Presidenca qipriote e BE-së mbështeti integrimin e Shqipërisë, Hoxha pritet nga krerët më të lartë të shtetit

25 Qershor 2026 | 17:36

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi të enjten një vizitë zyrtare në Nikozia, ku u prit nga Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ministri i Jashtëm Costantinos Kombos dhe Presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriou.

Vizita përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Qipros, si edhe me përfundimin e Presidencës qipriote të Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë gjysmës së parë të vitit.

Gjatë takimit me Presidentin Christodoulides, u riafirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorët kryesorë dhe avancimin e agjendës së përbashkët evropiane, thuhet në një njoftim për mediat.

Hoxha përgëzoi Qipron për drejtimin e Presidencës së Këshillit të BE-së dhe falënderoi autoritetet qipriote për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të zgjerimit të Unionit dhe aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim.

“Në një kohë sfidash të shtuara globale dhe të sigurisë, Qiproja ka avancuar me sukses një agjendë ambicioze për një Bashkim Evropian më të fortë dhe më vizionar. Shprehëm mirënjohjen tonë për lidershipin dhe mbështetjen e qartë ndaj rrugës së Shqipërisë drejt BE-së”, deklaroi ministri Hoxha.

Në takimin me homologun Costantinos Kombos, u diskutua mbi mbështetjen e Qipros për perspektivën evropiane të Shqipërisë, e cila u reflektua edhe gjatë procesit të përfundimit me sukses të Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR).

Hoxha theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi kryesor strategjik i Shqipërisë dhe forca shtytëse për konsolidimin demokratik, modernizimin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Dy ministrat ranë dakord gjithashtu për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me fokus te investimet, turizmi, arsimi dhe sektorë të tjerë me interes të ndërsjellë.

Gjatë deklaratës së përbashkët për mediat, ministri shqiptar njoftoi se të dy vendet presin nisjen e një lidhjeje direkte ajrore mes Nikozias dhe Tiranës, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, turizmin dhe marrëdhëniet e biznesit.

Nga Nikozia, Hoxha përsëriti gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e kanë bërë një hap të tillë.

“Sot, njohja e Kosovës lidhet jo vetëm me një çështje dypalëshe, por edhe me sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës sonë të përbashkët evropiane, si dhe me parandalimin e ndikimeve destabilizuese në rajon”, u shpreh ai.

Në kuadër të vizitës, ministri Hoxha u takua edhe me Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriou, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rolin e parlamenteve në mbështetjen e proceseve integruese evropiane.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Berisha: PD bën thirrje për çdo shqiptar të mbështesë ndryshimin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur se PD mbështet plotësisht protestën rinore qytetare dhe kërkesat e saj, duke vlerësuar gjithashtu letrën e nënshkruar...
19:58 | 25/06/2026

Dita e 26-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skëndërbej” drej Kryeministrisë edhe këtë të mërkurë kur regjistrohet dita e 26-të e protestës. Grumbullimi i qytetarëve nisi...
19:50 | 25/06/2026

Sot dita e 26-të e protestës në Tiranë, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe këtë të enjte po zhvillohet protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e...
19:14 | 25/06/2026