“Durimi ynë ka mbaruar”, Pakistani shpall “luftë të hapur” dhe nis ofensivë ajrore ndaj talebanëve në Afganistan
Qeveria e Pakistanit shpalli të enjten “luftë të hapur” ndaj autoriteteve de facto talebane në Afganistan, pas një sulmi afgan në kufirin mes dy vendeve, duke e çuar krizën në një nga momentet më të rrezikshme që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021.
Forcat e armatosura pakistaneze ndërmorën gjatë natës sulme ajrore ndaj disa objektivave në territorin afgan, përfshirë kryeqytetin Kabul dhe qytetin jugor Kandahar, qyteti më i madh në jug të vendit dhe bastion tradicional i talebanëve. Ministri i Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi, i përshkroi bombardimet si “hakmarrje të përshtatshme” për sulmin e një dite më parë nga forcat afgane.
“Durimi ynë ka mbaruar. Tani ka një luftë të hapur midis nesh dhe jush”, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Asif Khawaja, përmes një postimi në platformën X. Në të njëjtën linjë, kryeministri Shehbaz Sharif theksoi në një deklaratë zyrtare se forcat e armatosura të vendit janë “plotësisht të afta të shtypin çdo ambicie agresive”.
Gazetarët e AFP-së në Kabul raportuan një seri shpërthimesh në orët e para të mëngjesit, të shoqëruara me zhurmën e avionëve ushtarakë që fluturonin mbi qytet. Situatë e ngjashme u raportua edhe në Kandahar, ku ndodhet lideri suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada. Sipas dëshmive në terren, avionë luftarakë u dëgjuan duke patrulluar mbi zonë gjatë natës.
Islamabadi deklaroi se kishte shënjestruar kampe “terroriste” në territorin afgan. Sipas një burimi të AFP-së, më shumë se 80 persona u vranë nga sulmet fillestare, megjithëse këto shifra nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Në shenjë hakmarrjeje, sipas zëdhënësit të qeverisë de facto talebane, Zabihullah Mujahid, forcat afgane shënjestruan 15 pozicione të përparuara të forcave të armatosura pakistaneze përgjatë kufirit, duke vrarë “dhjetëra” ushtarë pakistanezë.
Qeveria de facto afgane konfirmoi gjithashtu sulmet ajrore pakistaneze, por theksoi se ato nuk shkaktuan viktima në radhët e talebanëve, sipas deklaratave të z. Mujahid.
Ndërkohë, ministri pakistanez i Informacionit, Ataullah Tarar, deklaroi përmes X se objektiv i sulmeve ishin pozicionet mbrojtëse të “regjimit taleban afgan” në Kabul dhe Kandahar. Ai foli për të paktën 133 të vdekur dhe më shumë se 200 të plagosur mes talebanëve afganë. Të njëjtin bilanc paraqiti edhe Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit Sharif.
Nga ana tjetër, Ministria afgane e Mbrojtjes raportoi se tetë ushtarë afganë u vranë në sulmin tokësor të nisur nga provincat Nangarhar dhe Kunar, ndërsa autoritetet talebane njoftuan për sulme të reja në një “shkallë të gjerë” kundër pozicioneve pakistaneze.
Ministria e inteligjencës e Pakistanit akuzoi forcat talebane për “hapje zjarri në mënyrë të njëanshme” në disa pika përgjatë kufirit me provincën pakistaneze Khyber Pakhtunkhwa.
Përplasjet e fundit pasojnë sulmet ajrore pakistaneze të fundjavës në provincat afgane Nangarhar dhe Paktika, të cilat Islamabadi i cilësoi si hakmarrje për shpërthimet vetëvrasëse në territorin pakistanez.
Sipas Misionit të Ndihmës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan, bombardimet vranë të paktën 13 persona, ndërsa qeveria talebane raportoi 18 viktima. Këto konsiderohen si bombardimet më të rënda që nga përplasjet e tetorit, kur armiqësitë mes dy palëve lanë mbi 70 të vdekur dhe çuan në mbylljen e shumicës së kalimeve kufitare.
Aleatë të hershëm, Afganistan dhe Pakistan janë përfshirë në luftime sporadike që nga rimarrja e pushtetit nga talebanët në gusht 2021. Islamabadi akuzon Kabulin për strehim të grupeve të armatosura që veprojnë në territorin pakistanez, përfshirë organizatën Tehreek-e-Taliban Pakistan. Autoritetet talebane i mohojnë kategorikisht këto akuza.
Një armëpushim i rënë dakord më 19 tetor, i ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia, u shemb vetëm nëntë ditë më vonë, pasi Islamabadi akuzoi Kabulin për orkestrimin e sulmeve nga talebanët pakistanezë. Që atëherë, disa raunde negociatash kanë dështuar të prodhojnë një zgjidhje të qëndrueshme, megjithëse ndërhyrja saudite çoi në lirimin e tre ushtarëve pakistanezë të marrë rob nga luftëtarët afganë.
Aktualisht, kalimet kufitare tokësore mes dy vendeve mbeten kryesisht të mbyllura, duke lejuar vetëm kthimin e shtetasve afganë në vendin e tyre.
Përshkallëzimi i fundit i dhunës ka rritur ndjeshëm shqetësimin për një konflikt më të gjerë mes dy vendeve, në një rajon tashmë të brishtë dhe me histori të gjatë tensionesh ushtarake dhe politike.
Zhduket e mitura në Francë, policia gjen një trup të pajetë! Arrestohet babai i shoqes së saj
Kaos dhe dhunë në Bruksel, studentët përleshen me policinë për shkurtimet në buxhetin e arsimit (VIDEO)
BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 17:49 Regjistri i bizneseve numëron 250 mijë njësi në vitin 2025, gati gjysma fermerë
- 17:37 Zhduket e mitura në Francë, policia gjen një trup të pajetë! Arrestohet babai i shoqes së saj
- 17:33 Kaos dhe dhunë në Bruksel, studentët përleshen me policinë për shkurtimet në buxhetin e arsimit (VIDEO)
- 17:27 BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 17:24 “Jo më udhëtime luksoze teksa ukrainasit po vdesin”, 11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra për vizat ruse
- 17:21 Bitcoin bie në nivelin më të ulët që nga shkurti, rritet pasiguria në tregjet e kriptomonedhave