Metani në Kuvend: Janë trajtuar 1,635 ankesa gjatë vitit 2025, sfidë mbeten vonesat në drejtësi
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, paraqiti këtë të martë në Komisionin për Çështjet Ligjore raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2025, ku evidentoi rezultatet e punës, problematikat kryesore të sistemit të drejtësisë dhe rekomandimet për përmirësimin e tij.
Metani bëri të ditur se Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përmbushur të tetë rekomandimet e miratuara nga Kuvendi për vitin 2025, duke ndërmarrë masa për forcimin e inspektimeve, digjitalizimin e proceseve dhe bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë administruar gjithsej 3,272 ankesa, prej të cilave 1,792 të reja dhe 1,480 të mbartura nga vitet e mëparshme. Nga këto, janë shqyrtuar 1,635 ankesa, ndërsa janë zhvilluar 12 hetime disiplinore dhe janë nisur 8 procedime disiplinore ndaj magjistratëve.
Metani theksoi se numri i ulët i procedimeve disiplinore nuk tregon mungesë kontrolli, por funksionimin e mekanizmit filtrues të verifikimit të ankesave.
“Çdo pretendim ndaj punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve verifikohet, ndërsa hetimi disiplinor nis vetëm kur ekzistojnë elementë të mjaftueshëm ligjorë dhe faktikë,” u shpreh ai.
Nga analiza e ankesave rezulton se shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore, vonesat në hetime, vonesat në arsyetimin e vendimeve dhe pretendimet për vendimmarrje të padrejtë.
Sipas të dhënave të ILD-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar:
- 255 ankesa për zvarritje të gjykimeve;
- 159 ankesa për zvarritje të hetimeve;
- 462 ankesa për vendimmarrje të padrejtë;
- 110 ankesa për vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Gjatë raportimit, Metani ngriti shqetësimin edhe për problematika me karakter strukturor, duke përmendur mungesën e infrastrukturës në disa gjykata, zhvillimin e seancave joproduktive, respektimin e etikës nga magjistratët, si dhe nevojën për analizimin e efekteve të hartës së re gjyqësore.
Ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se përmirësimi i sistemit nuk mund të arrihet vetëm përmes mekanizmave disiplinorë, por kërkon reforma të koordinuara, investime dhe planifikim afatgjatë.
Në përfundim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi se sistemi i drejtësisë vijon të përballet me sfida strukturore, ndërsa nënvizoi se forcimi i etikës, përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit institucional mbetet kyç për rritjen e besimit të qytetarëve dhe afrimin e sistemit me standardet evropiane.
Dita e 31-të e protestës në Tiranë, qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë
Aksident në Mallakastër, kamioni me koshere del nga rruga dhe përmbyset, bletët shpërndahen në zonë (VIDEO)
Pogradec, dy aksidente në një hark të shkurtër kohor, një i vdekur dhe disa të plagosur
- 19:57 Dita e 31-të e protestës në Tiranë, qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë
- 19:49 Aksident në Mallakastër, kamioni me koshere del nga rruga dhe përmbyset, bletët shpërndahen në zonë (VIDEO)
- 19:43 Pogradec, dy aksidente në një hark të shkurtër kohor, një i vdekur dhe disa të plagosur
- 19:26 Braçe reagon për protestën te Parlamenti: Sulmi ndaj policisë cenon autoritetin e shtetit, dhuna nuk është ‘Shqipëria e re’
- 19:12 Valdrin Pjetri emërohet në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronave
- 19:10 Protesta te Parlamenti, Koçiu: Dhuna është e papranueshme, Shqipëria nuk merret peng nga kaosi