Zbardhen amendamentet e PS për ndryshimet në Kodin Rrugor: Kur hiqet patenta përgjithmonë

8 Maj 2026 | 11:09

Euronews Albania ka zbardhur amendamentin e Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Rrugor. Ndryshimet janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeti i PS, Erion Braçe.

Një nga pikat më të forta të paketës së ndryshimeve lidhet me drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit. Sipas propozimit, shoferëve që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, do t’u hiqet patenta përgjithmonë.

Ndryshimet parashikojnë po ashtu se drejtimi i mjetit pa leje do të sjellë jo vetëm përgjegjësi penale, por edhe shtyrje me 1 deri në 2 vite të së drejtës për t’u pajisur me patentë, sidomos për të miturit.

Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, duke e ndaluar edhe për biçikleta, motomjete dhe monopatina elektrike.

Amendamentet e propozuara nga PS

Sipas ndryshimeve të propozuara, në rastet kur një drejtues kapet me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe është përsëritës i një shkeljeje të mëparshme për drejtim nën ndikimin e alkoolit, i hiqet patenta përgjithmonë.

Drejtimi i automjetit pa patentë do të sjellë ndalimin e pajisjes me leje drejtimi për një periudhë 1-vjeçare.

Për personat e mitur që nuk kanë marrë ende patentë, parashikohet që leja e drejtimit të mund të merret vetëm dy vite pas plotësimit të moshës së lejuar, duke e çuar praktikisht në 20 vjeç moshën e pajisjes për herë të parë me patentë.

Gjithashtu, për drejtuesit në vitin e parë të patentës, propozohet tolerancë zero për alkoolin gjatë drejtimit të automjetit.

Në lidhje me kufizimet e shpejtësisë, parashikohet që në autostrada shpejtësia maksimale të jetë 90 km/h, ndërsa në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara 80 km/h. Shkelja e këtyre kufijve do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim patente për 1 muaj dhe heqje pikësh sipas rregullave në fuqi.

Për shoferët e rinj, deri në 2 vite nga pajisja me patentë, propozohet që të mos lejohet drejtimi i automjetit në orarin 24:00–06:00 pa praninë e një drejtuesi tjetër me të paktën 3 vite eksperiencë.

Nëse gjatë vitit të parë nuk kryhen shkelje, kufizimet për këtë kategori drejtuesish hiqen automatikisht. Ndërsa në rast të dy shkeljeve gjatë periudhës së provës, ajo zgjatet edhe me një vit tjetër, duke rikthyer kufizimet.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026

Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje

Autobusi i linjës Durrës–Spitall (linja e Universitetit) u përfshi nga flakët teksa ishte në lëvizje. Zjarri u vu nën kontroll në kohë nga shërbimi zjarrfikës,...
12:10 | 04/06/2026