English

A ke marrë mesazh nga Rama? Bardhi pyet Dumanin, si përgjigjet kreu i SPAK

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ditën e sotme në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, kanë raportuar për punën e tyre gjatë vitit 2023 drejtuesit e lartë të institucioneve të drejtësisë në vend.

- Advertisement -

Pas përfundimit të raportit të drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka drejtuar pyetje lidhur me hetimet për laboratorin e drogës në Xibrakë, çështjen e mikrokredive, fondet IPARD për bujqësinë, hetimet për inceneratorët dhe një skandali që sipas tij ishte kryer nga një këshilltar i kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij Bardhi e pyeti Dumanin nëse ka marrë një mesazh nga Rama përmes një funksionari publik për mbylljen e çështjes “Xibraka”, ku opozita pretendon se i përfshirë ka qenë edhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.

“SPAK ka vendosur mosfillimin e hetimeve për mikrokreditë. GJKKO ka urdhëruar prokurorinë për të vijuar hetimet. Çfarë ka konstatuar gjykata që nuk është bërë nga SPAK dhe çfarë është aktualisht duke bërë Prokuroria e Posaçme për një prej skandaleve më të rënda të ndodhura në Shqipëri, për shkak të numrit të lartë të qytetarëve të prekur. Janë 100 mijë familje që vuajnë pasojat e atij skandali.

Pyetja e dytë ka të bëjë me disa kallëzime që unë kam bërë në emër të PD, që janë hetimet për inceneratorin e Tiranës. Kallëzimi jonë është dorëzuar në 2020 dhe jemi në 2024 dhe nuk ka një përfundim të hetimeve paraprake për këtë çështje. A mund të na thoni në çfarë faze janë hetimet? Kaq i vështirë është hetimi për këtë çështje, kur fakti është publik. Mjafton të shkosh në Sharrë dhe shikon se atje nuk ka incenerator.

Së treti në media është referuar një skandal që lidhet me një këshilltar të jashtëm të kryeministrit, që lidhet me një këshilltar të jashtëm të kryeministrit, ish-agjentin e shërbimeve sekrete rumune Koldea, që dyshohet se është i përfshirë në një linjë trafiku ndërkombëtar droge mes Meksikës, Shqipërisë dhe Rumanisë. A ka nisur ndonjë hetim SPAK për të vërtetuar këto të dhëna?

Së katërti ju keni marrë një raport nga zyra e OLAF mbi abuzimet me fondet e Bujqësisë. Për shkak të atyre abuzimeve, fondet që duhet t’u jepeshin shqiptarëve janë bllokuar nga Komisioni Europian, edhe në pritje të hetimeve të institucioneve shqiptare. A ka nisur hetim prokuroria e posaçme dhe mendoni se mund të kemi rezultate të shpejta lidhur me këtë çështje?

Së fundi rezulton sipas informacioneve që disponon grupi i PD, se kryeministri Rama përmes një shtetasi, një funksionar publik në institucion e pavarura, i ka përcjellë kreut të SPAK, juve zoti Dumani, një mesazh privat që çështje Xibraka, e rihapur nga SPAK, të mbyllet sa më shpejtë të jetë e mundur. Duke mos iu kërkuar juve të komentoni veprimin e kryeministrit, unë dua të di nga ju përgjigjen që ju i keni përcjellë pas kryeministrit. Dhe a jepni ju garanci pas këtij mesazhi që kjo çështje do të hetohet? Që të mos na ndodhë ajo që na ndodhi me prokurorin e përgjithshëm, që duke varrosur këtë çështje, u zgjodh në atë pozicion”, tha Bardhi.

Dumani lidhur me pyetjen nëse kishte marrë mesazh nga Rama për dosjen ‘Xibraka’ tha se as nuk merr e as përcjell mesazhe me asnjë politikan në vend.

Ai shtoi se me kryeministrin e funksionarët e tjerë publik ka vetëm raporte institucional dhe procedurial.

“Lidhur me rastin e parë që ju referoni, besoj se nuk ka më një sekret. Nuk është çështje e mosfilluar nga SPAK. Evidentohet qartë historia e atij kallëzimi. Këtë çështje e ka trajtuar prokuroria e Tiranës. Ka bërë një kërkesë për pushim Prokuroria e Tiranës. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka shpallur moskompetencën dhe aktet kanë kaluar në GJKKO, ku ne tashmë jemi thirrur si palë. Prokurori i SPAK nuk ka shprehur qëndrim për lënien në fuqi të vendimit të pushimit. Nuk është e vërtetë që SPAK është investuar në një kërkesë për pushim.

Lidhur me pyetjen e dytë, edhe pse kanë kaluar 4 vite nuk kanë përfunduar hetimet paraprake. Sa i takon pyetjes, duhet të kuptojmë cili është roli i drejtuesit të SPAK në këtë çështje. Nuk kam asnjë kompetencë në këtë çështje, por mund të ndërhyj vetëm me një udhëzim. E kam bërë në dy raste dhe kam pasur qëndrim ndryshe me prokurorët e çështjes. Çështjet e mbartura e kam thënë që janë një problematikë. Kam analizuar me prokurorët gjithë çështjet e mbartura që ata kanë dhe i kam ofruar atyre gjithë ndihmën time, duke shtuar një prokuror në grupin hetimor dhe duke shtuar numrin e hetuesve nuk ka qenë e nevojshme. Hetimi i çështjeve nuk është aq i thjeshtë, sidomos te çështjet me natyrë korruptive. Është krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimin, përpiqet si të fshehë edhe gjurmët e krimit, apo shfrytëzon hapsirën ligjore për të kryer krimin. E njëjta logjikë vlen edhe për grupet e krimit të organizuar. Kemi të bëjmë me grupe të krimit më të rrezikshme dhe shumica e tyre ka vështirësi. Çështja konkrete është në hetim paraprak dhe herë pas here kemi bërë me dije publikun për zhvillimin e hetimit.

Lidhur me pyetjen e tretë, nuk kam ndonjë koment dhe nuk flas për çështje të kësaj natyre. Lidhur me fondet IPARD, nuk jap detaje, por mund të them që është një çështje nën hetim.

Lidhur me marrëdhënien me kryeministrin apo çdo titullar institucioni në Shqipëri, marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Nuk marr dhe nuk përcjell asnjë lloj mesazhi. Kjo është marrëdhënia ime që ekziston me të gjithë”, tha Dumani.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Donald Trump prezantoi kriptomonedhën duke rritur frikshëm pasurinë brenda natës! Çfarë mendoni për lëvizjen e tij?