Shtyhet certifikimi i zgjedhjeve në Kosovë, ankesat e kandidatëve të PDK-së bllokojnë procesin

29 Qershor 2026 | 17:21

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të presë edhe më gjatë për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë. Vetëm një orë para përfundimit të afatit ligjor, kandidatët e PDK-së për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, dorëzuan ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve përfundimtare të shpallura të shtunën.

Dy kandidatët kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, duke pretenduar se procesi i numërimit ka pasur parregullsi që i kanë lënë padrejtësisht jashtë Kuvendit.

“Rezultati i publikuar dhe përfundimtar është i pasaktë, i paverifikuar, tashmë i pranuar dhe i evidentuar në dy fakte esenciale të konfirmuara nga rinumërimi i 5,201 votave të PDK-së, ku janë evidentuar 221 vota të regjistruara gabimisht në numërimin fillestar. Mua si kandidat në këtë rinumërim m’u shtuan 6 vota dhe ankesa është e bazuar. Rezultati nuk mund të certifikohet si i pasaktë, ai duhet të jetë i saktë, pasi ligji garanton që rezultati përfundimtar dhe i certifikuar të jetë i tillë. Janë dy fakte dhe dy argumente kryesore. Së pari, rinumërimi i një mostre të vogël prej 3.5% të votave të PDK-së ka evidentuar gabime në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit, që në fakt është rezultat preliminar dhe nuk mund të bëhet r.ezultat përfundimtar pa u verifikuar”, tha Bekim Haxhiu – Kandidat për deputet i PDK-së

“Ligji nuk thotë që duhet t’i falim, ligji thotë që duhet të zbatohet për të gjithë njësoj dhe votë për votë të numërohet çdo votë. Kështu që ne nuk po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, por vetëm që ata që na kanë votuar t’i falënderojmë dhe të kemi numrin e saktë të votave, sepse dihet që ka më shumë gabime sesa thonë ata. Ne kërkojmë të drejtën tonë që të numërohet çdo votë dhe asgjë më shumë”, tha Qëndrim Kryeziu – Kandidat për deputet i PDK-së.

Nëse PZAP-ja i refuzon ankesat, dy kandidatët kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme.

Këto procedura kanë shtyrë certifikimin e rezultateve zgjedhore. Pa përfundimin e këtij procesi, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re.

Eksponentë të Vetëvendosjes, e cila fitoi 53 mandate, akuzojnë PDK-në se po pengon bashkëpunimin me LDK-në. Ndërkohë, AAK-ja ka bërë të ditur se është e gatshme të japë shtatë votat e saj për krijimin e institucioneve të reja, pa kërkuar poste në qeveri, por vetëm dakordësi për interesat strategjike të Kosovës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, ja sa ulëse fituan LVV, PDK, LDK dhe AAK në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjene sotme ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, ku partia e parë ka dal...
13:36 | 27/06/2026

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të filloj komunikimet për formimin e institucioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se do të presë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit për të nisur më pas...
11:31 | 23/06/2026

KQZ në Kosovë përmbyll rinumërimin e 185 vendvotimeve, pritet certifikimi i rezultateve

KQZ në Kosovë ka përmbyllur procesin e rinumërimit të 185 vendvotimeve, për të cilat ishte marrë vendim për rinumërim. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi,...
17:55 | 19/06/2026