Kosova letër Kaja Kallas, i kërkon të bëjë më shumë për të dënuar deklaratën e ministres serbe për spastrim etnik
Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Bashkimit Evropian të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq për “spastrim etnik” në Kosovë, duke thënë se përgjigja fillestare e bllokut evropian ishte e “kufizuar dhe e vonuar”.
Paunoviq, ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, tha fundjavën e kaluar për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të ish-lideri serb Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta dhe Kosova tashmë ka ngritur padi ndaj saj dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen në vend.
Të shtunën, Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri Jashtëm, Glauk Konjufca, i dërgoi letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, për të kërkuar reagim më të fuqishëm nga klubi evropian pjesë e të cilit synojnë të bëhen si Kosova, ashtu edhe Serbia.
Në ketë letër, e cila mban datën 16 korrik, Qeveria e Kosovës kërkon nga BE-ja “që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”.
Deklarata e Paunoviqit është dënuar tashmë nga BE-ja dhe dënimin e përsëriti të enjten komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se ishte e habitur se si ajo vazhdon të mbetet ministre në Qeverinë serbe.
“Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, tha Kos të enjten.
Ndërkohë, në Serbi, presidenti i vendit, Aleksandër Vuçiç, th se deklarata e Paunoviqit “nuk pasqyron vullnetin tim, e as të Qeverisë së Serbisë”, duke shtuar se “politika e shtetit serb është dialogu, e jo kurrë spastrimi etnik”.
Paunoviq, nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit, nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha më 16 korrik se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.
Në anën tjetër, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb, Gjuro Macut, për shkarkimin e Paunoviqit.
Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.
Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.
Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999.
Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm./REL.
“Ministrja serbe nuk bëri gafë politike”, Ramabaja: Shqetësuese është reagimi i Shqipërisë
Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve”
Deklarata e ministres serbe, Konjufca letër Kallas. Kërkon takim ose bisedë telefonike për të diskutuar çështjen
- 19:09 Mojtaba Khamenei dënon sulmet e SHBA-së, shpall të pavlefshme firmën e Trumpit
- 19:01 Raporti i FIFA-s: Mbi 7 milionë postime abuzive ndaj lojtarëve dhe stafit të ekipeve gjatë Kupës së Botës
- 18:47 “Ministrja serbe nuk bëri gafë politike”, Ramabaja: Shqetësuese është reagimi i Shqipërisë
- 18:16 Finlanda kufizon përkohësisht trafikun ajror dhe detar, shkak kërcënimi nga dronët
- 18:01 Atentati ndaj 50-vjeçarit në Sarandë, gjendet një motor i braktisur buzë detit. Dyshohet se u përket autorëve
- 17:41 Korça, qendra e muzikës frymore! Mbi 200 artistë në AIR FEST-LULUFEST