Zgjedhjet në Kosovë, policia: Procesi i votimit i qetë, 5 të arrestuar
Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me procesin e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend. Policia theksoi se procesi kaloi i qetë dhe pa incidente serioze.
Ndër të tjera, policia raporton për 17 raste penale për veprat ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’, ‘Keqpërdorim i të drejtës së votimit’ dhe ‘Dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin’. Lidhur me këto raste, 5 persona të dyshuar janë arrestuar.
Prokurori i Shtetit theksoi se janë raportuar 4 raste në rajonin e Prishtinës, 6 në rajonin e Prizrenit, 2 në rajonin e Pejës, 3 në të Ferizajt dhe dy raste në veri të Mitrovicës.
“Nga të gjitha këto raste kemi 5 persona të ndaluar dhe 12 persona tjerë të liruar në procedurë të rregullt. Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit. Me këtë rast Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, është thënë nga Prokurori i Shtetit.
Njoftimi i policisë:
Në aspektin e sigurisë, zgjedhjet në Republikën e Kosovës, kaluan të qeta dhe pa incidente serioze. Aktivitetet policore të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në kuadër të “Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfshirë fazën e votimit të zhvilluar gjatë ditës së sotme, janë realizuar në përputhje të plotë me planifikimet operative dhe masat e parapara policore.
Zbatimi i planit operacional, angazhimi profesional i zyrtarëve policorë, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë ndërinstitucional, kanë ndikuar që procesi zgjedhor të zhvillohet në një ambient të qetë, të sigurt dhe pa incidente madhore që do të mund të cenonin apo pengonin rrjedhën e tij. Bazuar në vlerësimet operative dhe të sigurisë, procesi zgjedhor është karakterizuar nga qetësia, rendi dhe stabiliteti i përgjithshëm.
Një ndër objektivat kryesore të planit operacional policor ka qenë garantimi i një mjedisi të sigurt për ushtrimin e së drejtës së votës, identifikimi, hetimi dhe procedimi i çdo veprimi të kundërligjshëm që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj të gjithë personave që bien ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.
Për ti realizuar me sukses këto objektiva, Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitetet e saja të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, duke përfshirë 6300 zyrtarë policorë, 720 automjete policore me rreth 320 patrulla reaguese, me zyrtarë të profileve të ndryshme, zyrtarë patrullues, hetues, zyrtarë të inteligjencës, zyrtarë kufitar, zyrtarë të trafikut dhe zyrtar të njësive speciale të cilët kanë qenë në gatishmëri vepruese.
Në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit, Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme, ka iniciuar 17 raste penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për veprat penale: ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’, ‘Keqpërdorim i të drejtës së votimit’ dhe ‘Dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin’. Lidhur me këto raste, 5 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje.
Gjatë realizimit të detyrave policore janë pranuar dhe trajtuar gjithsej 53 informata të natyrave të ndryshme, ku pas vlerësimit të rrethanave dhe mungesës së elementeve të rastit, nuk janë iniciuar procedura të mëtejme ligjore.
Po ashtu, në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë, janë trajtuar dhe proceduar edhe raste të tjera të natyrave të ndryshme, të cilat nuk kanë qenë të ndërlidhura me procesin zgjedhor.
Vlen të theksohet se Policia e Kosovës ka trajtuar me profesionalizëm dhe paanshmëri çdo informacion dhe raportim që ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka vazhduar njëkohësisht kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në trajtimin e rasteve të tjera të sigurisë publike.
Aktivitetet policore të planifikuara për ditën e sotme janë realizuar me sukses dhe në përputhje me objektivat operative, falë bashkëpunimit të shkëlqyer ndërinstitucional, angazhimit të strukturave të sigurisë dhe nivelit të lartë të kulturës qytetare të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Për këtë bashkëpunim dhe kontribut në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit të procesit demokratik, Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e saj ndaj të gjithë qytetarëve.
Vetëvendosje shpall fitoren, merr më shumë se 280 mijë vota
Rezultatet e fundit/ Numërohen mbi 80% e kutive në Kosovë
Albulena Haxhiu: Numërimi, faza vendimtare. Përgjegjësit të angazhohen në mbrojtjen e vullnetit të popullit
- 22:22 Vetëvendosje shpall fitoren, merr më shumë se 280 mijë vota
- 22:19 Garda Revolucionare e Iranit: Operacioni ndaj Izraelit ishte paralajmërim
- 21:53 E rëndë në Maltë, mbytet anija me 60 emigrantë! 10 persona humbin jetën
- 21:52 SHBA po shqyrton planin që të blejë Ishujt Chagos nga Mauritiusi
- 21:45 Sulmi i Iranit, reagon Izraeli: Teherani duhet të digjet sonte
- 21:39 Një tërmet i fortë godet Butanin, sa ishte magnituda