PD mbledh Kuvendin Kombëtar, miratohen ndryshimet statutore

30 Maj 2026 | 14:00

Partia Demokratike ka mbledhur këtë të shtunë në orën 10:00 Kuvendin Kombëtar, në të cilin vendoset për disa çështje që ndikojnë në të ardhmen e kësaj partie për 3 vitet e ardhshme.

Këto ndryshime u miratuan nga Kryesia e PD-së 3 ditë më parë ndërsa Kuvendi do të të zgjedhë edhe Këshillin e ri Kombëtar, duke i hapur rrugën edhe ndryshimeve të tjera në kupolën e partisë.

Burime për Euronews Albania bënë me dije se ky Kuvend u quajt si Kuvendi i ripërtëritjes së partisë dhe një qasje e tillë erdhi gati 4 vite pas Kuvendit të famshëm të Rithemelimit që Berisha thirri më 11 dhjetor 2021.

Punimet e Komisionit u drejtuan nga Ivi Kaso, ndërkohë që ndryshimet në statut u prezantuan nga Gazment Bardhi. Sakaq, ndryshimet në riorganizimin e diasporës dhe digjitalizimin e partisë u prezantuan nga Nikola Kedhi dhe Grigels Muçollari.

Ndërkohë, mësohet se fjala hapëse iu besua të resë që vjen nga diaspora, Erisa Bajaziti. Punimet e Kuvendit më pas vijuan me fjalën e Berishës dhe procesin e votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.

Burimet për gazetarin Ardit Hoxha bënë të ditur se 1100 delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së, që morën pjesë në atë ditë, përcaktuan 200 anëtarët e rinj të zgjedhur të Këshillit Kombëtar.

Përveç 200 anëtarëve të Këshillit Kombëtar që u zgjodhën me votë nga Kuvendi, atyre iu bashkuan edhe anëtarë të tjerë që ishin deputetë, ish-zyrtarë të PD-së, si dhe drejtues bashkish, përfaqësues të PD-së dhe anëtarë të kryesisë.

10 Updates
15:46

Kreu i PD-së Sali Berisha voton në Kuvendin Kombëtar

Këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve është zhvilluar Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Pas miratimit të statutit nga anëtarët e Kuvendit të PD-së, ka nisur dhe procesi i votimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Është parë nga kamerat edhe momenti kur kreu i PD-së Sali Berisha ka votuar. Pranë tij shihet kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

🔗 Shpërndaje
14:18

Kuvendi i PD-së miraton ndryshimet në Statut, forcohet përfaqësimi i diasporës dhe grave

Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi këtë të shtunë, me votat unanime të delegatëve, ndryshimet në Statutin e partisë.

Sipas vendimit të Kuvendit, risitë kryesore përfshijnë:

Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi i saj real politik, me 15% përfaqësim në lista dhe në organet drejtuese të partisë.

Rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave nga 30% në 40% në strukturat e Partisë Demokratike.

Ngritja e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkie, si strukturë autonome përpara procesit të primareve.

Përmirësimi i organizimit bazë të partisë, përfshirë grupseksionet dhe nëndegët, si dhe forcimi i rolit të Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

Forcimi i marrëdhënieve mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë në këshillat bashkiakë.

Njohja e statusit të barabartë për të gjitha organizatat partnere të PD-së, duke respektuar historinë e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të partisë.

Saktësimi i rregullave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke garantuar më shumë siguri dhe qëndrueshmëri në detyrë.

🔗 Shpërndaje
13:41

Berisha premton: Me PD-në në pushtet, në krye të rajonit për pagat dhe pensionet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, u shpreh se një nga vizionet e Partisë Demokratike është rritja e pensioneve për moshat e treta, duke theksuar se do t’i trefishojë ato.

Sakaq, Berisha u ndal edhe te fermerët, të rinjtë dhe ekonomia, duke u shprehur se do të rivendosë ekonominë e lirë të tregut.

“Do t’u japim përgjigje vendimtare varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar dhe ndaj rikthehemi tek ata të cilët marrin kafshatën minimale jetike, me dyfishimin dhe trefishimin e pensioneve.

Unë nuk ju them se do të kapim Gjermaninë dhe Francën, por ju them se do të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, sepse ne kemi qenë, ne ishim, ne kemi qenë.

Vizioni ynë, shqiptarët më të paguarit, shqiptarët do të paguhen më mirë në këtë rajon. Kujdesi i parë do të jetë për fëmijët. Asnjë fëmijë nuk do të jetë i kërcënuar në Shqipëri, jo vetëm fëmijët, por edhe nënat. PD ka vetëm një qëllim, ëndrra e të rinjve të ndërtohet në Shqipëri.

Ne zotohemi për përparësi absolute për qëllimet e tyre. I garantoj fermerët se ata që japin 20% të prodhimit do të kenë mbështetje në subvencione të nivelit më të lartë që ekzistojnë në rajon.

Ekonomia, në vizionin tonë, do të jetë në qendër të programit. Merr fund gjysmëroga për lejen e lindjes, rrogë e plotë për të gjithë periudhën.

Ne do të rikthejmë dhe do të shkatërrojmë ekonominë e drogës dhe do të rivendosim ekonominë e lirë të tregut. Rama përpiqet të na qortojë se pse flasim për narkoshtet. Cilido mik i Shqipërisë i kërkoj të kontrollojë. Në këtë shtet euro dhe dollari kanë thyer qafën, kanë rënë për tokë më shumë”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
13:32

Berisha shpall objektivat nga Kuvendi: Ripërtëritje dhe “kilometri i fundit” drejt pushtetit

Kreu i PD-së, Sali Berisha, shpjegoi nga Kuvendi Kombëtar sloganin për ripërtëritjen e PD-së si dhe objektivin e partisë për të çuar në fund atë që ai e ka cilësuar si “kilometri i fundit”.

Berisha e vendosi theksin te faza që, sipas tij, po kalon forca politike që ai drejton, duke e cilësuar si “kilometri i fundit” drejt fitores. Ai paraqiti këtë moment si një etapë vendimtare, ku sipas tij, prioritet mbetet ripërtëritja e partisë ndërsa përdori një retorikë të fortë politike, duke akuzuar qeverinë për të cilën tha se duhet larguar “me çdo çmim nga pushteti”.

“Sot nuk jemi më forcë politike në mbrojtje, por jemi forcë politike në kilometrin e fundit që ecën drejt fitores. Në këtë kilometër ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra kapitale. Detyra jonë numër një, që ia kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve, është ripërtëritja. Kaluam të gjitha barrikadat që na u vunë përpara dhe e futëm në rrethin e kuq narkodiktatorin, diku e thirrën Ramaduro, kurse ne do ta largojmë atë me çdo çmim nga pushteti. Demokratë e demokrate, ja ku jemi këtu për t’u thënë shqiptarëve se për ne, njerëzit që adhurojnë kombin dhe flamurin e tij, flamuri kombëtar do të mbetet në gjysmë shtize gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve të valvitet krah tij. Beteja jonë është betejë për flamur, për dinjitet kombëtar dhe për lirinë e shqiptarëve. Ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë më madhështore, vepra jonë për të nesërmen e Shqipërisë, për t’iu kthyer shqiptarëve votën e lirë. Ripërtëritja e PD nënkupton vizion dhe program madhështor”, tha ai.

Ai theksoi se beteja e PD-së është, sipas tij, një betejë për dinjitet kombëtar, flamur dhe liri vote. Ai shtoi se programi i Partisë Demokratike është “madhështor”, duke renditur arritje të mëparshme të së djathtës dhe duke premtuar rritje të pensioneve dhe pagave në rast rikthimi në pushtet.

“Nuk ka program më madhështor se programi ynë, por ai bombardohet çdo minutë nga mediat e qeverisë që thonë se PD nuk ka program. Si nuk paska program partia e ëndrrave të shqiptarëve? A nuk ishte ëndërr anëtarësimi në Këshillin e Europës, a nuk ishte ëndërr Rruga e Kombit, heqja e vizave, anëtarësimi në NATO, apo projektet e TAP-it dhe Devollit? Kush i bëri realitet këto? Ata që sot thonë se ne nuk kemi program. Ne do t’i përgjigjemi varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar. Do të dyfishojmë dhe trefishojmë pensionet, nuk themi se do kapim Gjermaninë apo Francën, por do dalim në krye të rajonit për rroga dhe pensione, sepse e kemi treguar që dimë të qeverisim dhe të ndërtojmë Shqipërinë,” u shpreh Berisha.

🔗 Shpërndaje
13:08

Berisha akuzon Ramën nga Kuvendi: Ndërmori sulm për shkatërrimin e PD-së

Mes një entuziazmi të madh dhe brohoritjeve të të pranishmëve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori fjalën në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Në hapje të fjalimit, ai përshëndeti të gjithë të ftuarit ndërkombëtarë të pranishëm në këtë kuvend, ndërsa theksoi se 35 vite më parë u përmbys diktatura dhe, sipas tij, sot synimi është përmbysja e asaj që e cilësoi si “diktatura e Edi Ramës”.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, kishte ndërmarrë një sulm për asgjësimin e Partisë Demokratike dhe shndërrimin e saj në një opozitë fasadë, në bashkëpunim me atë që ai e cilësoi si mafie ndërkombëtare.

“Morrëm arritje të mëdha dhe të pamohueshme, por erdhi një moment kur Edi Rama vendosi si moral dhe platformë të regjimit të tij moralin dhe platformën e etërve të tij xhelatë. Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD-së, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj, por gaboi. Nuk është për treg kjo parti, kjo parti është për moral, për ideale, për vlera; as nuk blihet, as nuk shitet dhe as nuk mposhtet kurrë. Ajo që kemi kaluar na ka farkëtuar për një betejë të re dhe të fuqishme për të përmbysur “Ramaduron” e Evropës. Ne vijmë sot në këtë kuvend si një forcë politike që ka përmbushur një nga premtimet dhe detyrimet tona më të rëndësishme: mbrojtjen e votës. Këtë e kemi bërë në betejën tonë me qeverinë që ne e konsiderojmë si më të rrezikshmen në Evropë”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, sipas tij, Partia Demokratike është përpjekur të ruajë të vërtetën dhe pluralizmin politik në vend, duke u paraqitur si “gardiane e pluralizmit, sovranitetit dhe dinjitetit njerëzor”. Berisha kujtoi edhe Kuvendin e vitit 2021, të cilin e cilësoi si “rithemelim të PD-së”, duke e përshkruar si një rrugëtim të vështirë dhe një betejë politike të ashpër.

Në vijim, ai tha se ka bërë gabime gjatë karrierës së tij politike, por sipas tij, gjithmonë ka ruajtur bindjet dhe besimin te mbështetësit e tij. “Kam bërë gabime në jetë dhe në karrierë, por kam pasur një avantazh të madh: gjithmonë kam ruajtur bindjen se jashtë gabimit askush nuk del. Jam përpjekur t’i korrigjoj gabimet, por në një gjë nuk kam gabuar kurrë: në besimin ndaj jush”, u shpreh Berisha, duke theksuar se rrugëtimi politik i PD-së ka qenë një “maratonë e jashtëzakonshme”.

🔗 Shpërndaje
12:32

Deputeti i Bundestagut mesazh PD-së: Kemi pritshmëri të larta për PD-në, është koha për bashkim

Deputeti i Bundestagut gjerman nga CDU, Peter Beyer, bëri një deklaratë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, përmes një mesazhi online ku tha se ka ardhur koha për vendime të mëdha dhe për një riorganizim të ri në drejtimin e partisë.

“I nderuar zoti President, i nderuar Dr. Sali Berisha, delegatë, të ftuar, miq të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Emri im është Peter Beyer dhe jam anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, në Berlin. Më vjen keq që nuk mund të jem sot me ju në këtë kongres të rëndësishëm të partisë suaj, por angazhimet kohore më pengojnë të jem pranë jush fizikisht. Megjithatë, me mendje dhe me zemër jam me ju. E vlerësoj këtë mundësi që të paktën t’ju drejtohem me disa fjalë. Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
11:55

Kryeministri i Kroacisë përshëndet Kuvendin e PD: Ndajmë orientimin e qëndrueshëm pro-europian

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka përshëndetur me një mesazh Kuvendin Kombëtar të PD-së, i cili po zhvillohet këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve.

Plenkoviç u ka uruar anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë një Kuvend sa më të suksesshëm, duke theksuar marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e gjatë me drejtuesit e saj.

Të dashur miq,

U uroj të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë një kuvend sa më të suksesshëm.

Isha shumë i kënaqur që prita zotin Sali Berisha, mikun tim prej shumë vitesh, në Kroaci gjatë Forumit të IDU-së këtu në Zagreb, disa javë më parë.

Patëm një bisedë të gjerë mbi aktivitetet dhe reformimin e partisë.

Ne ndajmë të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-europian dhe dëshiroj t’ju jap mbështetjen e fortë të Bashkimit Demokratik Kroat për një kuvend të suksesshëm të partisë dhe për suksese të mëtejshme elektorale.

Të gjitha të mirat nga Zagrebi.

🔗 Shpërndaje
11:50

Zbardhen emrat e kandidatëve për Këshillin e ri Kombëtar të PD-së

Euronews ka siguruar listën e kandidatëve për Këshillin e ri Kombëtar të Partisë Demokratike, ku mes qindra emrave të anëtarëve të vjetër dhe të rinjve që kanë shprehur kandidaturën, bien në sy edhe disa figura të njohura.

Në listë është përfshirë edhe Glauk Olldashi, djali i ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, si dhe djali i vogël i Azem Hajdari, i cili mban emrin e të atit të ndjerë.

Po ashtu, kandidaturën për t’u bërë pjesë e Këshillit të ri Kombëtar të Partisë Demokratike e kanë shpallur edhe Fiona Nishani, vajza e ish-presidentit Bujar Nishani, si dhe këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, djali i ish-truprojës së Sali Berishës, Sali Lushaj.

🔗 Shpërndaje
11:41

Kuvendi Kombëtar, PD prezanton “rivalin” e Diellës, Skënderbeun (VIDEO)

PD po mban Kuvendin e saj Kombëtar këtë të shtunë, ndërsa në hapje u prezantua një video e krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilën flet një avatar i heroit kombëtar Skënderbeu.

“Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj.
As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europianisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar miliona euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë; që nga pushtimi osman askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar. Në fund, më lejoni t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje jo vetëm e Ripërtëritjes, por edhe e Anti-Vjedhjes!”, tha avatari i krijuar me inteligjencë artificiale nga Partia Demokratike.

🔗 Shpërndaje
11:22

Berisha me bashkëshorten mbërrijnë në Kuvendin Kombëtar të PD-së, priten nga Noka dhe Bardhi

Këto janë momentet kur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbërrin në Kuvendin Kombëtar të PD-së, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, ndërsa pritet në shkallët e Pallatit të Kongreseve nga Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.

Berisha përshëndet me dy gishtat lart, ndërsa brenda Pallatit të Kongreseve ndodheshin figura të tjera të Partisë Demokratike, si Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa ndërsa në sallë ishte e pranishme edhe vajza e tij, Argita Berisha, së bashku me bashkëshortin e saj Jamarbër Malltezi.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026