U goditën call center-at mashtrues në Tiranë, skemë me mbi 50 mln euro dëm në vendet e BE-së! Prokuria zbardh akuzat

16 Prill 2026 | 13:18

Prokuroria e Tiranës ka goditur një rrjet të strukturuar call center-ash të përfshirë në mashtrime ndërkombëtare, pas një hetimi dyvjeçar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe agjenci europiane të zbatimit të ligjit.

Sipas njoftimit zyrtar këtë të enjte, operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit. Si rezultat, janë caktuar masa sigurie “arrest me burg” për 7 persona, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm. Për dy shtetas është vendosur “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitjeje”.

Hetimet lidhen me procedimin penal për veprën “mashtrimi kompjuterik”. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke u premtuar rikuperim të humbjeve nga investime të mëparshme ose fitime në bursa fiktive online.

Skema funksiononte përmes call center-ave të organizuar në grupe sipas gjuhëve të huaja – gjermanisht, anglisht dhe italisht – duke synuar tregje të ndryshme. Operatorët kontaktonin qytetarë, kryesisht në Itali, duke i bindur të hapnin llogari në platforma të dyshuara si mashtruese dhe të kryenin një pagesë fillestare prej 500 euro.

Prokuroria bën me dije se këto struktura operonin me organizim të mirëfilltë, ndarje të qartë rolesh dhe mbikëqyrje hierarkike, duke imituar modele biznesi të ligjshme. Dyshohet se aktiviteti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare, kryesisht në Austri, gjatë periudhës qershor 2023 – korrik 2024.

Vlera totale e përfituar nga skema mashtruese vlerësohet të kalojë 50 milionë euro. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përdorimin e kriptovalutave për transferimin e parave, ku dy prej të dyshuarve identifikohen si përfitues fundorë të këtyre fondeve.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 891 mijë euro, qindra kompjuterë dhe telefona, si dhe pajisje të tjera elektronike.

Prokuroria njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e pestë e protestës, qytetarët marshim në Tiranë

Qytetarë dhe aktivistë pritet të zhvillojnë këtë të enjte protestën e pestë radhazi kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur...
20:18 | 04/06/2026

“Shqipëria e shqiptarëve”, pankartat e qytetarëve në protestë (FOTO)

Qindra qytetarë dhe aktivistë janë bashkuar edhe këtë të enjte në protestën e radhës kundër ndërtimit në Zvërnec. Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Shqipërisë...
19:47 | 04/06/2026

Qytetarët e Vlorës sërish në protestë te Sheshi i Flamurit kundër projektit në Zvërnec

Protesta e qytetarëve në Vlorë ka vijuar edhe sot pranë Sheshit të Flamurit. Ndryshe nga ditët e mëparshme, pjesëmarrja është raportuar më e ulët, ndërsa...
19:39 | 04/06/2026