Humbi jetën në moshën 25-vjeçare, autoritetet nisin hetimet për vdekjen e futbollistit Jayden Adams
Autoritetet në Afrikë njoftuan të hënën se po hetojnë vdekjen e futbollistit, Jayden Adams, pasi trupi i tij u zbulua këtë fundjavë në një pronë në qytetin e Kejp Taunit.
25-vjeçari Adams vdiq dy javë pasi ndihmoi Afrikën e Jugut të arrinte fazën eliminatore të një Kupe Bote për herë të parë. Autoritetet nuk kanë publikuar shkakun e vdekjes.
“Policia qendrore e Kejptaunit regjistroi një hetim pas zbulimit të trupit të një mashkulli 25-vjeçar të shtunën. Rrethanat që lidhen me këtë incident janë duke u hetuar”, tha policia.
Policia tha se trupi u zbulua në një pronë në lagjen Schotsche Kloof të Cape Town rreth orës 11:00 të mëngjesit të së shtunës, por nuk dha më shumë detaje.
Babai i Adams, Juanito Adams, i tha stacionit televiziv të lajmeve të Afrikës së Jugut eNCA të dielën se familja po priste rezultatet e autopsisë dhe ende nuk kishte bërë ndonjë plan për funeralin.
“Siç e dini të gjithë, ishte një vdekje e parakohshme. Familja po përpiqet ta përballojë këtë. Nuk do të jetë e lehtë të vazhdohet. Njerëzit thonë se do të bëhet më e lehtë, por nuk do të bëhet. Thjesht mëson të jetosh me të”, tha Juanito Adams.
Adams luajti në të tre ndeshjet e fazës grupore të Afrikës së Jugut, teksa skuadra pati performancën më të mirë në Kupën e Botës. Ai nuk u paraqit në humbjen 1-0 ndaj Kanadasë në raundin e 1/16 më 28 qershor.
Ministri i Sportit i Afrikës së Jugut, Gayton McKenzie, tha se Adams kishte luajtur në ndeshjen e grupit të ekipit të tij kundër Republikës Çeke disa orë pasi mësoi se gjyshja e tij kishte vdekur.
McKenzie i kërkoi publikut dhe medias të tregonin dhembshuri dhe të mos spekulonin mbi shkakun e vdekjes së Adams ndërsa autoritetet kryejnë një hetim.
Pati momente heshtjeje dhe homazhi për Adamsin në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Botës Angli-Norvegji dhe Argjentinë-Zvicër të shtunën.
Nga avionët ‘Rafale’ te sistemet SAMP/T, Macron zbardh armatimin e ri që do t’i dërgohet Kievit
Vrasjet e Renee Good dhe Alex Pretti nga agjentët e ICE, zyrtarët e Trump dorëzojnë provat
Ambasada e SHBA në Emiratet e Bashkuara Arabe anulon të gjitha takimet konsullore, shkak situata e sigurisë rajonale
- 21:57 Nga avionët ‘Rafale’ te sistemet SAMP/T, Macron zbardh armatimin e ri që do t’i dërgohet Kievit
- 21:51 Plagosje me thikë në Fushë-Krujë, 22-vjeçari dërgohet në Spitalin e Traumës
- 21:51 ‘Mallkimi’ i Interit vazhdon, sulmuesi Khalaili dështoi në testet e fitnesit!
- 21:46 Vrasjet e Renee Good dhe Alex Pretti nga agjentët e ICE, zyrtarët e Trump dorëzojnë provat
- 21:41 Kur Zidane heshti Spanjën dhe zgjati lamtumirën e tij
- 21:36 Franca–Spanja, moti kërcënon Dallasin, por jo gjysmëfinalen