Grupi Parlamentar i PD-së depoziton në Kuvend raportin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

2 Mars 2026 | 14:28

Grupi Parlamentar i PD këtë të hënë ka dorëzuar në Kuvend, Raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes Belinda Balluku. PD thekson se janë pro kërkesës së SPAK dhe barazisë përpara ligjit.

Sipas PD-së, Prokuroria ka dokumentuar shkeljet e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ata akuzojnë edhe kryeministrin, Edi Rama se do të pengojë drejtësinë pasi sipas tyre është vetë i përfshirë.

Duke iu referuar standardeve të Komisionit të Venecias, në deklaratë thuhet se Kuvendi nuk mund të bëjë shqyrtim ligjor të çështjes, referuar argumenteve të palës tjetër se ‘masat e marra deri më tani për Ballukun janë të mjaftueshme’, në të kundërt do të kishim ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit.

Sipas raportit, imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë. Sipas tyre nëse pranohet e kundërta, atëherë ҁdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore. 

“Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të cështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë TË VOTOJNË PRO, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:

-“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda BALLUKU”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.

Në këtë kuptim, Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrimin dhe ka krijuar standardin, sipas të cilit duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht dhe se paprekshmëria e tij duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye për të dyshuar se në vendimin për ndjekjen penalisht të deputetit ka element partiako-politik.

Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.

Ne deputetët e pakicës parlamentare në Këshill, mbajmë në konsideratë edhe standardin e vendosur nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit: “organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme.”. Në përputhje me këtë standard, Kuvendi nuk ka kompetencë për të vlerësuar meritën e çështjes për caktimin e masës së sigurimit, llojit të saj apo kushteve për secilën masë, por ka rol vetëm në verifikimin e ekzistencës formale të përmbushjes së këtyre kushteve. Në të kundërtën ai do të bënte shqyrtim ligjor të çështjes, jashtë kompetencës së tij kushtetuese dhe në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve.

Kuvendi, duke mos qenë organ kompetent sipas Kushtetutës përgjegjës për hetimin penal, nuk mund të çmojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit për të mbrojtur hetimet, apo të veprimeve konkrete që duhet të ndërmarrë prokuroria që hetimi të jetë i plotë dhe i pacenuar. Kjo është një kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor. Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetin gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal”, thuhet në raport.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesit lënë sheshin para Kryeministrisë dhe nisin marshimin në rrugët e Tiranës (VIDEO)

Pasi qëndruan për mbi dy orë përpara Kryeministrisë, ku të pranishmit mbajtën edhe fjalime, qytetarët ndezën dritat e telefonave dhe më pas nisën marshimin në...
21:07 | 11/06/2026

Jep dorëheqjen rektori i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Tonin Gjura

Rektori i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Tonin Gjuraj  ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Gjuraj ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme pranë ministres së Arsimit Mirela...
20:11 | 11/06/2026

Protestuesi: Kjo është lufta për të mbrojtur Shqipërinë që duam t’u lëmë fëmijëve

Në ditën e 12-të të protestës, një nga protestuesit u shpreh se tubimi fillimisht nisi si “revolucioni i flamingove”, por sipas tij, tashmë ka marrë...
19:45 | 11/06/2026