Shëndetësi/ Goditjet në tru, Ranxha: Në vendin e parë për invaliditetin e pacientit

25 Mars 2026 | 20:46

Goditjet në tru, ose aksidentet cerebrovaskulare, kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë vitit 2024. Një studim i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregon se incidenca aktuale është 207,7 raste për 100,000 banorë, me një prevalencë më të lartë tek meshkujt krahasuar me femrat.

Sipas raportit, qarqet me numrin më të lartë të rasteve janë Vlora, Fieri dhe Lezha. Një problem i madh mbetet invalidizimi i pacientëve, që prek thuajse një të tretën e tyre.

Eris Ranxha, shef i Shërbimit Neurovaskular në QSUT, shpjegon:

“Prej gjashtë vitesh, goditjet në tru janë në vendin e parë në botë si sëmundjet që shkaktojnë invaliditetin më të madh. Qelizat neurologjike, nëse dëmtohen, nuk rigjenerohen dhe zona e dëmtuar e trurit humbet funksionin e saj përfundimisht. Nëse dëmtohet motori që kontrollon lëvizjen e duarve dhe këmbëve, pacienti e humb atë përgjithmonë. E njëjta gjë vlen për funksione të tjera, si të gëlltitjes, të folurit apo të dëgjuarit.”

Mjekët theksojnë se, përveç stilit të jetesës, faktor kryesor janë sëmundjet kronike që dëmtojnë enët e gjakut dhe, për rrjedhojë, trurin. Ata nënvizojnë se trajtimi i hipertensionit dhe faktorëve të tjerë të riskut mund të parandalonte goditjen në tru tek 4 në 10 persona.

Ranxha shton:

“Mekanizmat për të parandaluar dëmtimin përfundimtar të trurit bazohen në dy parime: parandalimi, që nënkupton trajtimin e të gjithë faktorëve të riskut, si zbulimi i aritmive kardiake dhe trajtimi i sëmundjeve si hipertensioni, diabeti, jetesa sedentare, abuzimi me substanca dhe duhanpirja.”

Raporti i ISHP evidenton se goditjet në tru janë të rralla tek personat nën 40 vjeç, ku shkaku kryesor mbetet tensioni i lartë i gjakut. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit rreth 15 milionë njerëz në mbarë botën përballen me një goditje në tru.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit

Më shumë se 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur 8...
14:04 | 11/07/2026

Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një monitorim të tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura...
13:54 | 11/07/2026

Video e dhunës ndaj adoleshentes, ekspertët ngrenë alarmin për bullizmin

Videoja e dhunës ndaj një adoleshenteje, e cila u bë virale në rrjetet sociale, ka rikthyer diskutimet mbi sjelljen agresive te të rinjtë. Ekspertët e...
17:26 | 10/07/2026