Gonxhja nga Pogradeci: Po ndjekim me vëmendje protestën, kërkohet analizë e thellë dhe dialog
Ministri i Turizmit Blendi Gonxhja, ka reaguar nga Pogradeci lidhur me protestat kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se qeveria po i ndjek me vëmendje shqetësimet e ngritura nga protestuesit dhe se kërkohet një analizë e kujdesshme për të gjetur ekuilibrin mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
I pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Xhensil Shkëmbi lidhur me qëndrimin e tij ndaj kësaj proteste, Gonxhja tha se është i ndjeshëm ndaj situatës dhe se njeh personalisht një pjesë të mirë të protestuesve, të cilët i cilësoi si artistë, krijues, inovatorë dhe të rinj të angazhuar në jetën publike.
“Nuk është se nuk e ndjek apo nuk jam i ndjeshëm ndaj situatës. Ne jetojmë në Tiranë dhe e kemi shumë të qartë që kjo është një çështje që kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë nga të gjithë”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, protesta ka lindur fillimisht nga shqetësime mjedisore dhe për këtë arsye institucionet po mbledhin informacion dhe po verifikojnë të gjitha aspektet që lidhen me projektet turistike, si në Zvërnec ashtu edhe në raste të ngjashme brenda dhe jashtë vendit.
Ai theksoi se qeveria respekton të drejtën e protestës dhe e konsideron atë një shprehje të lirisë demokratike në vend.
“Duhet ta ruajmë këtë forcë të demokracisë dhe të drejtën e fjalës së lirë. Jemi të gatshëm të marrim të gjitha masat për të adresuar çdo problematikë të ngritur nga protestuesit”, deklaroi Gonxhja.
I pyetur për faktin se një pjesë e parullave të protestës kanë karakter politik, ministri shmangu komentet, duke thënë se po përgjigjej në cilësinë e tij si ministër dhe jo si ish-aktivist politik.
Lidhur me balancën mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, ai u shpreh se bëhet fjalë për një proces të vështirë dhe delikat, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria duhet të hyjë në BE e fortë ekonomikisht. Ka vende që kanë ligje shumë të forta për mjedisin, por njëkohësisht kanë zhvillime turistike pranë apo edhe brenda zonave të mbrojtura, kur këto realizohen në përputhje me ligjin dhe interesin publik”, tha ai.
Gonxhe dënoi gjithashtu incidentin e ndodhur gjatë protestës së fundjavës, duke e cilësuar atë një ngjarje të papranueshme dhe duke kërkuar që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.
Në përfundim, ministri vlerësoi pjesën qytetare dhe rinore të protestës, duke theksuar se zëri i protestuesve po dëgjohet nga institucionet.
“Është një protestë që po e dëgjojmë dhe së cilës i kemi kushtuar vëmendjen e duhur”, përfundoi ai.
“Odat e polifonisë”, rreth 80 të rinj në Gjirokastër interpretojnë folklorin dhe polifoninë
Check-up falas, Ministria: Jemi në proces të heqjes së kufirit mbi 70 vjeç
Ushqimi i pasigurt, OBSH: 1 në 9 persona në botë sëmuren nga ushqimi i kontaminuar
- 15:05 Të moshuarit në Përmet: Me pensionin nuk mbulojmë as shpenzimet minimale
- 14:44 “Odat e polifonisë”, rreth 80 të rinj në Gjirokastër interpretojnë folklorin dhe polifoninë
- 14:37 Check-up falas, Ministria: Jemi në proces të heqjes së kufirit mbi 70 vjeç
- 14:31 Ushqimi i pasigurt, OBSH: 1 në 9 persona në botë sëmuren nga ushqimi i kontaminuar
- 14:17 Trump: Iranit i kanë mbetur vetëm rreth 22% e raketave
- 13:55 ‘Zvërneci’, Rama sjell rastin portugez: Fia Formosa, revolucioni portugez i turizmit