Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u zhvilluan protesta gjatë fundjavës.
Rama theksoi se Pishë-Poro nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet si zonë e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”, kategori që lejon bashkëjetesën e natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik.
Sipas tij, ishte qeveria socialiste ajo që ndërmori zgjerimin e sipërfaqeve të mbrojtura në Shqipëri dhe që harmonizoi legjislacionin shqiptar me standardet ndërkombëtare.
“Më lejoni t’ju shpjegoj një pikë tjetër të rëndësishme. Për ju dhe për mua gënjeshtrat mund të jenë argëtuese, por e vërteta është e mërzitshme. Ka qenë kjo shumicë parlamentare dhe kjo qeveri që ka futur në mbrojtje territore të tëra të Republikës së Shqipërisë. Pishë-Poroja, për të cilën po flasim, nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet sipas standardeve të IUCN si kategori e pestë, Peizazh i Mbrojtur”, tha Rama.
Ai shpjegoi se në kategoritë e para të mbrojtjes kufizohet në maksimum ndërhyrja njerëzore, ndërsa kategoritë e pesta dhe të gjashta janë ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës së natyrës me aktivitetin ekonomik dhe social.
“Në parim, sa më lart të shkohet në kategoritë 1 dhe 2, aq më shumë kufizohet ndërhyrja njerëzore. Ndërsa kategoritë 5 dhe 6 janë ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës së natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Për këtë arsye, kjo kategori nuk konceptohet pa zhvillim, sepse aty kanë banuar njerëz dhe banojnë edhe sot, ndërsa peizazhi dhe biodiversiteti bashkëjetojnë”, u shpreh kryeministri.
Rama solli si shembull lagunat e ngjashme në vende të tjera europiane, të cilat sipas tij janë shndërruar në destinacione turistike të rëndësishme pa humbur vlerat natyrore.
Ai iu referua edhe ligjit të vitit 2017 për zonat e mbrojtura, duke theksuar se në nenin 20 përcaktohet se në zonat e kategorisë “Peizazh i Mbrojtur” mund të zhvillohen aktivitete si bujqësia, turizmi dhe peshkimi, ndërsa ndërhyrje të tjera lejohen vetëm me autorizimet përkatëse.
“Në pikën 4 të nenit 20 përcaktohet se veprimtaritë që ndryshojnë përdorimin e territorit, si ndërtimet, trajtimi i ujërave të zeza, autostradat apo zonat urbane, lejohen vetëm nëse subjekti pajiset me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Prandaj ne nuk kemi bërë asnjë heqje nga mbrojtja; Pishë-Poroja ka qenë peizazh i mbrojtur dhe mbetet peizazh i mbrojtur”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024, duke thënë se ato u propozuan për të krijuar një ekuilibër më të drejtë mes zhvillimit të territoreve dhe mbrojtjes së tyre.
“Është e vërtetë që në vitin 2024 kemi bërë një amendim të ligjit, me kërkesë të kryebashkiakëve dhe më pas të deputetëve, për të krijuar një ekuilibër të drejtë mes potencialit për zhvillim dhe mbrojtjes. Ligji ekzistues nuk merrte parasysh realitetet e tranzicionit. Për shembull, Thethi është zonë e mbrojtur, por legalizimet e vjetra pas diktaturës janë bërë si pasojë e një realiteti të krijuar ndër vite”, tha Rama.
Ai shtoi se zona të tilla si Thethi dhe Vjosa gëzojnë nivele të larta mbrojtjeje, ndërsa për lumin Vjosa theksoi se nuk po ndërtohet dhe nuk po shkatërrohet, pasi është nën mbrojtjen më të lartë ligjore.
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania