Lamallari viziton efektivët e lënduar në protestën para Kuvendit: Sulmi ndaj policisë është sulm ndaj shtetit

2 Korrik 2026 | 12:49

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në spital tre efektivët e Policisë së Shtetit që mbetën të lënduar gjatë protestës së zhvilluar paraditen e së enjtes para Kuvendit.

Pas vizitës, Lamallari dënoi ashpër aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, duke i cilësuar ato si sulme vandale dhe sjellje kriminale.

“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim”, u shpreh ministri.

Lamallari theksoi se sulmi ndaj efektivëve përbën një sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues, duke paralajmëruar se autorët do të përballen me drejtësinë.

“Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë ndaj punonjësve të Policisë. Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në Parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit”, deklaroi ai.

Ministri shprehu gjithashtu mbështetjen për efektivët e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e tyre gjatë përballjes me protestuesit.

Ai u uroi shërim të shpejtë dy punonjësve të policisë të shtruar në Spitalin e Traumës, si edhe efektivit të Komisariatit nr. 5, i cili po merr trajtim mjekësor në QSUT.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfshihet nga flakët një mjet në Korçë, zjarrfikësja në vendngjarje (VIDEO)

Një makinë është përfshirë nga flakët këtë të enjte në qytetin e Korçës. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen ndërsa siç shihet edhe nga pamjet...
15:54 | 02/07/2026

KLP hap garën për Prokurorin e Përgjithshëm, kandidatët 30 ditë afat për të bërë aplikimet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP këtë të enjte ka zhvilluar seancë plenare ku vendosi shpalljen e fillimit të procedurës administrative për përzgjedhjen e kandidatëve...
15:50 | 02/07/2026

Tensionet para Parlamentit, reagon UGSH: Aktet e dhunës mbi gazetarët në procesin raportues janë krim

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dalë me një deklaratë këtë të enjte lidhur me tensionet e regjistruara  gjatë protestës së sotme të qytetarëve para Parlamentit....
15:39 | 02/07/2026