Momente paniku në Madrid, qindra persona evakuohen nga zjarri në rrokaqiellin 49-katësh

24 Qershor 2026 | 16:37

Një zjarr që shpërtheu pasditen e së martës në një rrokaqiell në Madrid është vënë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse.

Ndërtesa 49-katëshe, ku ndodhen zyrat e kompanisë së energjisë Moeve, në zonën financiare të kryeqytetit spanjoll, u evakuua menjëherë pasi nga disa kate nisi të dilte tym i dendur.

Sipas policisë lokale, nuk raportohet për persona të lënduar. Një dëshmitar tha se iu desh të zbriste 34 kate në këmbë për t’u larguar nga ndërtesa.

Një tjetër dëshmitare i tha Reuters se kishte parë dhe ndier erën e tymit përpara se të aktivizohej alarmi i emergjencës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe mediat lokale tregonin shtëllunga të mëdha tymi që dilnin nga katet e mesme të godinës.

Tymi ishte i dukshëm nga një distancë e madhe, çka bëri që autoritetet të urdhëronin evakuimin e menjëhershëm të ndërtesës dhe të nisnin kërkimet për tre persona që dyshohej se ndodheshin ende brenda.

Sipas agjencisë Europa Press, në vendngjarje u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse dhe ekipe emergjence, të cilat punuan për neutralizimin e flakëve dhe verifikimin e sigurisë së objektit përpara se të lejohej rikthimi i personelit.

Një punonjës i një ndërtese pranë vendit të ngjarjes përshkroi momente tensioni gjatë evakuimit, por theksoi se procesi u zhvillua në mënyrë të organizuar falë stërvitjeve të mëparshme të sigurisë.

“Njerëzit po vraponin, por kishte qetësi. Qindra persona janë evakuuar nga ndërtesat”, tha ai.

Kulla, e njohur deri vonë si Torre Foster, është në pronësi të kompanisë Pontegadea të biznesmenit Amancio Ortega që prej vitit 2016, kur u ble për rreth 490 milionë euro. Me 248 metra lartësi dhe 49 kate, ajo renditet ndër rrokaqiejt më të lartë në Spanjë dhe është pjesë e kompleksit Cuatro Torres Business Area në Madrid.

Mediat spanjolle raportojnë se ndërtesa është përballur edhe më parë me një incident të ngjashëm, duke rikthyer në vëmendje diskutimet mbi standardet e sigurisë në objekte të kësaj përmase.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA, Britania dhe aleatët paralajmërojnë: Modelet e reja të AI-së po rrisin rrezikun e sulmeve kibernetike

Aleanca e inteligjencës “Five Eyes”, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, ka paralajmëruar se modelet më të avancuara të...
18:11 | 24/06/2026

U helmua me kërpudha, gazetari që zbuloi lidhjen e dyshuar të Putinit gjendet i vdekur në mërgim

Letonia po heton vdekjen e gazetarit rus në mërgim Grigory Nekhoroshev, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë pasi ka konsumuar kërpudha helmuese. Nekhoroshev ka...
17:38 | 24/06/2026

Më afër se Hëna, një asteroid “krejtësisht i padëmshëm” së shpejti do të kalojë pranë Tokës

Asteroidi (152637) 1997 NC1 do të kalojë pranë Tokës pa rrezik të shtunën dhe do të jetë i dukshëm për vëzhguesit me ndihmën e një...
17:02 | 24/06/2026