitete të njohura globalisht. Sipas tij, lëvizja ishte planifikuar kohë më parë dhe shërben për të prezantuar mundësitë e investimit dhe zhvillimit të arsimit të lartë në vend.

Rama gjithashtu u ndal te situata e aksit të bllokuar, duke theksuar se problematikat e shkaktuara nga rrëshqitjet gjeologjike janë të natyrshme dhe nuk lidhen me përgjegjësi të drejtpërdrejta të autoriteteve apo projektuesve. Ai e krahasoi situatën me raste ndërkombëtare ku fatkeqësitë natyrore sipas tij trajtohen pa histeri mediatike, duke nënvizuar se për Shqipërinë, prioritet mbetet puna dhe investimet konkrete.

“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare! Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune të mirë! Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse! Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë: E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike! E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri. Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten”, shkruan Rama.

Kujtojmë që aksi nacional Librazhd-Përrenjas është i bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të tokës që përpinë një pjesë të rrugës në fshatin Dragostunjë, duke shkatërruar gjithashtu linjën hekurudhore, linjat elektrike dhe ato të tensionit të lartë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
13:30 | 04/06/2026

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina

Bordi i Transparencës publikoi të enjten çmimet e reja të karburanteve në vend. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN...
13:28 | 04/06/2026

Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 5 qershor, zbardhen pikat kryesore të agjendës

Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat të Malit të Zi më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit...
11:34 | 04/06/2026