Nga krimi i organizuar te hetimet financiare, Braho: Masat e SPAK për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit

3 Korrik 2026 | 10:51

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho në prezantimin e raportit vjetor të Strukturës së Posaçme për vitin 2025, është ndalur gjithashtu te masat e marra për zbatimin e rekomandimeve kryesore të Kuvendit dhe te hapat që SPAK ka ndërmarrë për secilin prej tyre.

Ndër pikat kryesore Braho nënvizon se është ngritur një grup i posaçëm i SPAK që ka të bëjë me  analizën e grupeve të krimit të organizuar.

“Së pari, në zbatim të rekomandimit Nr.1, që lidhet me analizën e grupeve të krimit të organizuar, është ngritur grupi i punës brenda SPAK-ut, si dhe grupi ndërinstitucional me institucionet që disponojnë informacion dhe inteligjencë mbi grupet kriminale aktive brenda dhe jashtë vendit. Me mbështetjen e OPDAT, ICITAP, përfaqësuesit të FBI dhe EU4LEA II, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes të Vlerësimit Strategjik të Kërcënimit nga Krimi i Organizuar.

Ky dokument do të paraqesë karakteristikat kryesore të grupeve kriminale, tregjet ku ato veprojnë, mënyrat e veprimit, shtrirjen territoriale dhe ndërkombëtare. Ai do të analizoj edhe lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Synimi është që ky dokument të bëhet publik brënda këtij viti dhe të shërbejë për herë të parë si një instrument i hapur strategjik për orientimin e politikës penale, analizës institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese”, tha ai.

Kreu i SPAK shton se pjesë e rekomandimeve janë dhe nxjerrja e statistikave për masë sigurimi, një process që përfshin evidentimin e çdo kërkese të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për masë sigurimi.

Gjithashtu pjesë e dokumentit janë dhe veprat penale zgjedhore, ku raporti për vitin 2025 ka regjistruar mbi 150 procedime penale.

“Së dyti, në zbatim të rekomandimit Nr.2, për sa i përket analizës së masave të sigurimit për periudhën 2021 – 2025, SPAK ka ngritur grupin e punës dhe, me asistencën e EU4LEA II, po kryhet një proces i detajuar verifikimi manual i të dhënave për periudhën 5 vjeçare. Ky proces përfshin evidentimin e çdo kërkese të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për masë sigurimi, vendimmarrjen e GJKKO, kontrollin në apel dhe, sipas rastit, qëndrimin e Gjykatës së Lartë. Qëllimi nuk është vetëm nxjerrja e një statistike, por vlerësimi i standardit të kërkimeve tona, mënyrës se si ato janë vlerësuar nga gjykatat dhe nevojës për përmirësim të mëtejshëm të praktikës.

Së treti, në zbatim të rekomandimit Nr.3, për analizën e Strategjisë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore, është ngritur grupi i punës dhe me asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri jemi në përfundim të analizës së përbashkët me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Të dhënat paraprake tregojnë një rritje të ndjeshme të angazhimit institucional.

Gjatë periudhës 2021–2025, SPAK ka trajtuar mbi 230 materiale që lidhen me dyshime për vepra penale zgjedhore dhe ka regjistruar mbi 150 procedime penale. Vetëm për zgjedhjet e 11 majit 2025 janë administruar 194 materiale dhe janë regjistruar 46 procedime penale, nga të cilat 5 janë dërguar në gjykatë me 9 të pandehur, ndërsa 22 procedime vijojnë të jenë në hetim.

Këto të dhëna tregojnë se strategjia dhe task-forca kanë rritur kapacitetin e SPAK-ut për të administruar në kohë indiciet, për të filtruar rastet sipas kompetencës dhe për të orientuar më mirë bashkëpunimin ndërinstitucional. Prania e hershme e Task-Forcës së SPAK-ut në procesin zgjedhor ka pasur edhe efekt parandalues, duke rritur vëmendjen ndaj përgjegjësisë penale për sjelljet që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Analiza e përbashkët do të shërbejë për përmirësimin e strategjisë ekzistuese, forcimin e protokollit të bashkëpunimit dhe identifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme ligjore apo organizative”, raportoi Klodian Braho.

Një tjetër pikë është dhe gjurimimi i pasurive nëpërmjet përdorimit të tëknologjive. Braho tha se kjo kërkon zhvillimin e disa kapaciteteve për të mbështetur hetimin penal.

“Së katërti, në zbatim të rekomandimeve Nr.4 dhe Nr.5, për zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara për gjurmimin e pasurive, si dhe vijimin e përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve teknike dhe logjistike për hetimet financiare, krimin kibernetikë, pastrimin e parave dhe kriptovalutat, SPAK po vlerëson instrumentet që rrisin kapacitetin e gjurmimit të pasurive dhe rrjeteve financiare.

Kjo kërkon fuqizimin e hetuesve financiarë, zgjerimin e aksesit në databaza shtetërore (aktualisht kemi akses në 22 nga 40 databaza), përdorimin e mjeteve analitike dhe zhvillimin e kapaciteteve për analizimin e të dhënave digjitale dhe të teknologjisë blockchain. Këto fusha të reja nuk janë më thjesht mbështetëse të hetimit penal. Ato janë kthyer në pjesë thelbësore të hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit modern.

Së pesti, në zbatim të rekomandimit Nr.6, për unifikimin dhe standardizimin e metodologjisë hetimore, Prokuroria e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për unifikimin dhe standardizimin e metodologjive hetimore, veçanërisht në mbledhjen dhe administrimin e provave dhe aplikimin e masave të sigurisë, në përputhje me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të gjitha këto masa, të kombinuara me angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për asistencë teknike dhe ekspertizë, synojnë të sigurojnë një zbatim efektiv dhe të strukturuar të rekomandimeve, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”.

Për strategjinë e reduktimit të çështjeve të prapambetura, Kreu i SPAK bëri të ditur se institucioni ka miratuar një strategji të re për reduktimin e çështjeve të mbartura, e cila sipas tij ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit dhe ka sjellë rezultate konkrete

“Së gjashti, në zbatim të rekomandimit Nr.7, në drejtim të reduktimit të çështjeve të prapambetura, Prokuroria e Posaçme pas një pune të koordinuar dhe të strukturuar me partnerët ndërkombëtarë që mbështesin SPAK, ka finalizuar dhe miratuar me urdhërin e Drejtuesit nr. 27061, datë 04.08.2025, “Strategjinë për Reduktimin e Çështjeve të Mbartura 2025–2027.

Strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit praktik, duke dhënë tashmë rezultate konkrete dhe të matshme, në përputhje me objektivat dhe afatet e përcaktuara në të, konkretisht në lidhje me normën e reduktimit të çështjeve me mbi 70%, me reduktimin në 10% të çështje të regjistruara në vitin 2020 e më përpara, me reduktimin në 20 % të çështjeve të regjistruara në vitin 2021.

Për SPAK-un, ky rezultat nuk përbën vetëm një përmirësim statistikor. Ai tregon se trajtimi i çështjeve të vjetra është kthyer në një proces të monitoruar periodikisht. Qëllimi ynë është që reduktimi i backlog-ut të vijojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar njëkohësisht cilësinë e hetimit, respektimin e të drejtave procedurale dhe përfundimin e çështjeve brenda afateve sa më të arsyeshme”.

Kreu i SPAK u ndal edhe te konsolidimi i Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, duke theksuar se gjatë vitit 2025 është punuar për rritjen e efikasitetit dhe raportimin në kohë reale.

“Së shtati, në zbatim të rekomandimit Nr.8, për Sa i përket Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2025, vijoi zbatimin dhe konsolidimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, me synim aktivizimin e plotë të moduleve, rritjen e efikasitetit dhe gjenerimin e statistikave në kohë reale.

Në vitin 2025 nisi zbatimi praktik i sistemit me përmirësime të vazhdueshme funksionale, ku u përfundua zhvillimi dhe implementimi i modulit të referimit dhe procedimeve pasurore, si dhe i modulit të statistikave sipas formatit zyrtar të raportimit, që mundëson edhe identifikimin e backlog-ut të çështjeve.

Sistemi është në fazën përfundimtare të konsolidimit dhe synimi është funksionaliteti i plotë e i qëndrueshëm në të gjitha modulet brenda vitit 2026. Sistemi është një instrument praktik që ofron gjurmueshmëri, menaxhim ngarkese dhe raportim me cilësi më të lartë, gjithashtu ai forcon edhe disiplinën administrative të SPAK-ut”.

Braho njoftoi se Byroja Kombëtare e Hetimit është në fazën përfundimtare për hapjen e garës për 40 hetues të rinj, si pjesë e një riorganizimi për t’iu përgjigjur sfidave të reja të hetimit.

“Së teti, në zbatim të rekomandimit Nr.9, për rritjen e efikasitetit të BKH-së, jemi në fazën e fundit përgatitore për hapjen e thirrjes për 40 hetues të rinj. Përveç plotësimit të vakancave, synimi është edhe riorganizimi më funksional i ndarjes së brendshme të BKH-së, duke i dhënë më shumë peshë përpunimit të inteligjencës kriminale, veprimtarisë operative taktike, gjurmimit të kriptovalutave dhe hetimit të krimit kibernetik. Ky riorganizim është i nevojshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku prova digjitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa veprimet klasike procedurale”, tha ai.

Në fjalën e tij, drejtuesi i SPAK theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet një nga shtyllat kryesore të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave me element ndërkufitar.

“Së nënti, në zbatim të rekomandimit Nr.10, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet prioritet i vazhdueshëm i SPAK-ut. Krimi i organizuar, pastrimi i parave, korrupsioni me dimension ndërkufitar, kriptovalutat dhe provat elektronike kërkojnë bashkëpunim të shpejtë, të besueshëm dhe të strukturuar me partnerët ndërkombëtarë”, shtoi Klodian Braho.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit, Nufi: Investim strategjik për të ardhmen e Forcave të Armatosura

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi lajmëroi të premten hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit. Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Nufi, e cilësoi krijimin e kësaj shkolle...
13:06 | 03/07/2026

PS propozon ndryshime kushtetuese për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, PD kundërshton nismën e Manjës

Partia Socialiste është shprehur e gatshme të ndërmarrë ndryshime në Kushtetutë për të hequr kufizimin që nuk lejon rizgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme...
12:59 | 03/07/2026

Gjyqi me Ols Dadon, Erion Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative (VIDEO)

Këto janë momentet kur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatën Administrative, ku do të mbahet edhe seanca e...
12:58 | 03/07/2026